Zv/kryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi ka zhvilluar një intervistë për “Opinion” këtë të hënë ku ka folur për situatën në Maqedoninë e Veriut pas dorëheqjes së Zoran Zaev nga drejtimi i partisë dhe qeverisë. Grubi tha se aleatët e Zaevit në qeveri i kanë kërkuar që të tërheqë deklaratën e tij dhe se nuk pajtohen me vendimin për dorëheqjen e tij.
Blendi Fevziu: Tani jeni ju kryeministër i Maqedonisë? Si i bie llogaria?
Artan Grubi: Pyetje shumë e drejtpërdrejtë, dje kur e takova Zaevin pasi kishte deklaruar dorëheqjen dhe më tha do të duhet të marrësh përsipër udhëheqjen e qeverisë që nga nesër, por i thashë që në fakt nuk duhet të ndodhë ashtu sepse ne nuk pajtohemi me dorëheqjen e tij. Ai duhet ta tërheqë atë dhe duhet të vijojmë me punët pasi kësaj shumice i duhet Maqedonisë së Veriut.
Blendi Fevziu: Pse Zaev dha dorëheqjen. Në Shqipëri ne nuk kemi shumë histori dorëheqjesh. Në 30 vjet kemi dy dorëheqje gjithsej. Pse?
Artan Grubi: Nuk e ka dërguar zyrtarisht dorëheqjen në Kuvend, por ai e paralajmëroi dorëheqjen pas raundit të parë të zgjedhjeve më 17 Tetor, pasiqë kishte shumë rezultate të dobëta në të gjitha komunat, përfshi edhe qytetin e Shkupit dhe tha që nëse humb në Shkup do të deponoj dorëheqje. Humbi në Shkup, humbi në shumicën dërrmuese të komunave dhe doli për të paralajmëruar dorëheqjen e tij edhe nga kryetari i LSDM edhe nga qeveria e RMV. Të gjithë ne partnerët e koalicionit të tij, sot në takim të përbashkët në qeveri i thamë që kjo nuk pranohet dhe do duhet ta rishqyrtojë pozicionin e tij pasi i duhet vendit, i duhet kësaj shumice.
Blendi Fevziu: Ju thoni që Zaevi dha dorëheqjen për të respektuar një deklarim të mëparshëm që kishte bërë.?
Artan Grubi: Absolutisht po!/tvklan.al