Grubi takoi ambasadorin hungarez: Hungaria na përkrah në procesin e anëtarësimit në BE

Desk
By Desk November 4, 2020 16:31

Grubi takoi ambasadorin hungarez: Hungaria na përkrah në procesin e anëtarësimit në BE

Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, z.Artan Grubi sot në kabinetin e tij takoi ambasadorin e Hungarisë, z.Laslo Duks.

Gjatë këtij takimi u bisedua rreth rolit të rëndësishëm dhe konstruktiv që ka Republika e Maqedonisë së Veriut në avancimin e marrëdhënieve mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Grubi theksoi se bashkëpunimi me vendet anëtare të Bashkimit Evropian mbetet synim kryesor i Qeverisë dhe shtoi se pret përkrahjen hungareze gjatë mbajtjes së mbledhjes së parë ndërqeveritare me Bashkimin Evropian ku edhe pritet të shënohet fillimi i negociatave për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Në këtë takim, zëvendëskryeministri i parë Grubi dhe ambasadori hungarez Duks diskutuan edhe për masat e marra në të dy vendet lidhur me krizën shëndetësore dhe ekonomike të shkaktuar nga COVID-19 si dhe për mënyrat më të mira me qëllim rimëkëmbjen pas kësaj situate që ka kapluar dy vendet tona por edhe tërë botën.

Grubi gjithashtu i ka thënë ambasadorit të Hungarisë, z.Laslo Duks se rruga e drejtësisë joselektive dhe sundimi i ligjit në Republikën e Maqedonisë së Veriut do të arrihen vetëm përmes transparencës së plotë dhe vetingut ndaj bartësve të funksioneve publike, gjykatësve dhe prokurorëve.

Në fund të këtij takimi zëvendëskryeministri i parë z.Artan Grubi dhe ambasadori i Hungarisë z.Laslo Duks u shprehën të bindur se gjatë presidencës gjermane me Bashkimin Evropian Republika e Maqedonisë së Veriut do të tejkalojë çështjet e fundit të hapura me Republikën e Bullgarisë dhe me këtë do të vazhdojë procesi i integrimit tonë në BE. 

Desk
By Desk November 4, 2020 16:31