Grupet punuese: Nuk ka marrëveshje për PPS-në

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka May 10, 2019 19:21

Grupet punuese: Nuk ka marrëveshje për PPS-në

Dështon edhe një përpjekje për të gjetur zgjidhje konsensuale për Ligjin për Prokurori Publike, i cili sanksionon edhe Prokurorinë Speciale. Ministrja e drejtësisë, Renata Deskovska, tha se VMRO nuk ka lëvizur nga qëndrimi i saj, i cili nënkupton amnisti për vepra të kryera penale, që burojnë nga përgjimet e paligjshme.

“VMRO-DPMNE mbetet në qëndrim e saj që të gjitha procedurat, që janë ngritur pas 18 muajve të parë, të ndërpriten. Kjo d.m.th. të gjitha dëshmitë që janë siguruar të mos shfrytëzohen; të gjitha masat që janë ndërmarrë të ndërpriten, kjo d.m.th. nëse si parti u është ngi prona, të shfuqizohet; të ndërpriten të gjitha masat e kujdesit. Ky qëndrim është i papranueshëm, pasi kjo në fakt është amnisti për vepra të kryera penale”,- theksoi ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska.

VMRO-DPMNE, ndër të tjera, ka kërkuar që propozim ligji të dërgohet për shqyrtim në Komisionin e Venecias.

Por, pushteti konsideron se kjo është tendencë për të shtyrë procesin, në kohë kur afatet që ligji të miratohet para Raportit të progresit, janë çështje ditësh.

“Shumica qeverisëse nëse konsideron se ky ligj është i rëndësishëm për prokurorinë, për shtetin dhe për integrimet europiane, nëse nuk i beson VMRO-DPMNE-së, le të gjejë mënyrë që të konsultojë Komisionin e Venedikut dhe të marrë konfirmim se çfarë janë standardet evropiane për prokurori dhe cilat janë intervenimet politike në këtë ligj”,- tha përfaqësuesi i Grupit Punues të VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski.

“Meqë afatet që na imponohen për miratimin e Ligjit janë që të miratohet sa më shpejtë që të jetë e mundur, shpreha gatishmërinë time që pas miratimit të ligjit menjëherë ta dërgojmë në Komisionin e Venecias, me detyrimin që çdo koment, vërejtje apo udhëzim nga Komisioni i Venecias, të implementohet menjëherë nga partitë politike”,- theksoi ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska.

Palët u përplasën edhe rreth zgjidhjeve kadrovike, përkatësisht rreth mundësisë për ndërrimin e Katica Janevës.

“Shohim që pushteti ka disponim për zgjidhje të tjera kadrovike, përveç Katica Janevës, dhe ky është sinjal i mirë. Por, njëkohësisht shohim se nuk janë të disponuar që ta thërrasin në përgjegjësi për veprime si akuzues i paautorizuar, konform Ligjit që punon PPS”,- u shpreh përfaqësuesi i Grupit Punues të VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski.

“Sot nuk diskutuam aspak për prokurorë konkretë dhe as për zgjidhje kadrovike. Kjo çështje nuk diskutohet në kuadër të grupeve të punës, pasi konform Ligjit, Këshilli i Prokurorëve Publikë zgjedh prokurorë publikë, përfshirë edhe prokurorin special, kështu që çështje për Katica Janevën aspak nuk u hap në këtë takim”,- deklaroi ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska.

Deskoska tha se qëllimi kryesor është që të arrihet konsensus me opozitën për këtë ligj, por nëse palët nuk bien në ujdi, atëherë nuk përjashtoi mundësi alternative, përkatësisht që ligji të miratohet me votat e shumicës, ato të opozitës shqiptare dhe 8 votat e grupit të pavarur të VMRO-DPMNE-së.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka May 10, 2019 19:21