Grupet punuese vazhdojnë negociatat, Deskoska: Ka përparim
Grupet e punës mes pushtetit dhe opozitës vazhduan bisedimet për gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi për Ligjin për Prokurori Publike, i cili duhet të sanksionojë statusin e Prokurorisë Speciale.
Sipas pushtetit, është shënuar avancim në bisedime, pasi janë afruar qëndrimet rreth statusit të Speciales, por edhe më tej mbeten dallime sa u përket procedurave të nisura dhe shfrytëzimit të përgjimeve si indicie.
“Folëm për dy tema kyçe, për statusin e PPS-së dhe për procedurat e filluara dhe përdorimin e dëshmive. Kjo e dyta ende është pengesa kryesore. Sa u takon çështjeve tjera, mund të konstatojmë se përballëm argumentet, dëgjuam rekomandimet e BE-së, kështu që në këtë pjesë mund të konstatojmë një lloj përparimi. Gjithsesi, çështja nuk është përmbyllur plotësisht. Duhen konsultime shtesë sa u takon vazhdimit të procedurave, qëndrimi ynë është se nuk guxon të lejohet mbyllja e asnjë procedure që me ligj të bien poshtë dëshmi dhe të ndodh amnisti e krimit”,- tha ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska.
“U morëm vesh që ta vazhdojmë dialogun dhe ta konkretizojmë në çështjet për të cilat kemi akoma për t’u marrë vesh. Vlerësoj që kjo atmosferë e sotme ishte pozitive dhe mund të arrijmë progres goxha shpejt”,- tha Artan Grubi nga BDI.
VMRO-DPMNE thotë se pushteti është ai i cili duhet të krijojë atmosferë për kompromis.
“PPS duhet të jetë pjesë e Prokurorisë Publike, por pa status special që të mund të privilegjojë disa prokurorë dhe të degradojë ca të tjerë”, – tha Milloshovski.
“Mbetet një pjesë e çështjeve kyçe ku kemi dallime, por njëkohësisht mbetet edhe dëshira për të vazhduar këto konsultime me shpresë se do të gjejmë zgjidhje kompromisi të cilën Kuvendi mund ta votojë me konsensus”,- tha Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.
Ndërkaq, ekspertët e fushës thonë se Specialja duhet të vazhdojë misionin e saj dhe se përgjimet e paligjshme mbeten indicie për krim në nivele të larta.
“Sa i përket ligjit për PPS-në, ai organ patjetër duhet të vazhdojë të punojë në drejtim të konstatimit të asaj që ka qenë krim dhe që nuk ka qenë krim. Nuk mund të pranojmë situata që deri dje materialet e përgjuara të jenë indicie një nga dëshmitë, ndërsa tani përnjëherë të sjellim vendim që ato dëshmi duhet të lihen anash”,- u shpreh eksepertja juridike, Margarita Caca Nikollovska.
Sipas Nikollovskës, me rëndësi të posaçme është që pavarësisht cili organ do të veprojë në ndjekjen e krimit dhe korrupsionit në nivele të larta, të implementohen standardet e procedurës së drejtë. (Tvm2)