Grupi i rezistencës kundër talebanëve regjistrohet në Shtetet e Bashkuara

Linda Limani
Publikuar nga Linda Limani 2 Nëntor, 2021 12:49

Grupi i rezistencës kundër talebanëve regjistrohet në Shtetet e Bashkuara

Zyrtarët amerikanë konfirmuan se një grup i krijuar rishtazi për rezistencën e armatosur ndaj talebanëve u regjistrua me Departamentin amerikan të Drejtësisë për të ushtruar aktivitet lobimi politik në Shtetet e Bashkuara.

Konfirmimi erdhi pas pretendimeve të Frontit Kombëtar të Rezistencës Anti-Talebane (NRF) se zyra e tij për çështjet ndërkombëtare “ka marrë autorizimin për t’u hapur zyrtarisht” në Amerikë.

Ali Maisam Nazary, kreu i marrëdhënieve me jashtë për grupin anti-taleban, e bëri njoftimin të premten nëpërmjet Twitterit, duke premtuar se NRF-ja “do ta zgjerojë së shpejti aktivitetin në mbarë globin”.

Një zëdhënës për Departamentin amerikan të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se “jemi në dijeni se një entitet që e quan veten ‘Fronti Kombëtar i Rezistencës’ është regjistruar më 26 tetor sipas Ligjit për Agjentët e Huaj”.

Zëdhënësi sidoqoftë shpjegoi se vendimi për t’u regjistruar i përket palës kërkuese dhe nuk pasohet nga ndonjë veprim i mëtejshëm apo aprovim nga Departamenti i Drejtësisë apo ndonjë entitet tjetër i qeverisë amerikane.

“Në përgjithësi, organizata si kjo mund të hapin zyra në Shtetet e Bashkuara dhe nuk është e nevojshme përfshirja e Departamentit të Shtetit”, tha zëdhënësi.

Linda Limani
Publikuar nga Linda Limani 2 Nëntor, 2021 12:49