Grupi “Miqtë për zgjerim”: BE i ka borxh Shkupit e Tiranës. Dimitrov: Bëmë çfarë na u kërkua, jemi gati për datë

Desk
By Desk March 4, 2020 19:01

Grupi “Miqtë për zgjerim”: BE i ka borxh Shkupit e Tiranës. Dimitrov: Bëmë çfarë na u kërkua, jemi gati për datë

Polonia, Lituania, Letonia, Estonia si dhe vendet tjera të BE-së nga grupi “Miqtë për zgjerim” janë të gatshëm t’i thonë “po” vendimit për hapjen e bisedimeve mes RMV-së dhe BE-së.

Pas takimit të ministrave të jashtëm të këtyre vendeve me homologun Dimitrov, shefat e diplomacisë së Polonisë dhe Lituanisë potencuan se BE i ka borxh Shkupit dhe Tiranës.

RMV, sipas tyre, ka plotësuar shkëlqyeshëm atë që i është kërkuar, gjithsesi gjërat duhen bërë sipas rregullave.

“Shpresojmë se BE së shpejti do t’i fillojë bisedimet me RMV-në dhe Shqipërinë. BE u ka borxh këtyre dy vendeve vendim për t’i pranuar brenda vetes. Ky është obligim ndaj qytetarëve të këtij vendi, por edhe për shkak të dimensionit të sigurisë, sepse ekzistojnë aktorë jashtë BE-së që janë aktivë në rajon dhe një vendim për fillimin e negociatave do të pengojë ndikimin negativ.”,- tha ministri i jashtëm i Polonisë, Jaçek Çaputovq.

“Gjithçka do të realizohet sipas rregullave, procedurave dhe meritave. Por, gjithashtu na duhet konsensus. Këto janë rregullat. Nuk do të thotë se diçka është ndryshuar për ju apo praktikën tuaj. Ajo që e keni bërë deri më tani është e shkëlqyeshme. Vetëm vazhdoni me këtë tempo, sepse kjo është përgjigjja e vetme për të gjithë skeptikët.”,- u shpreh ministri i jashtëm i Lituanisë, Linas Linkeviçius.

Ministri Dimitrov pret që përfundimisht vendi të marrë vendim nga BE për fillimin e negociatave.

“Komisioni Evropian tha se kemi realizuar reforma të theksuara dhe përmbajtjesore. Më herët KE propozoi metodologji të re se si do të zhvillohet procesi negociues. Mendoj se këto dy shtylla janë baza të shkëlqyeshme që përfundimisht të kemi nga BE një vendim të qartë, përmbajtjesor për fillimin e bisedimeve.”,- u shpreh ministri i jashtëm, Nikolla Dimitrov.

Përfaqësuesit e vendeve të BE-së nga grupi “Miqtë për zgjerim” thanë se janë të gatshëm të ndajnë përvojën e tyre integruese me RMV-në kur kjo e fundit të fillojë negociatat.

Desk
By Desk March 4, 2020 19:01