Hallet e bletarëve nuk kanë fund

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 1 Nëntor, 2021 20:27

Hallet e bletarëve nuk kanë fund

Krahas ndryshimeve klimatike, helmimit të bletëve nga spërkatja me pesticide, bletarët si problem të tyre e theksojnë edhe konkurrencën jolojale respektivisht shitjes së mjaltës të falsifikuar.

Për të parandaluar helmimin masiv të bletëve nga hedhja e pesticideve në prodhimet e ndryshme bujqësore duhet që të ketë një bashkëpunim më të madh mes institucioneve të shtetit, bletarëve dhe bujqve që kjo dukuri të parandalohet. Kështu thekson Driton Dikena nga shoqata “Qyteti i Bletëve”. Sipas tij, institucionet duhet të bëjnë më shumë që të ndalohet konkurrenca jolojale, falsifikimi i mjaltit, të subvencionohen kultivuesit e mjaltit si dhe brendimi i prodhimit të mjaltit nga rajoni i Pollogut. “Unë kam përshtypjen se një dëm të madh na bëjnë edhe shfrytëzimi i tepërt i pesticideve nga ana e bujqve. Unë kërkoj që të bëhet një urë bashkëpunimi në mes të institucioneve të shtetit, bletarëve dhe bujqve që nëse nuk mund të parandalojmë ndryshimet klimatike së paku të parandalojmë ajo që është në dorën tonë, pra mos i helmojmë bletët me dorën tonë”, thotë Dikena.

Ndërkaq, Vlladimir Petrovski nga Organizata Joqeveritare “Mjalti i Pollogut” thekson se ky vit ishte solid me prodhim mesatar të mjaltës por nënvizon edhe probleme tjera. “Duke pasur parasysh ndryshimet klimatike nga viti në vit gjithnjë bletarët e kishin më vështirë që të mbijetojnë. Viti i kaluar ishte shumë i rëndë, kurse këtë vit është pak më mirë gjendja me bletarinë, nuk është ideale por është më mirë. Ka disa rajone ku mikroklima ndikoi që të ketë prodhim të mirë. Ky vit pra ishte solid me prodhim mesatar. Gjatë gjithë vitit bletarët intensivisht punojnë në kosheret e tyre e jo si në vitet e kaluara kur punonin gjatë sezonit të pranverës dhe vjeshtës. Viteve të fundit bletarët hasin në probleme të ndryshme si gjatë spërkatjes nga ana e bujqve ashtu edhe nga konkurrenca jolojale dhe duhet që në këtë drejtim të merren masa konkrete”, thekson Vlladimir Petrovski. Ai shprehet se gjithmonë duhet që mjalti të blihet nga bletarët e njohur dhe ata që merren me këtë veprimtari dhe jo të blihet në treg nga blerës të panjohur të cilët këtë veprimtari nuk e ushtrojnë për pasion por për tregti. Këtë vit kishte shumë raste të helmimit masiv të bletëve në rajonin e Pollogut nga pesticidet.

Nga ana e bletarëve, këto raste çdo herë janë denoncuar në polici dhe në institucionet tjera por në mungesë të një ligji përkatës për mbrojtjen e tyre, as Ministria e Punëve të Brendshme, por as Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave nuk bëjnë kompensimin e dëmeve që u ndodhin bletarëve. “Përdorimi i pesticideve, spërkatja në kohë të pa kohë të institucioneve kundër mushkonjave janë gjëra që mund të kontrollohen. Ne dëshirojmë që të ngremë zërin që më në fund të fillojnë të respektohen bletarët, të njoftohen në kohë bletarët, të ndërtohen mekanizma mbrojtës për bletarët dhe ne i kemi denoncuar këta raste me qëllim që të fillohet edhe bletarët të dëmshpërblehen. Në Maqedoninë e Veriut nuk ka strukturë ligjore, akte apo ligje që mbron bletarët dhe rastet denoncohen në polici, gjykatë, prokurori, ministri, dhe nuk ka mekanizëm tjetër që i mbron këta bletarë. Të gjithë shoqatat duhet që të bashkohen dhe të iniciojnë një ligj për mbrojtjen e bletarëve”, theksoi Dikena. Krahas ndryshimeve klimatike, helmimit të bletëve nga spërkatja me pesticide, bletarët si problem të tyre e theksojnë edhe konkurrencën jolojale respektivisht shitjes së mjaltës të falsifikuar. Kërkohet që në këtë drejtim më shumë të bëhet në parandalimin e këtyre dukurive. (koha.mk)

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 1 Nëntor, 2021 20:27

27
Nën
Shkoi për gjueti me shokë, por mbeti i plagosur në rrethana ende të pazbardhura, në...
27
Nën
Sot tifogrupi Ballistët i bëjnë 30 vite. Në këtë 30 vjetor ata kanë festuar si...
27
Nën
Nën patronatin e Ali Ahmetit – Kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, nesër me fillim...
27
Nën
Në mbledhjen e përbashkët mes Kuvendeve të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, gjatë...