Harxhimet mujore në familje: Sot jetohet sikurse para 10 vitesh

Desk
By Desk March 4, 2020 19:21

Harxhimet mujore në familje: Sot jetohet sikurse para 10 vitesh

Sipas të dhënave të fundit nga Entit Shtetëror për Statistikë, paga mesatare në dhjetor të vitit 2019 ka qenë rreth 27.000 denarë ose diku afër 440 euro, ndërkaq harxhimet minimale për një familje gjatë muajit janar, është afërsisht 33.000 denarë ose rreth 535 euro.

Harxhimet të cilat përllogariten për çdo muaj të vitit, përfshijnë nevojat minimale për një familje për ushqim, pije, banim, higjienë, transport, veshmbathje, kulturë dhe shëndet. Të dhënat tregojnë se, pothuajse një pagë e plotë mesatare në Maqedoninë e Veriut harxhohet për ushqim, pije dhe fatura. Më saktësisht, harxhimet familjare për janar, sipas përllogaritjeve të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, sugjeron që për ushqim dhe pije, gjatë muajit janar janë nevojitur rreth 14.000 denarë, ndërsa për banim (harxhime komunale, orendi shtëpiake dhe mirëmbajtje) duhen afërsisht 11.000 denarë ose rreth 40 për qind e rrogës. Për transport, higjienë dhe veshmbathje mesatarisht, janë nevojitur diku 6000 denarë, ndërsa më së paku është parashikuar për kulturë dhe shëndet, 2000 denarë.

Vlera e harxhimeve minimale të sindikatës në tre vitet e kaluara është përafërsisht e njëjtë, megjithëse pak a shumë dallojnë çmimet e rregulluara të rrymës, ngrohjes qendrore, ujit, që i zmadhon shpenzimet jetësore. Sot, familja mesatare në Maqedoninë e Veriut nuk jeton shumë më mirë se para 10 vitesh, megjithëse të gjitha qeveritë e deritanishme lavdërohen me rritje të pagave, të pensioneve, të pagës minimale, përmirësim të standardit. (koha.mk)

Desk
By Desk March 4, 2020 19:21