Hasan Kaleshi, ai që vuri themelet e historisë kombëtare jashtë Shqipërisë

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 4 Gusht, 2022 22:48

Hasan Kaleshi, ai që vuri themelet e historisë kombëtare jashtë Shqipërisë

Hasan Kaleshi ishte bashkëthemelues i Institutit Albanologjik, i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, dhe themelues i Degës së Orientalistikës pranë Universitetit të Prishtinës. Përveç se në gjuhën shqipe, ka shkruar edhe në disa gjuhë tjera botërore si: serbo-kroatisht (boshnjakisht), turqisht, gjermanisht, anglisht, arabisht dhe frëngjisht

Nga Qerim LITA

Këtyre ditëve doli nga shtypi përmbledhja prej 8 vëllimeve (veprave) të Prof. Dr. Hasan Kaleshit, publicistit, gjuhëtarit, historianit dhe orientalistit të shquar shqiptar, i cili me punën e tij hulumtuese-shkencore ka lënë gjurmë të pashlyer në historiografinë tonë kombëtare në vitet ‘50-‘70 të shekullit të kaluar. Përmbledhja është përgatitur për botim nga Prof. Dr. Feti Mehdiu, Prof. Dr. Esad Durakoviq, Prof. Dr. Muhamet Mufaku, Dr. Nuridin Ahmeti dhe Dr. Sadik Mehmeti. Profesor Kaleshi, siç shprehet akademik Feti Mehdiu, i takon gjeneratës “së personaliteteve shkencore dhe kulturore, të cilët vunë themelet e institucioneve shkencore dhe kulturore shqiptare jashtë Shqipërisë politike”. Ai ishte bashkëthemelues i Institutit Albanologjik, i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, dhe themelues i Degës së Orientalistikës pranë Universitetit të Prishtinës. Përveç se në gjuhën shqipe, ka shkruar edhe në disa gjuhë tjera botërore si: serbo-kroatisht (boshnjakisht), turqisht, gjermanisht, anglisht, arabisht dhe frëngjisht.

Vepra është botuar nga Shtëpia Botuese “Dija” Prishtinë, ndërsa të gjitha shpenzimet financiare për botim i mbuloi Myftinia e Kërçovës. Ndonëse kjo përmbledhje përbëhet prej gjithsej 8 vëllimeve, unë do të ndalem vetëm në tre vëllimet, përkatësisht veprat e para. Në vëllimin e parë është bërë një përzgjedhje të punimeve publistike shkencore të Hasan Kaleshit, të botuara nëpër revista kombëtare e ndërkombëtare, në harkun kohor 1949-1976. Në të, gjithsej janë përfshi tetë shkrime, përkatësisht punime studimore. Krejt në fund të librit, jepet intervista e tij dhënë “Botës së Re”, në prill të vitit 1976, si dhe materiali shtojcë, i cili përfshin artikuj të ndryshëm të shtypit shqiptar lidhur me vdekjen e Hasan Kaleshit.

Menjëherë pas fjalës së redaksisë, është vendosur bibliografia kronologjike, ku janë përfshi gjithsej 357 njësi studimore të botuara para dhe pas vdekjes së tij. Më pas radhiten dy shkrimet e Kaleshit, të botuara në revistën e parë letrare në gjuhën shqipe në Kosovë “Jeta e Re”. Në të dy shkrimet, Kaleshi, ndalet në problemin e përdorimit të drejtë nga ana e dy gazetave të atëhershme në gjuhën shqipe: “Rilindja” dhe “Flaka e Vëllazërimit”, si dhe të përkthyesve shqiptarë. Çdo shkrim publik, sipas Kaleshit, duhet t’i ketë këto parakushte:  “…gjuha e përdorur të jetë e pastër, mendimi, i qartë, ndërtimi i fjalive i rregulltë dhe në frymën e gjuhës shqipe. Nuk duhet me lejue që nji fjali të zgjasi dhetë rreshta, dhe ajo të jetë e pakuptueshme dhe e trazueme, sepse kjo e mundon lexuesin ja zhdukë përqendrimin e vërejtjes, kurse edhe në vetë fjalinë nuk dallohet pjesa kryesore nga ajo e dorës së dytë…”.

Interes të veçantë për studiuesit shqiptarë dhe jo vetëm, paraqet punimi studimor “Mevludi te shqiptarët”, ku autori hedhë dritë mbi traditën e këndimit të Mevludit në trojet shqiptare në përgjithësi, e në Kosovë e trevat lindore në veçanti. Jo më pak rëndësi ka studimi “Kur’ani – Kryevepër e letërsisë arabe”, që Hasan Kaleshi për herë të parë e ka botuar në vitin 1967 në gjuhën boshnjake si parathënie e librit “Iz Kur’ana časnom svetu celom opomene”. Studimi prej rreth 40 faqeve, krahas hyrjes ndahet në 8 pjesë të veçanta: Përmbajtja e Kur’anit, Burimet e Kur’anit, Kur’ani dhe religjioni hebrej dhe i krishter, Kur’ani dhe Hadithi, Recenzimi i Kur’anit, Gjuha e Kur’anit, Ndarja e Kur’anit, Stili i Kur’anit dhe Përkthimet e Kur’anit në gjuhët e Evropës. Njëra ndër karakteristikat kryesore të Kur’anit, sipas Kaleshit, është pamundësia e imitimit të tij, si për nga domethënia ashtu edhe për nga stili. “Në Kur’an, shkruan autori, në tri vende u është bërë thirrje (nxitje) armiqve të (profetit) Muhamed. Herën e parë i ka thirrur të shkruajnë një libër të ngjashëm me Kur’anin, pastaj të përpilojnë, të paktën dhjetë sure, dhe në fund të bëjnë vetëm një kaptinë sipas shembullit të Kur’anit…”.

Pjesa e dytë e këtij vëllimi fillon me punimin studimor “Veprat turqisht dhe persisht të Naim Frashërit”, ku autori, hedhë poshtë tezën e shumëpërhapur asaj kohe se, Naim Frashëri pas “Lidhjes së Prizrenit nuk shkroi më në gjuhë të huaja”, për arsye se, siç vë në dukje Kaleshi, në vitin 1884 botoi përmbledhjen e poezisë në gjuhën persinane “Tehayyaülat” (Ëndërrime). Prandaj, sipas tij, një studim i kompletuar i Naimit mund të bëhet vetëm atëherë kur të “analizohen të gjitha veprat e tij, pa marrë parasysh se në cilën gjuhë janë shkruar”, kjo për arsye se “mendimet e shprehura të Naimit, edhe në gjuhën turke apo persiane, janë pjesë përbërëse e personalitetit të tij…”.

Punimi i radhës ka një vlerë të jashtëzakonshëm për historiografinë shqiptare, për arsye se autori, përmes punës së tij shumëvjeçare hulumtuese-kërkimore në Arkivin e Stambollit dhe nëpër bibliotekat e atij qyteti e të Ankarasë, nxjerr në dritë një pjesë shumë të madhe të veprimtarisë studimore të kolosit të madh të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Sami Frashërit. Mirëpo, tërë kjo punë e madhe, sipas Hasan Kaleshit, ishte e pamjaftueshme për hartimin e një monografie të denjë kushtuar këtij personaliteti të madh shqiptar, sepse siç shprehet autori: “…Samiu ka qenë aq i madh, ka prodhuar vepra aq kolosale, ka prodhuar aq shumë sa do të kalojë edhe shumë kohë, do të na nevojiten edhe më tepër hulumtime, dhe prap nuk do ta njohim hollësisht madhështinë e tij.. Kështu,shprhet më tej autori, sado që edhe vetë jam marrë me këtë çështje duke punuar shumë kohë për t’i grumbulluar veprat e Samiut dhe çka është shkruar për të, ndonëse i kam shkruar edhe disa punime rreth çështjeve të shtruara, nuk ja kam dalë dot në krye t’i hyj hartimit të një monografie mbi Samiun, sepse vazhdimisht kamë parë se akoma diçka po mungonte, gjithmonë më është dukur sikur ka edhe diçka të rëndësishme që më thërret ta zbuloj, se ka akoma burime që nuk i kam parë…”.

Vlerësim të ngjashëm sikurse për Sami Frashërin, Kaleshi ka edhe për Faik Konicën, për të cilin thekson se “nuk ka tjetër personalitet nga historia e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe nga letërsia shqipe për të cilin të jenë thënë aq lëvdata nga një anë, dhe aq mendime negative nga ana tjetër”. Shkaqet kryesore, sipas tij qëndrojnë në atë se mendimet e historiografisë shqiptare mbështeten tek “autoritetet e caktuara” e jo në gjurmimet e vërteta shkencore, në studimin e materialeve arkivale, në analizën e kushteve objektive politike, në realitetin politik, ekonomik, kulturor të asaj kohe, në shqyrtimin e kushteve subjektive në të cilën ka jetuar ky apo ai. Gjithnjë sipas tij, nëse ka njeri, i cili do ta meritonte një monografi të plotë, padyshim se ai do të ishte Faik Konica.

Në vëllimin e dytë janë përzgjedhur gjithsej katër punime studimore: Roli i shqiptarëve në letërsinë orientale; Revidimi i Kanunit të Lekë Dukagjinit dhe heqja e autonomisë fiseve shqiptare në shekullin XIX; Ndikimet orientale në tregimet popullore shqiptare dhe në letërsinë shqipe dhe Kosova n’udhëpërshkrimin e Evlija Çelebiut. Rëndësi të veçantë për studiuesit e ri shqiptar, ka studimi “Roli i shqiptarëve në letërsinë orientale”, ku autori falë punës së tij të palodhshme hulumtuese-kërkimore, ka arritur të zbardh dhjetëra shkrimtarë e poetë me origjinë shqiptare të cilët kanë shkruar në gjuhën osmane, arabe e persiane. Në pjesën hyrëse të këtij studimi, autori i bënë një kritikë shumë të qëndrueshme historiografisë shqiptare, e cila deri atëherë as që kishte “bërë përpjekje më serioze” që ata shkrimtarë dhe poetë shqiptarë, së paku të evidentoheshin, ndërkohë, siç vë në dukje Kaleshi, një kapitull i veçantë “u është kushtuar humanistëve shqiptarë, sado që edhe ata nuk kanë shkruar në gjuhën shqipe, por latine apo italiane”. Për shkaqe praktike, Hasan Kaleshi, studimin e ndanë në shtatë kapituj: I Poezia; II Poezia e teqeve; III Historiografia; IV Disciplina shkencore; V. Gramatologjia dhe leksikografia; VI. Publicistika, dhe; VII. Letërsia e Memoareve.

Në kapitullin e parë, Prof. Dr. Hasan Kaleshi, numëron disa poetë me origjinë shqiptare të cilët kanë shkruar në gjuhën osmane si: Jahja Dukagjini, Mudi Tetovasi, Vasif Osman Enderuni, Musa Qazim Pasha, Xhelaludin Efendiu, Rauf Leskoviku, Salih Rashid Pasha, Qamil Tepelena, Naim Frashëri, i cili siç thekson autori, në vitin 1884 botoi një përmbledhje vjershash në gjuhën persiane me titull “Tehayyaülat” (Ëndërrime), Riza Teufiki me origjinë nga Dibra etj. . Theks të veçantë në këtë kapitull, autori i kushton poetit të madh turk me origjinë shqiptare, Mehmet Aqifi nga Peja. Pa marrë parasysh se Mehmet Aqifi kishte lindur, rritur dhe shkolluar në Stamboll, ai, siç thekson profesor Kaleshi, kurrë nuk e kishte haruar origjinën e tij kombëtare, duke u shprehur publikisht: “Dëgjonie këtu nga unë, po, unë jam shqiptar”. Autoriteti i Mehmet Aqifit erdhi në shprehje, veçanërisht pasi e shkroi vjershën “Marshi i pavarësisë” e cila më pas “është bërë himni kombëtar turk”.

Me përhapjen e tarikateve të ndryshme në Perandorinë Osmane doli në sipërfaqe poezia sufiste, ku siç vë në dukje autori, u shquan edhe një numër bukur i madh i poetëve me origjinë shqiptare si: Ahmet bej Dukagjini, Dervish Summan, Sersem Ali Dedeja nga Tetova (përndryshe themelues i teqes Arabati Baba në Tetovë), Axhize Baba, Muharrem Mahzumi, Adem Vexhhi Babai, Baba Selimi, Baba Hamzai, Baba Abedin Leskoviku, Salih Nijazi Dedeja etj.

Risi të veçantë në këtë studim paraqet kapitulli i III, ku Hasan Kaleshi, ofron të dhëna burimore për rolin dhe kontributin e madh të historianëve shqiptarë gjatë kohës së Perandorisë Osmane. Ndër historianët më të shquar ai e veçon, Lutfi Pashën, i cili ka jetuar dhe vepruar në kohën e sulltan Sulejmanit, pastaj Koçi Beun, Fazli Ahmed Pashë Qypriliun, Myfid Libohovën, Syreja bej Vlorën, Mehmet Ali Agarajn, Hasan Sabri Dukagjinzade etj. Edhe në kapitullin IV, ofrohen figura të shumta shqiptare të cilët shquheshin, në radhë të parë, në komentimin e Kur’anit, traditën islame, të drejtën e sherijatit, në fushën e shëndetësisë etj. Në mesin e tyre duhet veçuar: Sulejman Fehmi Delvinën, Hoxha Tahsinin, Sami Frashërin, mjekun Ibrahim Lutfi Pashën etj. Në mesin e gramatologëve dhe leksikolografëve shqiptarë, Hasan Kaleshi i veçon: Abedin Pashë Dino -Preveza, Naim Frashërin, Abdylaqim Doganin, Sami Frashërin dhe Riza Teufik Dibrën. Emra dhe figura të shquara të rilindjes kombëtare përfshihen edhe në kapitullin VI, si Ismail bej Qemali, Sami Frashëri, Dr. Ibrahim Temo, Dervish Hima etj.. Ndërkohë, në kapitullin e fundit, autori hedhë dritë mbi memoaret e Dr. Ibrahim Temos, Syrija bej Vlorës, Xhelaledin pashë Vlorës dhe Nijazi Resnjës. Ky i fundit, siç thekson Kaleshi, përkundër faktit se në memoaret e veta askund nuk përmend se është shqiptar, por paraqitet si osmanli, të gjitha burimet osmane atë “e marrin për shqiptar”. Dëshmi më e fuqishme për Kaleshin, ishte Shefqet Syreja Ajdemiri, i cili në një shkrim të tij kushtuar, thotë shprehimisht: “Ja, ky Nijazi bej Resna është një osmanli idealist me rrënjë dhe me plot kuptimin e fjalës. Sepse, pikësëpari, ai nuk është turk, ai është shqiptar. Mirëpo, ai nuk e numëronte vehten shqiptar, por osmalli”.

Kur jemi te ky vëllim, do të ndalem vetëm edhe te studimi “Kosova n’udhëpërshkrimin e Evlija Çelebiut”, udhëpërshkruesit më të njohur osman, i cili ka jetuar dhe vepruar në shekullin XVII. Në këtë punim, autori përcjell informatat e Çelebiut për vendet e ndryshme të Kosovës si: Kalaja e sipërme e Mitrovicës, Kasaba e Vushtrrisë, Kalaja e Prishtinës, Kaçanikut, Kasaba e Gjakovës dhe e Novo Bërdos.

Vëllimi, përkatësisht Vepra 3 e kësaj përmbledhjeje është botuar në gjuhën boshnjake. Parathënien, përgatitjen dhe përzgjedhjen e punimeve e ka bërë ish bashkëpunëtori i tij, në Degën e Orientalistikës në Prishtinë, Esad Durakoviq, i cili tash jeton dhe vepron në Sarajevë. Ja se si ai e përshkruan pertsonalitetin e Hasan Kaleshit: “…Ai shqiptari i madh nga Kërçova,…, është detyruar ta lëshoj vendin e punës në Fakultetin Filologjik në Beograd për shkak presionit të madh të Fehim Bajraktareviqit dhe turkologut Slavoljub Xhinxhiq, njëlloj sikurse edhe unë – për shkak terrorit të një forme tjetër – isha i detyruar që 15 vjet e gjysmë të kaloja si i “huaj” nga Sarajeva kah Prishtina ku Hasan Kaleshi mi hapi gjerësisht dyert magjike të shkencës…Përndryshe Hasani ka specializuar në turkologji në Universitetin e Hamburgut, ai me padurim e ndoqi letërsinë gjermane dhe ka shkruar në gjuhën gjermane. Përveç kësaj ai ka shkruar dhe lexuar (krahas gjuhës amtare shqipe) në arabisht, turqisht, anglisht, frengjisht, serbisht, maqedonisht. Marrë në përgjithësi ai kishte një arsim të jashtëzakonshëm. Hasan Kaleshi ishte shkenctarë të formatit të Rilindjes në epokën moderne…”.

Vepra është e ndarë në dy pjesë kryesore: I. Punime shkencore dhe; II. Përkthime të poezive bashkëkohore arabe dhe turke. Në pjesën e parë janë përfshi këto punime studimore të Prof. Dr. Hasan Kaleshit: Kur’ani – Kryevepër e letërsisë arabe; Letërsia almamiade shqiptare; Historia moderne arabe dhe Mahmud Tejmuri; Jakup Kadri Karaosmanoglu, “I huaji”; Kur kisha e Shën Virgjëreshës së Leviskës u shndërrua në xhami”; Kukli bej Prizreni dhe vakëfet e tij; Vakëfnameja më e vjetër në Jugosllavi; Një vakëfname arabe nga Ohri nga viti 1491. Siç u tha më sipër, në pjesën e dytë të veprës, janë dhënë poezitë bashkëkohore arabe e turke, të përkthyera në gjuhën boshnjake nga Profesor Hasan Kaleshi.

Pa mos e zgjatur më shumë, dëshiroj të theksoj se kjo përmbledhje e punimeve studimore të Prof. Dr. Hasan Kaleshit, që neve këtyre ditëve na u ofrue, pasqyron objektivitetin historik të ngjarjeve me rëndësi të madhe për kombin shqiptar në përgjithësi, e për pjesën e tij të ngelur padrejtësisht jashtë Shqipërisë politike në veçanti. Përveç kësaj, me daljen në dritë të kësaj vepre madhështore, jam thellësisht i bindur se do të bien poshtë të gjitha ato shpifje e trillime që kanë qarkulluar deri më sot kundër tij, me çka vepra shkencore e Prof. Dr. Hasan Kaleshit do ta zë vendin e merituar në historiografinë tonë kombëtare. Për këtë, më meritorët janë ish bashkëpunëtorët e tij: Prof. Dr. Feti Mehdiu, Prof. Dr. Muhamed Mufaku dhe Prof. Dr. Esad Durakoviq, të cilët arritën t’i grumbullojnë dhe sistemojnë të gjitha punimet e Hasan Kaleshit të botuara në harkun kohor 1949-1976 nëpër revistat shkencore, shtypin ditor dhe periodikun në hapësirat e ish Jugosllavisë dhe në vendet e ndryshme të botës.

Krejt në fund e pash të arsyeshme t’i referohem studiuesit të madh gjerman, Peter Bartel, i cili duke e përshkruar personalitetin e Hasan Kaleshit shprehet: “Kaleshi mbrojti tezën…provokuese, se turqit i shpëtuan shqiptarët nga sllavizimi. Teza e Kaloshit ishte formulim rigoroz, ngjallte polemikë ndaj mendimit të pashmangshëm që mbretëronte në Institutin për Evropën Juglindore për studimin turk, Kaloshi ishte një patriot i madh, më shumë se sa mundë të kuptonin të tjerët”. (koha.mk)

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 4 Gusht, 2022 22:48