Hendek midis ofertës dhe kërkesës

Desk
By Desk November 19, 2020 22:17

Hendek midis ofertës dhe kërkesës

Raporti i fundit i Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim thekson se sistemi arsimor nuk po përshtatet mjaftueshëm me kërkesat e tregut të punës.

Raporti i fundit i Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim thekson se tre prioritetet kryesore ndaj të cilave duhet të orientohet Maqedonia në vitin 2021. Arsimi, investimet publike dhe stabiliteti financiar i shtetit përfshihen në raportin e tranzicionit 2020-2021, ndërsa vlerësohet se rritja e nivelit dhe cilësisë së investimeve publike është thelbësore për rritjen e produktivitetit dhe konvergjencës ekonomike apo afrimit ndaj standardit të BE-së. Raporti i fundit i Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim thekson gjithashtu se sistemi arsimor nuk po përshtatet mjaftueshëm me kërkesat e tregut të punës. Për vite me radhë, analizat e ndryshme të institucioneve të rëndësishme financiare ndërkombëtare udhëzojnë që shteti ti kushtojë një vëmendje më të madhe cilësisë së arsimit.

Edhe BERZH-i së fundmi rithekson nevojën e një cilësie më të mirë të arsimit për të zvogëluar mungesën e harmonizimit të aftësive që ofrohen dhe kërkohen në tregun e punës. Niveli i vazhdueshëm dhe i lartë i papunësisë te të rinjtë tregon se sistemi arsimor nuk e bën këtë dhe nuk plotëson nevojat e bizneseve. Në rast se përforcohen reformat e vazhdueshme në arsim, ato mund të ndihmojnë në përmirësimin e situatës. Gjithashtu, akoma ekzistojnë boshllëqe në produktivitetin dhe infrastrukturën e sektorit privat, boshllëqe që mund të ngushtohen përmes investimeve më të larta publike në transport, energji, arsim dhe infrastrukturë të qëndrueshme mjedisore (për shembull, trajtimi i ujit dhe ujërave të ndotura,dhe menaxhimi i mbetjeve të ngurta). Kjo kërkon edhe një planifikim dhe realizim më të mirë.

Njëherësh, qëndrueshmëria fiskale apo stabilizimi i borxhit publik duhet të ketë përparësi pas skadimit të masave afatshkurtra qeveritare. Qeveria duhet të krijojë rezerva fiskale, të rrisë efikasitetin e mbledhjes së taksave dhe të realizojë shpenzimet kapitale në kohën e duhur. Një kornizë e përmirësuar e qeverisjes fiskale do të mbështeste fuqishëm qëndrueshmërinë e borxhit.

Nga ana tjetër, raporti vlerëson se pas recesionit në vitin 2020, një rikuperim pritet në vitin 2021. Bruto Prodhimi i Brendshëm parashikohet të bie me 5 për qind në vitin 2020, ndërsa në vitin 2021 – pritet një rritje ekonomike prej 3 për qind. Sidoqoftë, rreziqet për parashikimin anojnë teposhtë dhe çdo rikuperim do të jetë shumë më i gjatë në rast se vazhdon pandemia, si në Maqedoninë e Veriut, ashtu tek partnerët e saj kryesorë tregtarë.

Raporti analizon edhe reformat në administratë dhe gjyqësor. Konstatohet përparim në zbatimin e Ligjit për mbikëqyrjen e inspektimit ka përparuar. Ligji i miratuar në muajin maj të viti 2019 synon të përmirësojë procedurën e inspektimit dhe ta bëjë atë më miqësore për biznesin, duke përfshirë paralajmërimet për shkeljet më të vogla, dhe sigurimin e grejs periudhës apo kohës për përshtatje për veprimet korrigjuese. Ligji hyri në fuqi në fund të vitit 2019 dhe ndërkohë Këshilli i Inspektimit ka mbikëqyrur plotësimin e listave të kontrollimit dhe metodologjitë e inspektimit të bazuara në rrezikun për secilin Inspektorat. Kjo do të krijojë kushtet për inspektime më transparente dhe më pak ndërhyrëse për bizneset e ligjshme. Zbatimi i plotë i ligjit, përfshirë rregullat e duhura procedurale, mund të rrisë në mënyrë të konsiderueshme cilësinë e ambientit të biznesit, konstaton raporti. (koha.mk)

Desk
By Desk November 19, 2020 22:17