Hidrocentralet e vogla: Në kurriz të qytetarëve, pronarët përfitojnë miliona

Desk
By Desk January 11, 2020 21:45

Hidrocentralet e vogla: Në kurriz të qytetarëve, pronarët përfitojnë miliona

Të dhënat deri te të cilat ka ardhur REL, tregojnë se hidrocentralet e vogla, të cilat janë subvencionuar me 15 milionë euro nga shteti, kanë arritur t’i përmbushin kërkesat e qytetarëve me vetëm 2.6 për qind të energjisë elektrike.

Përfitimi i madh që vjelin pronarët e hidrocentraleve të vogla, ka ngritur dilemën se sa janë të leverdishme, përkatësisht fitimprurëse, subvencionet që shteti ua jep hidrocentraleve të vogla për prodhimin e energjisë elektrike. Pronarët e hidrocentraleve të vogla përfitojnë miliona euro, edhe pse prodhojnë sasi modeste të energjisë elektrike, ndërkohë që në masë të konsiderueshme dëmtojnë mjedisin jetësor. Këto projekte (subvencionimi i hidrocentraleve të vogla), financohen nga faturat e energjisë elektrike që paguajnë qytetarët në formën e tarifave të furnizimit. Në bazë të Ligjit për energjetikë, 6 për qind e parave që paguajnë qytetarët, përdoren për subvencionimin e burimeve të rinovueshme të energjisë. Sipas të dhënave që disponon Radio Evropa e Lirë, janë rreth 30 firma që mbajnë tregun e hidrocentraleve të vogla, të cilat sigurojnë përfitime të majme. Kompania, e cila është në pronësi të ish-zëvendëskryeministrit për çështje ekonomike, Koço Angjushev (i larguar nga kjo pozitë gjatë kësaj jave, me formimin e Qeverisë teknike, para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që duhet të mbahen në prill), dhe vëllait të tij, Todor Angjushev, ka siguruar 3.5 milionë euro subvencione gjatë vitit 2018, tregojnë të dhënat e korporatës energjetike “MEPSO”, që i ka siguruar Radio Evropa e Lirë.

Kompanitë e ish-zëvendëskryeministrit Angjushev, janë ato që përbëjnë një të tretën e tregut të hidrocentraleve të vogla, duke siguruar përfitim prej miliona eurove në vit nga tarifat e subvencioneve për dhjetëra hidrocentrale të vogla në pronësi të kompanive të tij, si dhe prodhimin dizajnimin dhe mirëmbajtjen e turbinave për hidrocentralet e vogla. Shumicën e subvencioneve nga arka e shtetit i ka thithur kompania “Feroinvest”, e cila zotëron në pronësi gjithsej 22 termocentrale, që përbën gati një të tretën e numrit të përgjithshëm të hidrocentraleve të vogla në vend. Më shumë se 4.3 milionë euro do të arrijë vlera, të cilën do ta sigurojë korporata e hidrocentraleve të vogla “Feroinvest” nga tarifat e rimbursimit, nëse llogaritet dhe sasia e energjisë që ato akoma duhet të gjenerojnë nga tri hidrocentralet e vogla plotësuese të reja “Topolki” nga kjo kompani, me paratë që sigurohen përmes pagesës së faturave që paguajnë qytetarët për energjinë elektrike. Ndërkohë, organizatat që në fokus kanë mbrojtjen e ambientit, disa herë kanë theksuar se ish-zëvendëskryeministri Koço Angjushev, Ligjin për energjetikë e ka harmonizuar në mënyrë që të përfitojnë hidrocentralet e vogla, përkatësisht kompanitë e tij që merren me hidrocentralet e vogla. Organizatat joqeveritare për mbrojtjen e mjedisit, të cilat për disa vjet monitorojnë ndërtimin e hidrocentraleve të vogla, thonë se ligji është në funksion të sigurimit të përfitimeve për kompanitë e hidrocentraleve të vogla, duke mos kontribuar mjaftueshëm në prodhimin e energjisë.

Davor Pehçevski nga Qendra për Kërkim dhe Informim “Eko-SVEST” thotë se korporata “Feroinvest” nuk siguron përfitime vetëm nga gjenerimi i energjisë elektrike, por siguron përfitim edhe nga përfshirja në shumë aspekte në biznesin me hidrocentralet e vogla. “Kjo do të thotë që edhe nëse aktualisht nuk marrin koncesione për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla, ato prapë mund të përfitojnë nga ndërtimi i hidrocentraleve të reja përmes pjesëmarrjes në projektim, mirëmbajtje dhe ndërtim të hidrocentraleve të tjera të reja”, sqaron Pehçevski. Ndaj akuzave të sektorit civil, kabineti i ish-zëvendëskryeministrit për çështje ekonomike, Angjushev, Radios Evropa e Lirë i ka thënë se “bëhet fjalë për qëndrime tendencioze dhe jo serioze”, duke shtuar se ligji është hartuar me përfshirjen e të gjitha palëve duke konsultuar madje dhe sektorin civil me atë që vendi “është lider sa u përket reformave në sistemin e energjetikës”.

“Ligji i Energjisë është plotësisht në përputhje me Paketën e Tretë të Energjisë së Bashkimit Evropian, dhe duhej të ishte miratuar deri më 2015. Ligji është hartuar tërësisht nga ekipi i ekspertëve përmes ndihmës financiare dhe teknike nga ana e USAID-it në përputhje me konsultimet me Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë me bazë në Vjenë”, kanë theksuar nga zyra e Koço Angjushevit , zëvendëskryeministër për çështje ekonomike, i cili është larguar këtë javë nga kjo pozitë, me formimin e Qeverisë teknike para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që duhet të mbahen në prill. Edhe ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, thotë se nuk pajtohet se Ligji favorizon hidrocentralet e vogla, duke u siguruar atyre përfitime milionëshe. “Nuk do ta thosha këtë. Ne kemi bërë reforma të mëdha në sektorin e energjetikës”, ka theksuar Bekteshi. Nga kabineti i ish-zëvendëskryeministrit për çështje ekonomike, Angjushev, janë arsyetuar se “ndryshimet ligjore në energjetikë, në fokus kanë mbrojtjen e qytetarëve nga kostoja e lartë e energjisë elektrike”. Por, nga rrjeti i organizatave ekologjike dhe për mbrojtjen të drejtave të njeriut “Benkvoç”, kanë theksuar se një nga shtytësit më të mëdhenj të të ashtuquajturit “të bumit destruktiv” të hidrocentraleve të vogla në Ballkanin Perëndimor, është ndihmesa financiare përmes subvencioneve. “Gjatë vitit 2018 hidrocentralet e vogla kanë shfrytëzuar 70 për qind nga mjetet e siguruara për energji të ripërtërishme në Ballkanin Perëndimore. Megjithatë, kontributi nga elektranat e vogla sa i përket energjisë elektrike, është shumë modest: gjatë 2018-s vetëm 3.6 për qind e energjisë elektrike është siguruar në hidrocentralet e vogla që prodhojnë energji elektrike nën 10 megavat në orë”, theksohet në raportin e organizatave ekologjike “Benkvoç”. (rel)

Desk
By Desk January 11, 2020 21:45