Historia e jashtëzakonshme e një krahine

Historia e jashtëzakonshme e një krahine

Burgajeti, vendlindja e Ahmet Zogut dhe Lisi, fshati ngjitur nga ku erdhi Beqir Valteri, atentatori i tij në vitin 1924, përbëjnë pjesën e fundit të shtruar të rrugës që më pas të hedh gojëdhënave të Kastriotëve në këto anë.

Historia dhe legjendat e Kastriotëve kanë lënë gjurmë në shumë zona. Disa prej tyre njihen, të tjera jo mjaftueshëm. Pak dite pas 611-vjetorit të lindjes së Heroit Kombëtar, shumë të tilla duan të tregojnë lidhjen shekullore që sot fle e braktisur apo e pavlerësuar siç duhet në tranzicionin e gjatë shqiptarë.

Jo larg Vigut, dikur lagje e fshatit Shelli derisa u bë një qendër e vogël më vete, ngrihet qyteza e Varoshit, apo Kalaja e Stelushit siç njihet ndryshe kjo qendër e dikurshme e Kastriotëve, që zotëronte një nga rrugët më të rëndësishme lidhëse mes Dibrës dhe Matit.

“Mendohet se është qyteti i parë që zotëruan Kastriotët në Mat pasi dolën nga Shtjefni, aty ku kishin trojet e veta dhe këtu është qyteti i parë që e dominoi Gjon Kastrioti, duke e shtrirë më pas edhe në Petralë e më gjerë”, thotë studiuesi Artur Kurti.

Sigurisht sot dëmtimet janë të mëdha, aq sa në vende të caktuara është jo pak e vështirë të dallosh edhe rrënojat. Duket se ato nuk janë vetëm mesjetare. Gurët e përmasave edhe më të mëdha flasin për një vazhdimësi që nga një periudhë edhe më e hershme.

“Këtu janë vendosur eksplozivë për të shpërthyer këta gurë dhe për të parë nën këto rrënoja se mos ka florinj dhe thesare. Nuk është bërë asnjë mirëmbajtje”, shton studiuese Kurti.

Në krye ngrihet Kepi i Skënderbeut, siç njihet në popull. Ballë tij edhe Kepi i Kuq, nga ku sipas gojëdhanave erdhën osmanët pasi Hamza Kastrioti u tregoi shtigjet. I rrethuar Skënderbeu i legjendës fluturoi me kalin e tij në krahun tjetër duke shpëtuar. Këtu ka shumë gojëdhëna të tilla që janë mbartur brez pas brezi, ashtu siç e pasur është edhe toponimia që lidhet me këtë qendër të banuar që ngrihet…

Por këto nuk janë elementët e vetëm, që sipas banorëve lidhen me Kastriotët. Rrugës për në Macukull ndodhet edhe memoriali i Kishës së Shën Trinisë, ku në nëntor të vitit 1462 Pal Engjëlli, kryepeshkop i Durrësit, por i njohur edhe si këshilltar i Gjergj Kastriotit, shkruajti formulën e pagëzimit.

Macukulli, që lidhet nga një rrugë e tenderuar disa herë, por edhe po aq herë e parealizuar është fshati më i madh i zonës me rreth 1 mijë banorë nga mbi 4 mijë që ka patur dikur.

Për nga pozicioni dhe ajo që ofron do të duhet të ishte një zonë turistike, por është pikërisht infrastruktura e rrënuar që sot e mban në izolim. Këtu bashkohen edhe dy trungje që kanë nxjerrë dy figura kaq diametralisht të ndara në politikë. Disa qindra metra nga njëri-tjetri kanë lindur ish-kreu i Partisë Komuniste në post diktaturë, Hysni Milloshi dhe kreu i ish të përndjekurve politikë, Kurt Kola. Pjesëtare të këtyre fiseve jetojnë ende në fshat.

Skënderbeu, siç tregojnë banorët ka kaluar edhe këtu, duke u ndalur në një nga kullat më të vjetra të fshatit, siç konsiderohet ajo e Gjiçëve, para se të shkonte për në zonat fqinje. Macukulli ka histori të shumta në përballjet me serbët të cilët e kanë sulmuar disa herë. E ato nuk përfundojnë këtu, sepse në Qafën e Shën Kollit ngrihet sipas tyre edhe kisha ku është organizuar Kuvendi i Madh i Dukagjinit nga 15 dhjetori 1601 në 15 shkurt 1602, ku kanë marrë pjesë mëse 2656 delegatë të krahinave të ndryshme. Përsa kohë lidhja do të qëndronte, nën shembullin që kish dhënë Skënderbeu në 25 vitet e tij, ushtritë shqiptare do të përballonin osmanët deri sa tradhtitë dhe ushtritë e shumta do ta shtypnin me dhunë. Themelet e Kishave, sepse janë disa, por edhe varreve të vjetra dallohen edhe sot.

Historia është pjesë e pandarë e të gjithë kësaj zone, ashtu si lidhja me Kastriotët, që sipas tyre nuk përfundon këtu.

Shtjefni është fshati më i lidhur me familjen fisnike shqiptare. Banorët mendojnë se janë pasues të Kastriotëve e kjo për shkak edhe të regjistrave osmanë të viteve 1431 dhe 1467 ku në këtë fshat përmendet fisniku Mark Kastrioti. Të dhëna të shumta kanë sjellë studiuesit e njohur Dilaver Kurti, Ferit Këputa e të tjerë, që flasin për lidhjen e tyre.

“Këtu, gjysma e fshatit është Kastriot, gjysma tjetër janë fise të ndryshme”, Ali Cerra, banor.

Pikërisht në këtë vend që banorët e identifikojnë si pjesë e trojeve të vjetra, sipas tyre gjendet edhe varri i nënës së Skenderbeut, Vojsavës, ashtu siç edhe i shumë Kastriotëve të tjerë. Diku në qendër ndodhet edhe varri i Gjokës, një vend i mirë e që lidhet edhe ky me Heroin Kombëtar.

“Nga të vjetrit fare, të vjetrit thonë që këtu është varrosur Vojsava”, thotë një banor i zonës.

Për Kastriotët dhe origjinën e tyre ka disa teza, të gjitha të mbështetura në historianë, kronikanë të kohës, autorë të ndryshëm. Një vend të rëndësishëm zë ajo e Sinjës në Dibër, për të cilën shkruan edhe Gjon Muzaka, Fan Noli, Kristo Frasheri etj. E po kështu ka edhe teza të tjera si ajo e Hasit të Mirditës e me radhe, kjo sepse në periudhën e tyre Kastriotët kanë lënë gjurmë kudo. Kalatë janë të shumta, siç janë po aq të shumte edhe toponimet që lidhen me familjen në tërësi, apo me anëtare të saj. Por përtej këtij elementi, që duhet të ndahet nga ekspertët e fushës me shumë rëndësi ka ajo që ka mbetur pas, e fakti sesa shumë ne e respektojmë dhe vlerësojmë këtë figurë të jashtëzakonshme të historisë së Shqipërisë.

Tre ditë më parë Skënderbeu pati 611-vjetorin e lindjes së tij, por sërish asgjë nuk doli nga kornizat e zakonshme të një përvjetori që erdhi dhe iku si gjithmonë. E pavarësisht kësaj, edhe sot, shekuj më pas ai është sërish i aftë të habisë me atë që ka lënë pas.

 

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Maj 9, 2016 22:35

REKLAMA