Historiku i Agjërimit

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 1 Prill, 2022 13:01

Historiku i Agjërimit

Çdo fe u ka sjellë ndjekësve të saj një sërë urdhëresash dhe ndalesash duke i bërë përgjegjës për respektimin e tyre. Kjo përgjegjësi ekziston pak a shumë në të gjitha fetë, qofshin të vërteta apo besëtytni. Personi që përfaqëson një fe dhe mendim, e tregon besnikërinë ndaj saj vetëm me këto veprime, pra duke i zbatuar urdhrat dhe duke iu shmangur akteve dhe veprimeve të ndaluara.

Fjala agjërim në kuptimin etimologjik, do të thotë të ndalosh veten nga çdo gjë, ushqimi, pija etj. Si njëri prej adhurimeve, fenomeni i agjërimit është shumë i hershëm, i cili ka ekzistuar me disa ndryshime në të gjitha periudhat e historisë. Ndërkaq, këto ndryshme kanë ndodhur në disa çështje lidhur me hollësitë e agjërimit. Mund të thuhet se pothuaj në të gjitha fetë e shkuara ka pasur agjërim ose një adhurim të ngjashëm me agjërimin, pavarësisht nga forma, koha, synimi dhe përbërja. Ai është i njohur në të gjitha fetë e shpallura, madje dhe në paganizëm. Ka të dhëna se keltët, meksikanët e vjetër, peruanët dhe asurianët i kanë dhënë rëndësi agjërimit. Ai ishte i njohur dhe aplikohej edhe tek egjiptianët e lashtë e pastaj është bartur edhe tek grekët e vjetër. Këtë e praktikuan edhe babilonasit, kinezët e popuj të tjerë.

Edhe tek ithtarët e feve hyjnore ”Ehlul Kitab“ (Judaizmi dhe Krishtërimi), agjërimi njihej dhe praktikohej. Sipas një transmetimi, kur profeti Musa ndodhej në Egjipt, Allahu u premtoi bijve të Izraelit se, po ta shkatërronin armikun, do t’u dërgonte një libër. Pas shkatërrimit të faraonit, profeti Musa iu lut Allahut t’ua dërgonte librin e premtuar. Allahu e urdhëroi profetin Musa të agjëronte 30 ditë (të muajit Dhulkade) dhe pastaj edhe 10 ditë të tjera (të muajit Dhulhixhe), duke plotësuar kështu 40 ditë agjërim. Tridhjetë ditët qenë ditë agjërimi, kurse dhjetë ditët e tjera, ditët e afërsisë dhe pëlqimit dhe në fund zbritja e Teuratit dhe biseda mes Zotit dhe profetit Musa. Ndërsa në burimet mbi agjërimet e krishterëve hasim në veçorinë se para profetësisë, Hz. Isai mbante dyzet ditë agjërim. Veç kësaj, sipas një pikëpamjeje të parapëlqyer, mbante edhe agjërimin e shëlbesës që ishte detyrim tek hebrenjtë. Profeti Isa nuk ka vënë konkluzione të veçanta mbi agjërimin.

Argumenti më i madh për ekzistencën e agjërimit edhe para Islamit është ajeti 183 i sures Bekare ku thuhet: “O ju që besuat! Agjërimi ju është bërë obligim sikurse ishte obligim edhe për ata që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm”. Siç kuptohet edhe nga ajeti, agjërimi njihej tek popujt dhe gjeneratat e hershme, të cilët në shenjë respekti ndaj Zotit, agjëronin ditë të caktuara ose i ndalonin vetes disa ushqime. Edhe pse rendi i agjërimit ka ndryshuar, të gjithë e kanë njohur si formë adhurimi. Lashtësia e kësaj dispozite flet për rëndësinë e saj dhe për vet faktin se në shpirtin e njeriut përherë është ushqyer ndjenja për adhurimin e Allahut në forma të ndryshme.

Islami si fe e drejtë dhe e vërtetë, i ka urdhëruar përfaqësuesit e vet të kryejnë disa adhurime duke vënë si kusht të qenit mysliman. Si shumë konkluzione e urdhra, edhe agjërimi është bërë detyrim (farz) jo në vitet e para të Islamit, por në periudhën e Medines. Si datë, agjërimi në Ramazan është bërë obligim në muajin Shaban të vitit të dytë të hixhretit, një muaj pasi kibla u kthye kah Qabja.

Ndërsa në kuptimin terminologjik të Islamit, fjala agjërim do të thotë ndërprerje e ngrënies, pirjes dhe marrëdhënieve seksuale nga agimi deri në perëndim të diellit me një synim të caktuar dhe në mënyrë të vetëdijshme. Agjërimi në fenë Islame dhe aplikimi i tij në praktikë, mbi të gjitha është një adhurim që bëhet vetëm për hir të Zotit, e cila kupton nënshtrimin ndaj Allahut  dhe respektimin e ligjeve të Tij.

Shkëputur nga libri “Ditët dhe netët e mira në Islam”

Këshilli botues, KMSH

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 1 Prill, 2022 13:01

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare