Hojt Ji: Nëse Bajden zgjidhet president do të mbështesë integrimin e RMV në BE

Desk
By Desk November 3, 2020 14:03

Hojt Ji: Nëse Bajden zgjidhet president do të mbështesë integrimin e RMV në BE

Nëse Xho Bajden zgjidhet president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), ai do të mbështesë integrimin e Maqedonisë të Veriut në Bashkimin Evropian, deklaroi ish-zëvendësndihmës sekretari amerikan i shtetit, Hojt Ji, i cili tani është pjesë e Shtabit zgjedhor të kandidatit demokratë për president.

“Besoj fort se Bajdeni do të avokojë për integrimin e Maqedonisë të Veriut në BE. Ky sigurisht është vendim që duhet të merret nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja nuk mund të imponojnë vullnetin e saj, por ne besojmë se ndajmë të njëjtat synime me shumicën e vendeve evropiane. Ne duam ta shohim Maqedoninë e Veriut të integruar në institucionet evropiane. Pres që Bullgaria dhe pjesa tjetër e BE-së të gjejnë një mënyrë për të kapërcyer problemet në mënyrë që Maqedonia e Veriut të fillojë negociatat sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Ji për “Zërin e Amerikës”.

Sipas tij, nëse Bajden fiton zgjedhjet presidenciale të SHBA-së administrata e tij do t’i kërkojë elitës politike në Maqedoninë e Veriut të luftojë korrupsionin, sepse, siç thotë ai, “Shkupit i duhet ende rrugë e gjatë për të bërë për të përmbushur standardet për anëtarësim në BE”.

“Nëse ndiqni Xho Bajdenin në dekadat e kaluara, do ta dini se ai ka qenë gjithmonë i përkushtuar në luftën kundër korrupsionit. Kohët e fundit, gjatë fushatës së tij presidenciale e bëri të qartë se ai e sheh luftën globale kundër korrupsionit si përparësi e SHBA-së”, theksoi Ji, duke shtuar se administrata e mundshme e Bajdenit do të përfshihej në luftën kundër lajmeve të rreme në vend, të cilat sipas tij, janë publikuar me mbështetjen e Rusisë dhe Kinës. 

Desk
By Desk November 3, 2020 14:03