Hovenier: Asociacioni në përputhje me Kushtetutën, s’duhet të ketë autoritet ekzekutiv

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 1 Dhjetor, 2023 00:03

Hovenier: Asociacioni në përputhje me Kushtetutën, s’duhet të ketë autoritet ekzekutiv

Draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe që është pranuar nga kryeministri Albin Kurti në Bruksel, është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Kështu deklaroi Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier.

“Kam pasur rastin të diskutoj disa herë me presidenten Osmani dhe nuk e di… dua të them, ajo mund të flasë për veten e saj, por nuk e di a është e drejtë që pikëpamjet e saj të cilësohen si dyshime e jo siç mendoj unë që i kuptoj shqetësimet e saj se ka mënyra që potencialisht mund të keqinterpretohen se nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Si presidente, natyrisht ajo ka të drejtë të shprehë shqetësimet e saj dhe pasi të jetë miratuar dhe të jetë dërguar në Gjykatën Kushtetuese për rishikim – që duhet të ndodhë, është pjesë e procesit – sa e kuptoj unë, ajo, si presidente e Republikës, e ka mundësinë t’ia ofrojë Gjykatës Kushtetuese pikëpamjet e saj”.

“Unë mund të shpreh vetëm pikëpamjen e qeverisë së Shteteve të Bashkuara: ne besojmë se çfarëdo Asociacioni i komunave me shumicë serbe që themelohet duhet t’i përmbushë një varg të kritereve të ndryshme. I pari: duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e tanishme të Kosovës; që të mos ketë ndryshime kushtetuese. I dyti: duhet të jetë në përputhje me vendimin e mëhershëm të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Nuk duhet të ketë autoritet ekzekutiv. Nuk duhet të jetë nivel tjetër i qeverisjes”.

“Pra, ne – dhe partnerët tanë evropianë – e vlerësojmë që ky draft-statut, i cili i është dorëzuar qeverisë së Kosovës, i përmbush këto kritere. I përmbushë ato; është kufizuar në ato mënyra. Prandaj, jemi të bindur se mund të ecë më tej si i tillë. Edhe diçka, që mendoj se e kam thënë më herët, por mendoj se është e rëndësishme ta përsëris: çështja nëse ky draft-statut është kushtetues apo jo mund të përgjigjet vetëm nga një organ. Sigurisht jo nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës apo kushdo tjetër. Kjo është përgjegjësi e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Për këtë arsye, sipas këndvështrimit tim, është mjaft e rëndësishme dhe urgjente që qeveria të përfundojë procesin e saj, ta miratojë atë dhe ta çojë tutje ashtu që Gjykata të vendosë”, tha Hovenier në T7.

Ai po ashtu, tha se presin nga Kosova dhe Serbia që ta zbatojnë marrëveshjen në mënyrë që të ecet përpara.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 1 Dhjetor, 2023 00:03

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare