Hovenier: Masat e Qeverisë për reciprocitet, plotësisht të koordinuara me ndërkombëtarët

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 2 Gusht, 2022 12:56

Hovenier: Masat e Qeverisë për reciprocitet, plotësisht të koordinuara me ndërkombëtarët

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier ka konfirmuar se vendimet e Qeverisë së Kosovës për reciprocitet me Serbinë për çështjen e targave dhe dokuemntet e hyrje-daljeve ishin “plotësisht të koordinuara me komunitetin ndërkombëtar”.

Hovenier gjithashtu ka thënë se SHBA-ja mirëpret vendimin e liderëve të Kosovës për pezullimin e përkohshëm të këtyre masave të reciprocitetit

“SHBA mirëpret vendimin e liderëve të Kosovës për ta pezulluar përkohësisht zbatimin e masave të reciprocitetit për targat dhe dokumentet për hyrje/dalje, të dyja masat janë plotësisht në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe ishin të koordinuara me komunitetin ndërkombëtar”, ka shkruar ambasadori amerikan në Twitter.

Më 31 korrik, serbët lokalë vendosën kamionë dhe mjete të tjera në rrugët që çojnë në dy pikëkalimet kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Bllokadat u vendosën si kundërpërgjigje ndaj dy vendimeve të Qeverisë së Kosovës, atë për targat dhe dokumentet serbe.

Sipas vendimit të Qeverisë, nga 1 gushti, të gjithë shtetasit e Serbisë, që hyjnë në territorin e Kosovës, do të pajisen me një dokument për hyrje-dalje, që do të jetë i vlefshëm për 90 ditë.

Një dokument të tillë, Serbia e lëshon për shtetasit e Kosovës qe 11 vjet.

Po ashtu, Qeveria ka marrë vendim që të gjitha makinat në Kosovë që kanë targa të lëshuara nga Serbia, të riregjistrohen.

Pas tensioneve në veri, Qeveria tha më 31 korrik se zotohet që të shtyjë nisjen e zbatimit të vendimeve deri në shtator. 21Media

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 2 Gusht, 2022 12:56