Hoxhë Evzal Sinani: Me Prof Hadi Rexhepi

Hoxhë Evzal Sinani: Me Prof Hadi Rexhepi

“Përse ju besimtarë, kur e dëgjuat këtë lajm, nuk thatë: I LARTËMADHËRUAR ËSHTË ALL-LLAHU, KJO ËSHTË NJË SHPIFJE E MADHE.”

Ky njeri që e shihni në foto është profesor Hadi Rexhepi, i cili me ngulm, mund dhe shumë sakrifica ka mbaruar në Universitetin e Tetovës.

Profesor Hadiu është nga fshati Çegran dhe e njeh i gjithë Çegrani, po edhe më gjerë, si njeri të ndershëm dhe besnik, të fjalës dhe me moral. Njeri i arsimit dhe njeri i fesë. Të gjithë ata që kanë pasur fatin të jenë nxënës të tij dëshmojnë qartë se mësues si ai rrallë gjenden në vendin tonë.

Mësuesi Hadi ka nxjerrë vazhdimisht klasa shumë të përgatitura dhe nxënës të mirë që edhe sot e këtë ditë e nderojnë jashtë mase.

Para pak më shumë se një jave që u takova me të më tregoi se fatkeqësisht do ikte për në Gjermani. Megjithatë ishte i lumtur se i ishin lajmëruar nxënësit e vet që i ka në Minhen dhe i kishin thënë: “Mësuesi ynë, ne ty nuk të lëmë të vuash aspak dhe do t’i rregullojmë të gjitha. Dije se ne të gjithë nxënësit tu jemi këtu” – e tregonte këtë dhe sytë i shkëlqenin si një baba i dytë i sa e sa gjeneratave që kanë kaluar në duar të tij.

Sot, ky njeri i madh i yni, akuzohet padrejtësisht për shkelje të etikës profesionale në punë dhe kjo, për mua, është akuzë ndaj gjithë nesh dhe është shkelje flagrante e të drejtave të çdo qytetari, jo vetëm e profesor Hadiut. Them kështu sepse që ditën e premte në mbrëmje profesor Hadiu mbahet në paraburgim pa asnjë shpjegim dhe prononcim dhe nuk i tregohet aspak respekt si një figurë sakrifikuese për të mirën e shoqërisë.

Nga aspekti fetar, çdo mysliman i sinqertë që beson në Zot e ka për obligim patjetër të prononcohet se është KUNDËR kësaj pune dhe të tregojë se për ne, derisa nuk sillen 4 dëshmitarë të pjekur dhe që plotësojnë kushtet, kjo është SHPIFJE E MADHE.

Kështu thotë Zoti në Kur’an: “Përse për këtë punë nuk sollën 4 dëshmitarë? Nëse nuk sjellin dëshmitarë le ta dinë se te All-llahu vetë këta shpifësit janë gënjeshtarët.” 24:13 Në ajetin tjetër të po të njëjtës sure thotë: “Përse ju besimtarë, kur e dëgjuat këtë lajm, nuk thatë: I LARTËMADHËRUAR ËSHTË ALL-LLAHU, KJO ËSHTË NJË SHPIFJE E QARTË.” 24:16

Unë bëj që këtu thirrje drejt udhëheqësve dhe përgjegjësve që të shpejtojnë në zbardhjen e këtij rasti dhe i këshilloj me fjalën e All-llahut: “Përse, kur e dëgjuat këtë, nuk menduat si për vetet tuaja; mirë, dhe të thoni se kjo është shpifje e qartë?” 24:12 Lutem që secili ta mendojë këtë punë dhe të mundohet ta vendosë veten në lëkurën e profesorit, me shpresë se kjo do sjellë rezultatin, do sjellë DREJTËSINË.

Ju lus të gjithëve që ta #shpërndani sa më shumë të jetë e mundur. Allahu ju shpërbleftë!

#me_prof_Hadi_Rexhepi

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka 1 Shkurt, 2020 18:48

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.