Hulumtimi i OSBE-së: Dhuna ndaj grave, mjaft prezente në RMV

Hulumtimi i OSBE-së: Dhuna ndaj grave, mjaft prezente në RMV

Dhuna ndaj grave është e pranishme në mbarë vendin, por as dhuna fizike e as ajo seksuale nuk paraqiten sa duhet te organet kompetente.

Hulumtimi i OSBE-së lidhur me mirëqenien dhe sigurinë e grave u prezantua sot në qeveri.

Sipas hulumtimit, turpi, shkaqet financiare, mungesa e informacioneve, mosbesimi te shërbimet, frika nga pasojat dhe moskuptimi i mjaftueshëm i asaj se çka është dhunë, janë shkaqet për mosparaqitjen e dhunës te institucionet, nga gratë e dhunuara.

Hulumtimi po ashtu konstaton nevojën për përkrahje më të madhe të grave të grupeve pakicë dhe zonave rurale.

“Ka ende një boshllëk të madh në informacion kur është fjala për dhunën ndaj grave dhe nevojiten të dhëna të qëndrueshme dhe të besueshme. Ky hulumtim ofron informacione të nevojshme për të ndërmarrë veprime. Tani është koha për të marrë hapa konkretë për të parandaluar dhunën ndaj grave dhe vajzave”,- tha këshilltarja e OSBE-së për çështjet gjinore, Amarsana Darisuren.

“Dhuna ndaj grave dhe vajzave është e papranueshme, është diskriminim, prandaj kundër saj duhet luftuar patjetër, që ta dënojmë dhe pengojmë me çdo çmim. Misioni ynë është i gatshëm ta mbështesë planin aksionar nacional të qeverisë për implementimin e Konventës së Stambollit”,- theksoi shefi i misionit të OSBE-së, Clemens Koja.

Hulumtimi i OSBE-së ka konstatuar se rreth gjysma e grave të anketuara në vend vlerësojnë se dhuna në familje është çështje private që duhet zgjidhur brenda familjes.

Po ashtu 3 në 10 gra besojnë se viktimat e teprojnë në pohimet e tyre për keqpërdorim dhe dhunim, derisa vetëm dy për qind e grave që përballen me dhunë nga partneri momental e kanë paraqitur rastin në polici.

Studimi është kryer me gratë nga mosha 18 deri në 74-vjeç që jetojnë në Maqedoninë e Veriut. Gjithsej 1.910 gra janë intervistuar midis prillit dhe gushtit të vitit 2018-s.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Maj 15, 2019 19:26

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.