Hulumtimi: Qytetarët, të pakënaqur nga administrata

Desk
By Desk 18 Prill, 2019 18:12

Hulumtimi: Qytetarët, të pakënaqur nga administrata

Qytetarët shprehen të pakënaqur nga shërbimet e administratës publike. Të anketuarit në projektin “Aleanca qytetare për transparencë” organizuar nga Fondacioni “Shoqëria e hapur” dhe “Eurothik”, perceptojnë se mungesa e shërbimeve administrative vjen si pasojë e kuadrit jokualifikues, zvarritjes së shërbimeve, jotransparencës dhe joprofesinalitetit.

“44.4% e të anketuarve janë përgjigjur se puna në administratës është e keqe, ndërsa 16,5% janë shprehur se puna e administratës është në rregull”,- tha Goran Lazarov nga “Eurothink”.

“Problemet me të cilat më së shpeshti ballafaqohen qytetarët gjatë shfrytëzimit të shërbimeve në administratë publike janë: shëtitja nëpër sportele, paqartësitë në procedurë, mungesa e shërbimit dhe joprofesionaliteti nga nëpunësit si dhe ngadalshmëria dhe afatet e gjata të procedurave administrative”,- tha koordinatorja e projektit, Zorica Strezoski.

Për të rritur profesionalitetin e administratës publike nga Ministria për Shoqëri Informatike thonë se punojnë në këtë drejtim, por ju duhet edhe ndihma e institucioneve të tjera.

“Na duhet aktivitet i përbashkët i të gjitha institucioneve të involvuara në proces. Po, Ministria për Shoqëri Informatike ka rol kryesor dhe koordinon procesin, por duhet të pajtoheni se na duhet angazhim i të gjitha institucione, që ta realizojmë katalogun e shërbimeve publike administrative”,- theksoi këshilltarja në Ministrinë e Administratës, Biljana Nikollovska.

ZAEV: PJESË E REFORMËS ËSHTË ZVOGËLIMI I ADMINISTRATËS

Pjesë e reformës në administratë është edhe zvogëlimi i numrit të nëpunësve administrativë për të cilën kryeministri, Zoran Zaev, thotë se qeveria po punon në motivimin e nëpunësve administrativë që të kalojnë në sektorin privat.

“Në të ardhmen punojmë plan të motivojmë qytetarë nga administrata publike, që sipas dëshirës së tyre, të pranojnë punë më të paguar dhe më me perspektivë në sektorin privat. Të gjitha këto mjete në kohë do të prezantohen, sepse një pjesë do ta financojë shteti për një periudhë që të mund të rikualifikohen të gjithë ata njerëz dhe qëllimi është që ata të përparojnë. Ky është proces ku askush nuk do të humb punën, askush nuk do të ngelet në rrugë”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.

Sipas anketës, qytetarët janë të kënaqur nga shërbimet administrative të MPB-së në drejtimin e dhënies së dokumentacioneve personale, ndërkaq vërejtje të mëdha kanë në shërbimet komunale, punën policore në pjesën e ballafaqimit me kriminalitetin si dhe në shëndetësinë shtetërore. (TVM2)

Desk
By Desk 18 Prill, 2019 18:12