Hyrja në qeveri, Kryetari Gashi: Zgjodha të jem në anën e qytetarëve

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 29 Dhjetor, 2022 12:10

Hyrja në qeveri, Kryetari <strong>Gashi:</strong> Zgjodha të jem në anën e qytetarëve

Një nga intervistat e rezervuara të fundvitit në Flaka Media Group, ishte edhe intervista me kryetarin e partisë AlternAtivA, z. Afrim Gashi. Në një mega intervistë për kryeredaktorin Driton Zenku, Gashi flet për pjesëmarrjen në qeveri, rolin e opozitës shqiptare dhe maqedonase, bashkëpunimet e mundshme dhe përfshirjen e ASH-së në shumicën parlamentare dhe kabinetin qeveritar. Gashi flet për sukseset e ministrave nga partia e tij në kabinetin qeveritare, zgjedhjet e mundshme të parakohshme dhe për aktualitete të tjera politike.

Intervistoi Driton Zenku

FLAKA: Viti 2022 kaloi me Alternativën në qeveri. U bë një vit që jeni pjesë e qeverisë. Tani pas një viti sigurisht se mund të flisni për rezultatet e para qeverisëse. Sa Afrim Gashi si lider i Alternativës, është i kënaqur me arritjet e kësaj partie në ekzekutiv?

AFRIM GASHI: Kur jeni në politikë gjithnjë gjendeni mes pritjeve dhe mundësive. Dhe, rëndom pritjet janë në proporcion të zhdrejtë me mundësitë. Prandaj kur i pyet qytetarët, ata vazhdimisht ankohen nga partitë në pushtet.

Sidoqoftë, viti 2022 është historik për Maqedoninë e Veriut, për çka besoj se dakordohen të gjithë. Këtë vit edhe zyrtarisht ka përfunduar tranzicioni 30-vjeçar dhe është hapur kapitulli i integrimit europian, që është ëndërruar tashmë tre dekada. Ndërkaq, opinioni e di fare mirë se kjo nuk do të ndodhte pa vendimin e Alternativës që t’i bashkohet kësaj shumice parlamentare dhe kësaj qeverie. Madje, nëse nuk do të isha modest, do të thosha se ky vendim i Alternativës ka qenë vendimtar edhe për perspektivën europiane të Republikës së Shqipërisë, sepse rruga e saj europiane ishte e lidhur pandashëm me Maqedoninë e Veriut. Andaj, nëse kurdoherë në jetën time do të kem diçka me të cilën do të mburrem, pavarësisht historisë së ardhme politike në kuptimin personal dhe partiak, është se ishte pikërisht Alternativa ime ishte ajo që u bë alternativë për dy shtete që ta fillojnë rrugën e integrimit europian. Natyrisht, këtu nuk dua t’ua marr meritat të tjerëve, ngase secili e ka meritën e tij, por nëse ne nuk do të bëheshim pjesë e kësaj qeverie, le që Maqedonia e Veriut mund të futej në një qorrsokak, por kjo do ta pengonte edhe shtetin shqiptar. E nëse këtë e vendosim në kontekst të invazionit rus në Ukrainë dhe tendencës ruse për të shkaktuar sa më shumë telashe në oborrin europian, jam i bindur se inkuadrimi ynë në qeveri ka qenë me përmasa historike për këto dy shtete.

Unë jam i vetëdijshëm edhe për notat kritike që kanë ardhur në adresën tonë pas këtij vendimi, sepse kjo dukej se po e shpëton një parti shqiptare që tashmë 20 vjet ishte në qeveri, por kur je në politikë shpesh vihesh në dilemën e Brutit të Shekpsirit “të vdiste Cezari e të shpëtonte Roma apo të shpëtonte Cezari e të vdiste Roma?!”. Kur e kam marrë atë vendim, e kam ditur se ky mund të jetë edhe vdekjeprurës për Alternativën time, por unë zgjodha të jem në anën e qytetarëve. Falë Zotit, pas hapjes së negociatave, edhe qytetarët kanë filluar ta kuptojnë se futja jonë në qeveri nuk ndodhi për shkak të pasionit tonë për pushtet, por për shkak të vetëmohimit tonë që qytetarëve të vendeve tona t’ua sjellim perspektivë europiane.

Përveç kësaj, besoj se opinioni e di fare mirë se ne jemi partia e parë shqiptare, që nga fillimi i pluralizmit, që ka hyrë në qeveri me një marrëveshje politike të shkruar, të nënshkruar dhe të publikuar. Ky është një standard i ri i demokracisë që e kemi vendosur ne dhe që do të doja ta respektojnë edhe partitë e tjera që do të bëhen pjesë e cilësdo qeveri. Këtu mund t’ju them shkurtimisht se pikat e asaj marrëveshje janë në implementim e sipër. Pjesa e punës së Alternativës kundrejt atyre pikave ka përfunduar, ndërsa ka mbetur që edhe nënshkruesi tjetër i asaj marrëveshje ta bëjë pjesën e tij. Sidoqoftë, kurdo që të shpallen zgjedhjet, ne do të dalim para qytetarëve dhe do të referojmë për secilën pikë veçmas.

FLAKA: Viti që po lejmë pas, duket vit i rëndësishëm për Alternativën dhe Afrim Gashin si lider i sajë. Gjatë muajt Maj partia e juaj zhvilloi punimet e kongresit, ku mes të tjerash i rizgjodhët në krye të partisë për një mandat të dytë.

AFRIM GASHI:  Po, më 15 maj të këtij viti ne e kishim kongresin e parë pas ribrendimit të partisë me emrin e ri. Ashtu siç keni mundur ta ndiqni, në kongres ne i kemi shpalosur pikat tona programore për katërvjeçarin e ardhshëm, duke e precizuar saktë profilin tonë ideologjik, duke e vizatuar rrugën tonë politike dhe duke hapur një kapitull të ri në jetën pluraliste në Maqedoninë e Veriut. Integrimi në Bashkimin Europian, si përcaktim strategjik, drejtësia si strumbullar i shtetit funksional, zhvillimi ekonomik si motor i zhvillimit të shoqërisë, lufta kundër korrupsionit dhe krimit si detyrim politik, ridefinimi si angazhim konceptual, mbrojtja e familjes si vlerë konservatore, si dhe komunikimi dhe bashkëpunimi me partitë e tjera si vlerë e re pluraliste, ishin disa nga shtyllat programore për të cilat ne do të angazhohemi dhe unë jam shumë i lumtur që Alternativa qëndron mbi këto premisa, sepse kjo – veç tjerash – na bën komplementar me aleatët tanë ndërkombëtarë, SHBA-në dhe BE-në, por edhe me interesat jetike të qytetarëve tanë, më saktë të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.

Sa i takon besimit që m’u dha për ta drejtuar partinë edhe në vitet që vijnë, përveçse mirënjohje, më shumë është detyrim dhe përgjegjësi, aq më shumë që standardet që i kemi vendosur dhe programi politik më ngarkojnë të jem konsistent dhe i qëndrueshëm në këtë vijë. Që të mos paragjykoj, e ardhmja do të jetë dëshmitare më e mirë e kësaj që e flasim dhe veprojmë sot.

FLAKA: Sprova e parë e Alternativës si parti pjesëmarrëse në qeveri ishte mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme komunale në Tetovë. Në mesin e partive shqiptare, Alternativa u pozicionua e treta duke grumbulluar 1.118 vota dhe duke lënë pas PDSH me 1.058 dhe Aleancën për Shqiptarët me 777 vota. Mendoni që ishte një sukses i admirueshëm për partinë që drejtoni?

AFRIM GASHI:  Në të vërtetë, rezultati i zgjedhjeve për Këshillin Komunal të Tetovës ishte nën pritjet tona, edhe pse në opinion u pa si sukses. Nëse i shikoni në atë radhitje, konstatimi juaj është i saktë, por synimi ynë është që të kemi rritje. Sidoqoftë, ai rezultat ka qenë dinjitoz dhe ne e kemi pranuar si të tillë, kemi marrë mësim prej tij dhe vazhdojmë tutje. Ndonëse nuk jam fare i ngazëllyer, nuk mund të mos e përmend faktin se ana e mirë e këtij rezultati të padëshiruar ka qenë që aktivistët tanë janë ndjerë mirë që edhe partitë e tjera e kanë lexuar saktë fuqinë tonë, ngase ishte krijuar një përshtypje e gabuar dhe përçmuese për ne në Tetovë. Por, e përsëris, AlternAtivA në Tetovë dhe jo vetëm synon të jetë shumë më lartë dhe neve nuk na vjen mirë kur duhet të krahasohemi me shportën e partive që janë pas nesh.

FLAKA: Në pjesën e dytë të vitit u shtuan zërat që ASH do të bëhet pjesë e shumicës parlamentare. Partia e juaj u shpreh kundër, duke thënë që Qeveria është stabile dhe nuk ka nevojë për ASH-në. Vazhdoni të mbroni ende këtë qëndrim?

Për të saktësuar, më duhet të them se ne nuk kemi qenë kundër futjes së Aleancës për Shqiptarët në qeveri dhe as nuk do të jemi. Ajo për të cilën jemi deklaruar ne është në një rrafsh tjetër të diskutimit. Derisa në pikëpamje të numrave nuk ka ndryshuar asgjë në shumicën parlamentare, pra janë po ato numra të deputetëve të shumicës, nuk e shohim arsyen pse duhet të hapet edhe si temë kjo. Meqë as numrat e ASH-së nuk e bëjnë numrin e deputetëve të nevojshëm për ndryshimet kushtetuese, ne e kemi shtruar pyetjen se çfarë ndryshon cilësisht nga inkuadrimi i ASH-së, pos që dëmtohet seriozisht demokracia ndërshqiptare në Maqedoninë e Veriut. Në kontekst të kësaj ne kemi thënë se ndryshimi i vetëm potencial në shumicën parlamentare është ulja e numrit të deputetëve të BDI-së pas përplasjeve “të zjarrta” atje. E nëse është kjo, për çka ajo parti duhet të deklarohet pa u turpëruar, atëherë besoj se duhet të vlejë rregulla se atij që i duhet gomë rezervë, duhet edhe të paguajë çmimin. Sidoqoftë, nëse Aleanca për Shqiptarët pranon ta marrë këtë rol, për çka unë dyshoj fort duke e njohur dinjitetin dhe moralin e tyre politik, AlternAtivA do të bashkëpunojë me të dhe do të jemi partnerë ashtu siç kemi dëshmuar edhe në dy ciklet e kaluara zgjedhore. Ne e dimë gjuhën e bashkëpunimit me ASH-në dhe kjo nuk na paraqet fare problem.

Meqë as numrat e ASH-së nuk e bëjnë numrin e deputetëve të nevojshëm për ndryshimet kushtetuese, ne e kemi shtruar pyetjen se çfarë ndryshon cilësisht nga inkuadrimi i ASH-së, pos që dëmtohet seriozisht demokracia ndërshqiptare në Maqedoninë e Veriut. Në kontekst të kësaj ne kemi thënë se ndryshimi i vetëm potencial në shumicën parlamentare është ulja e numrit të deputetëve të BDI-së pas përplasjeve “të zjarrta” atje. E nëse është kjo, për çka ajo parti duhet të deklarohet pa u turpëruar, atëherë besoj se duhet të vlejë rregulla se atij që i duhet gomë rezervë, duhet edhe të paguajë çmimin. Sidoqoftë, nëse Aleanca për Shqiptarët pranon ta marrë këtë rol, për çka unë dyshoj fort duke e njohur dinjitetin dhe moralin e tyre politik, AlternAtivA do të bashkëpunojë me të dhe do të jemi partnerë ashtu siç kemi dëshmuar edhe në dy ciklet e kaluara zgjedhore. Ne e dimë gjuhën e bashkëpunimit me ASH-në dhe kjo nuk na paraqet fare problem.

FLAKA: Keni pasur kontakte me Arben Taravarin pasi u caktua për ushtrues detyre kryetar në ASH?

AFRIM GASHI:  Personalisht nuk jam takuar ende, sepse nuk kam dashur që kjo të interpretohet në kontekst të zgjedhjes së kryetarit të ri të ASH-së. Nëse z. Taravari zgjidhet në këtë detyrë në kongresin e kësaj partie, unë me shumë kënaqësi do ta takoj dhe do ta shtrij dorën e bashkëpunimit. Në të vërtetë, ASH-ja edhe deri tash ka gjetur mikun tek AlternAtivA dhe për këtë mund t’jua dëshmojnë kryetarët e komunave nga radhët e kësaj partie, por edhe zyrtarët e tjerë. 

FLAKA: Së fundmi, Alternativa ka inicuar disa nisma në Kuvend, siç ishte nisma për ndryshimin e Ligjit për Shtesat Sociale për Fëmijë. Na flisni më tepër rreth kësaj iniciative?

AFRIM GASHI:  Ashtu siç e përmenda më sipër, AlternAtivA është parti konservatore dhe, rrjedhimisht, ajo angazhohet për mbrojtjen e familjes tradicionale. Kjo ka qenë ndër pikat tona të marrëveshjes politike, që tash duhet të trajtësohet në ligj. Deputetët tanë, në konsultim me ekspertët e kësaj fushe, kanë hartuar tashmë një propozim-amendament që është në funksion të stimulimit të natalitetit. Ndonëse partnerët tanë qeveritarë janë të majtë dhe liberalë, unë besoj se kjo do të kalojë dhe përveçse ne do ta zbatojmë një pikë nga marrëveshja jonë politike, kjo do të jetë edhe përmbushje e përcaktimit tonë ideologjik dhe politik që ta mbrojmë dhe avancojmë familjen.

Kur jemi këtu, më duhet t’ju them me keqardhje se AlternAtivA është jo vetëm partia e vetme, por mund të jetë edhe organizata e vetme, që publikisht dhe pa drojë ka dalë në mbrojtje të familjes tradicionale duke besuar fuqimisht se kjo vlerë konservatore, si në shumë vende të Bashkimit Europian dhe veçmas në SHBA, duhet të kultivohet dhe të afirmohet, sepse ajo është celula e shoqërisë dhe garancia e vazhdimësisë shoqërore jo vetëm fizike, por edhe kulturore, trashëgimore dhe qytetërimore.

FLAKA: Alternativa ishte ndër partitë e para që përshëndetën nismën e SHBA-së për luftën kundër korrupsionit në Maqedoninë e Veriut. Mendoni që lufta kundër korrupsionit mund të realizohet vetëm me përfshirjen e institucioneve ndërkombëtare?

AFRIM GASHI:  Në të vërtetë, para se të dalë Ambasada e SHBA-së në vend me qëndrim për luftën kundër korrupsionit, disa javë më parë ne dolëm me një propozim-amendament kushtetues që kërkon që gjatë hapjes së kushtetutës, për shkak të nevojës së integrimit, edhe lufta kundër korrupsionit të sanksionohet me atë që veprat e tilla, të kryera nga zyrtarë të zgjedhur ose te emëruar, kurrë të mos mund të vjetrohet. Për koincidencë, në këtë frymë ishte edhe deklarata e Ambasadës Amerikane dhe neve na vjen shumë mirë që jemi kaq komplementarë me angazhimin amerikan në vendin tonë. Është e vërtetë se lufta kundër korrupsionit nuk bëhet vetëm me angazhim ndërkombëtar, por edhe më e vërtetë është se institucionet tona lënë shumë për të dëshiruar kur bëhet fjalë për luftën kundër korrupsionit. Shikoni vetëm vendimet gjyqësore, siç ishte ai për lirimin e ish shefit të DSK-së, Sasho Mijallkov, ose zgjedhjen e prokurorit në Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar, që ta kuptoni se sa jemi të gatshëm ne si shtet të luftojmë këtë ves shoqëror. Prandaj ne jemi kaq shumë të përkushtuar në këtë temë dhe prandaj na vjen mirë që në këtë temë jemi aleatë me SHBA-në.

Këtu po theksoj se korrupsioni është brejtësi i shtetit dhe arsyeja për mungesën e drejtësisë, zhvillimit ekonomik, por edhe për rrënimin e institucioneve demokratike. Kjo na bën të ndërgjegjshëm se pa çrrënjosjen e korrupsionit nuk mund të presim ditë më të mira në këtë vend.

FLAKA: Në qeveri drejtoni me Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, si dhe Ministrinë e Diasporës. Një vit nga qeverisja, për çka dallohet ministrat e juaj në kabinetin qeveritar?

AFRIM GASHI:  Nuk di a kemi aq shumë hapësirë që unë të mund të flas se me çfarë dallohen ministrat tanë, por pasi që shtrohet si pyetje, po i përmend disa gjëra. Si e para, qeverisja jonë njëvjeçare dallohet me punë pa asnjë aferë korrupsioni ose abuzimi me pushtetin.

E për ta kuptuar se çfarë kemi bërë ne në Ministrinë e Shëndetësisë mbase është mirë ta vizitoni Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tetovës dhe Spitalin Klinik të Tetovës dhe t’i pyesni se çfarë aparatura u kanë ardhur, sa specializime i kanë fituar dhe pas sa dekadave u shkojnë ato suksese, mbase është mirë të pyetni se sa njerëz janë plakur në Kërçovë duke e pritur ministrin Bekim Sali të ndajë buxhet për përfundimin e Spitalit të Kërçovës, ndoshta do të duhet të pyeteni se kur ka ndodhur për herë të fundit, para ministri tonë, që ministri i Shëndetësisë të shkarkojë drejtorë spitalesh për shkak të korrupsionit, ndërsa më e rëndësishmja – që ndodhë pas gjysmë shekulli – ministri Bekim Sali ka plan konkret që tashmë e ka prezantuar edhe në qeveri se si mund ta ndryshojë rrënjësisht sistemin shëndetësor, me objekte, me pajisje dhe me edukim, duke investuar 1 miliard euro pa e dëmtuar asnjë denarë buxhetin e qytetarëve. Dhe, nëse ju them se kjo ka ndodhur vetëm për një vjet, dëshiroj që mos të habiteni.

Po kështu mund t’ju flas për digjitalizimin që e ka avancuar ministri Admirim Aliti, i cili ka ofruar edhe një model të ri për depolitizimin e administratës, që përveçse është një kërkesë dhe pritje e BE-së, është edhe një pritje e shumë të rinjve të vendit që gjatë kohë kanë qenë të diskriminuar në tregun e punës.

Ministri Xhemail Çupi do të mbahet mend si ministri që për një vit e ka hartuar strategjinë për qasje ndaj diasporës, drejtori i Herkurudhës, Majan Veseli, ka gjetur zgjidhje si ta shpëtojë këtë ndërmarrje që për kaq vite është në prag të falimentimit, eHekurdhës, Majandërsa po kështu mund t’ju flas edhe për funksionarët e drejtorët e tjerë.

Ne iu bashkuam kësaj shumice për shkak të një detyrimi madhor, siç ishte integrimi europian, ndërsa kështu përfituam nga rasti që ta dëshmojmë veten edhe me punë dhe cilësi. Portofoli ynë tashmë është mjaft i vëllimshëm dhe në zgjedhje do të kemi me çka t’u drejtohemi qytetarëve.

FLAKA: Cili është bashkëpunimi juaj me partitë pjesëmarrëse në pushtet, dhe sa jani bashkëpunues me partitë e bllokut opozitar?

AFRIM GASHI:  Ashtu siç e kam thënë në kongres, për ne nuk ka parti mike dhe armike, por ka parti me të cilat mund të bashkëpunojmë dhe me të cilat nuk mund të bashkëpunojmë. Këtë e gjykojmë duke parë a kemi pika të përbashkëta programore dhe për çfarë mund të bashkëpunojmë. Fjala bie, ne nuk mund të bashkëpunojmë asnjëherë me parti që janë kudër integrimit europian të Maqedonisë së Veriut ose me parti që shprehin albanofobi. Me partitë tjera mund të komunikojmë, me disa mund të bashkëpunojmë, me disa mund të tolerohemi dhe me disa mund të ruajmë ekuidistancë.

Sa u takon partive qeveritare, përkundër dallimeve ideologjike dhe politike që i kemi, përpiqemi të bashkëpunojmë në pikat që na bashkojnë dhe të gjejmë gjuhe kompromisi aty ku kemi dallime. Edhe pse jemi në një qeveri, ne për asnjë presje nuk e kemi ndryshuar qëndrimin tonë ndaj BDI-së, por – fjala bie – kur bëhet fjalë për integrimin në BE, kjo është një temë që del mbi neve si subjekte.

Në anën tjetër, ne e kemi ruajtur frymën e mirë të komunikimit dhe bashkëpunimit me Aleancën për Shqiptarët dhe ata na drejtohen shpesh me kërkesa dhe gjithnjë gjejnë mirëkuptimin tonë. Për shembull, ka vite që Komuna e Vrapçishtit dhe ajo e Gostivarit ishin bllokuar në Ministrinë e Shoqërisë Informatike nga ata që e kanë drejtuar këtë ministri më parë, por që tash trajtohen me korrektësi dhe drejtësi. Ne as nuk jemi nihilistë që t’i urrejmë të gjithë, por as nuk jemi optimistë e të themi se të gjithë duhet t’i kemi aleatë dhe miq. Fundja, ne jemi parti dhe kjo nënkupton se ne jemi një entitet në vete që angazhohet për një kauzë që e dallon nga partitë e tjera.

FLAKA: Anëtarë nga dega e Çairit shprehën ankesa publike ndaj punës së ministrit Bekim Sali. Edhe deputeti Skender Rexhepi disa herë ka shprehur pakënaqësi ndaj drejtimit të partisë. Ka një grup zjarri edhe në Alternativë?

AFRIM GASHI:  Në Alternativë nuk ka grup zjarri, por ka debat dhe diskutime që ndonjëherë dalin edhe në opinion. Emërimet dhe shkarkimet e ministrave dhe funksionarëve të partisë i bën Kryesia Qendrore e Alternativës, ku deri tash nuk ka pasur vërejtje për asnjë funksionar të partisë. Ne do të vazhdojmë ta stimulojmë debatin e brendshëm, gjithnjë duke synuar më të mirën, ndërsa ata të rinj që kanë më pak durim për ta respektuar hierarkinë e organizatës i këshillojmë se protagonizmi nuk bëhet me kërkesa në publik, por me argumentime në organe të partisë, ku secili e gëzon vlerën e tij, të drejtën e tij dhe detyrimin e tij.

Edhe kundrejt deputetit që e përmendni, ne nuk kemi asgjë të shtojmë nga ajo që e kemi thënë. Ai e ka ndarë mendjen dhe udhën. Ai nuk është më në Alternativë dhe nuk kemi as mundësi të kemi përplasje. Sidoqoftë, ai vazhdon të jetë pjesë e shumicës dhe kjo nuk i ka lëkundur numrat në Kuvend.

FLAKA: Pyetja e fundit dhe e zakonshme për festat e fundvitit. Ku do ta pret ndërrimin e motmoteve Afrim Gashi?

AFRIM GASHI:  Do të isha i lumtur nëse më 31 dhjetor nuk do të kem ndonjë agjendë politike, por do të jem me familjen time. Sidoqoftë, urime të gjithëve 2023-ta! Gëzuar!

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 29 Dhjetor, 2022 12:10

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare