Ibrahimi: Në fund të nëntorit na pret një shumicë e re dhe qeveri e re

Linda Limani
Publikuar nga Linda Limani 21 Tetor, 2021 13:28

Ibrahimi: Në fund të nëntorit na pret një shumicë e re dhe qeveri e re

Sekretari për Marrëdhënie me Publikun i Alternativas, Zeqirija Ibrahimi tha sonte në TV Shenja se para dhjetorit do të kemi shumicë të re parlamentare që do të formojë Qeveri të udhëhequr nga VMRO DPMNE dhe koalicioni ASH-AAA. Sipas tij, disa subjekte të vogla në koalicion me Zaevin tashmë kanë shprehur gatishmërinë që t’i bashkëngjiten shumicës së re.

“Kemi informacione, nuk po flas për supozime, se vetëm fakti i numrave të zgjedhjeve lokale ka bërë që disa subjekte që sot janë pjesë e shumicës parlamentare me LSDM-në janë më të gatshme që të kalojnë në shumicën e re parlamentare. Kjo shumicë e re do të bëhet nga z. Mickoski, me koalicionin Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa e ndihmuar nga deputetë të partive tjera më të vogla. Andaj, nuk është ndoshta sekret më kjo punë se në fund të nëntorit neve na pret një shumicë e re dhe qeveri e re, e cila e lë jashtë edhe LSDM-në edhe BDI-në”, tha Ibrahimi.

Ai tha se shumica e re parlamentare pritet të formohet menjëherë pas zgjedhjeve lokale dhe se dhjetori do ta gjejë BDI-në në opozitë.

“Në pushtetin që do të jemi ne me VMRO-në dhe partitë e tjera më të vogla nuk ka vend për BDI-në. Eventualisht atje tash po flitet për përçarje të brendshme, nëse do të ikë ndonjë deputet dhe të kalojë këndej. Nuk e dimë se si i bëhet asaj pune, por si parti BDI-në nuk e zbardh dhjetori në Qeveri. Andaj ne po bëhemi gati edhe për një shumicë të re parlamentare, për një qeveri të re, e cila jam i sigurt se do të sjell të mira për të gjithë qytetarët, në këtë rast edhe qytetarët e Çairit tonë”, shtoi Zeqirija Ibrahimi.

Linda Limani
Publikuar nga Linda Limani 21 Tetor, 2021 13:28