Inaugurohet ura më e lartë në Ballkan, dy Dibrat i gëzohen rrugës së Arbërit

Desk
By Desk May 6, 2020 22:39

Inaugurohet ura më e lartë në Ballkan, dy Dibrat i gëzohen rrugës së Arbërit

Rruga e Arbërit, një projekt i rëndësishëm kombëtar e që realizohet nga Shqipëria, ka hyrë në etapën e fundit të ndërtimit edhe pse bëhet fjalë për një terren malor ku ndërtimi i tuneleve është nevojë. Këto ditë përfundoi ndërtimi i “Urës së Vashës”, si pjesë kyçe e kësaj rruge. Bëhet fjalë për urën më të lartë në Ballkan, e cila ka lartësi prej 152 metrash. Pikërisht ndërtimi i kësaj ure gëzoi banorët e të dyja Dibrave. Në Dibrën e Madhe, siç është qyteti i Dibrës, besohet se përfundimi i projektit madhor – Rruga e Arbërit do ti mundësojë Dibrës dhe rajonit më të gjerë një zhvillim më dinamik.

Eksperti i njohur ekonomik në Dibër, Roland Pahumi, ka potencuar për gazetën KOHA se kjo rrugë, e cila nga Dibra deri në Tiranë – do të ketë 74 kilometra, ndërsa pa dyshim se do të shpejtojë zhvillimin ekonomik. Sipas tij, vet fakti që rruga shkurtohet për afër 90 kilometra, flet qartë se Dibra si e tillë do të jetë qendër e udhëtimeve, sidomos të kompanive ekonomike, si dhe do të ketë një rritje të frekuencës të udhëtarëve në të dy anët e kufirit. Kryetari i Këshillit të Dibrës, Bashkim Mashkulli, jep vlerësimin se Rruga e Arbërit ka një domethënie kombëtare dhe drejtpërdrejt do të zhvillojë dy Dibrat. Edhe pronarët e kompanive dibrane poashtu pohojnë se kjo rrugë do të zhvillojë pjesën lindore të Shqipërisë, por në vazhdimësi ajo do të ndikoj pozitivisht në zhvillimet ekonomike edhe të pjesë perëndimore të Maqedonisë së Veriut.

Në Bashkinë e Dibrës – Republika e Shqipërisë, vlerësojnë se Rruga e Arbërit tashmë po shkon drejt përfundimit. Pushteti vendor në këtë bashki të Peshkopisë vlerëson se tani më me ndërtimin e “Urës së Vashës” – faktikisht pritet që rruga të përfundojë vitin e ardhshëm. Gjatë vizitës që ia bëri “Urës së Vashës”, ministrja e Transportit në Qeverinë shqiptare, Belinda Balluku, deklaroi se është marrë premtimi se rruga do të përfundojë para afatit. “Pas ‘Urës së Vashës’, do të ndërtohet edhe një urë tjetër po ashtu shumë e lartë, por që dinamika do të jetë e përshpejtuar”, ka deklaruar ministrja Balluku. Ajo informoi se ndërkohë janë hapur pesë nga gjashtë tunelet dhe punohet aktualisht në tunelin kryesor të Murrizit. Përndryshe deri tani janë ndërtuar 54 kilometra të kësaj rruge me karakter kombëtar. “Rruga e Arbërit” është projektuar nga arkitekti i njohur shqiptar Faruk Kaba, i cili me prejardhje është nga Dibra e Madhe. Familja e tij në vitin 1913 ka braktisur Dibrën për shkak të eksodit serb që i është bërë dibranëve.

Desk
By Desk May 6, 2020 22:39