Investim i ri turk në “Bunarxhik”, Bekteshi: Politikat tona ekonomike japin rezultate

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka July 18, 2019 20:15

Investim i ri turk në “Bunarxhik”, Bekteshi: Politikat tona ekonomike japin rezultate

Në zonën industriale “Bunarxhik”, nisi ndërtimi i fabrikës së re turke “Balkanlar Plastik”, e cila kap vlerën prej 7,6 milionë euro dhe planifikon të hap 300 vende të reja të punës. Ndërtimi i fabrikës, e cila do të prodhojë prodhime nga plastika në pjesën e ambalazhimit për bojëra dhe llaqe si dhe në industrinë ushqimore do të zhvillohet në disa faza, njoftuan nga menaxhmenti.

“Me këtë investim planifikojmë të hapim vende të reja të punës. Presim investimi të jetë i suksesshëm dhe do t’i bëjmë të gjitha përpjekjet tona që ky projekt të realizohet me sukses”,- tha investitori, Eren Çashlir.

Nga ekzekutivi theksuan se investimet e njëpasnjëshme dëshmojnë stabilitetin ekonomik të vendit tonë, ndërsa premtuan mbështetje të parezervë për investitorët vendas dhe të huaj.

“Kjo dëshmon se politikat e qeverisë së RMV-së japin rezultatet e veta, pra krijojnë vende të reja të punës dhe mua si ministër i ekonomisë më gëzon fakti që nga 50 mijë vende të reja të punës pothuajse 48 mijë vende të reja të punës janë krijuar nga ekonomia reale apo nga sipërmarrësit e këtij vendi”,- theksoi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

“Ne jemi të kënaqur nga kjo, si qeveri do të bëjmë çmos që t’i mbështesim të gjithë investitorët vendas dhe të huaj që të vazhdojnë të investojnë në shtetin tonë, pasi vetëm kështu me industrializimin e shtetit mund të sigurojmë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe zhvillim të qëndrueshëm të BPV-së”,- u shpreh zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev.

“Këtë vit investimet e huaja rriten me një tempo të kënaqshme, standardi ekonomik po rritet dhe unë besoj se kjo paraqet në vetvet një motivim shtesë për investitorët e huaj dhe vendas, sepse definitivisht jemi shtet që ofrojmë prosperitet dhe vendi i cili ofron përfitim të qëndrueshëm për investitorët, kurse para së gjithash benefit edhe për shtetin tonë, duke hapur vende të reja të punës”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.

Turqia është një nga partnerët më të rëndësishëm ekonomik të vendit tonë. Vetëm gjatë vitit të kaluar investime direkte nga Turqia kapin vlerën prej 36,2 milionë euro.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka July 18, 2019 20:15