Ish ambasadorë bashkohen në Këshill- do të këshillojnë institucionet për politikën e jashtme

Redaksia
By Redaksia 8 Prill, 2019 17:58

Ish ambasadorë bashkohen në Këshill- do të këshillojnë institucionet për politikën e jashtme

Integrimet euroatlantike dhe avancimi i marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore janë parimet bazë që duhet të respektojnë anëtarët e Këshillit të ambasadorëve, që sot është formuar, ndërsa mund të anëtarësohen të gjithë ish ambasadorët dhe ish ministra për Punë të Jashtme.

Në Fakultetin e FON-it sot është mbajtur Kuvendi themelues i Këshillit i cili paraqet Shoqatë të pavarur, jopartiake, joprofitabile të ambasadorëve dhe ish shefave të diplomacive. Kuvendi themelues është mbajtur po më 8 prill ku në vitin 1993 Asambleja e përgjithshme e KB-së e ka pranuar vendin si sovrane dhe shtet të pavarur.

Qëllimi i Shoqatës është përmes aktiviteteve të saja të ndihmojë në krijimin dhe implementimin e suksesshëm të politikës së jashtme rajonale dhe ndërkombëtare bilaterale dhe multilaterale, integrimet në BE dhe NATO.

Për kryetar të Këshillit është zgjedhur ambasadori i parë i Maqedonisë në Greqi, Lupço Arsovski, i cili ka thënë se kjo nismë fisnike realizohet në ditën e pranimit të Maqedonisë në KB dhe ka shtuar se në Shoqatë janë të ftuar të gjithë ambasadorët të cilët nuk janë në shërbim aktiv, por që janë të pensionuar ose punojnë diçka tjetër, ndërsa kushti është që së paku një herë të jenë të akredituar si ambasadorë në ndonjë nga vendet.

Ata do të merren me sfidat kryesore të diplomacisë maqedonase, ndërsa ambasadori Arsovski ka përmendur se shembull më i freskët është zgjidhja e kontestit me Greqinë.

“Pas tre dekadave shembujt në rajon e kanë bërë atë hap dhe tash vijon edhe shumë punë që të forcohet besimi dhe në dy vendet, të punohet në një relaksim të marrëdhënieve të tensionuara që e bëjnë struktura të ndryshme në shoqërinë tonë dhe ata njihen dhe sikur të jenë në ndonjë komunikim telefonik ose tjetër, pasi kanë reagime të njëjta të asaj që nënkupton NATO, çka është orientimi jonë tre dekada nga dita e pavarësimit tonë ku unë si diplomat u ndërtova nga fillimi i karrierës sime”, ka thënë kryetari i Këshillit të ambasadorëve, Arsovski.

“Qëllimi jonë nuk është përfitimi, por qëllimi jonë është përfitimi të jetë Evropa, ndërsa Maqedonia të jetë vend i denjë në rajon”, ka thënë Arsovski.

Nano Ruzhin, rektor i FON-it ka thënë se gjatë formimit të Këshillit nuk bëhen dallime mes ambasadorëve politikisht të orientuar.

“Për ne të gjithë janë të barabartë pavarësisht kush si mendon. Me rëndësi është të mbahemi në dy parimet tona bazë- integrimet euroatlantike dhe fqinjësinë e mirë”, ka thënë Ruzhin.

Ambasadori Muhamed Halili ka thënë se si shtet i vogël nuk kemi pasur kushte të krijimit të diplomacisë profesionale, të përbërë nga njerëz që në mënyrë karrieriste janë zhvilluar në këtë sferë, duke përmendur se politika këtu ka gisht.

“Megjithatë diplomat karriere nuk është vetëm ai që punon në MPJ, por edhe ai që ka aftësi dhe njeh politikat ndërkombëtare, marrëdhëniet e brendshme, konform arsimimit. Pasi kemi mosmarrëveshje në politikë një pjesë e të ftuarve nuk arritën të jenë të pranishëm”, ka thënë Halili.

Lidhur me raportin e revizionit, ku janë notuar mospërputhjet lidhur me shpenzimet në Evropë dhe botë, Arsovski, madje ka thënë se çdo diplomat duhet të jetë i vetëdijshëm për përgjegjësitë që ka, ndërsa në MPJ duhet të ekzistojë shërbim adekuat e cila çdoherë do të kontrollojë në aspekt politik, financiar dhe juridik.

Redaksia
By Redaksia 8 Prill, 2019 17:58