Ish-mafiozi që kërcënon Ndrangheta-n, kush po hedh në burg qindra pjesëtarë të saj

Desk
By Desk 13 Janar, 2021 20:38

Ish-mafiozi që kërcënon Ndrangheta-n, kush po hedh në burg qindra pjesëtarë të saj

Quhet Luigi Bonaventura, është 49 vjeç, askush nuk e di ku banon zakonisht, sepse lëviz shpesh.

Është nervoz dhe i rraskapitur nga udhëtimet. Kuptohet se njeriu që e la familjen e tij kriminale 13 vjet më parë dhe ka hedhur që atëherë qindra mafiozë në burg, bën jetë të rrezikshme e plot tmerr, që nuk e lë të qetë as natën. Por është i vendosur ta çojë deri në fund atë që nisi.

Bonaventura është asi i madh që kishte nën mëngë drejtësia italiane që ka nisur procesin më të madh gjyqësor kundër Ndrangheta-s, mafias kalabreze të cilës Luigi i përkiste për më shumë se gjysmën e jetës së tij. Në Lamezia Terme, një qytet në rajonin jugor italian të Kalabrisë, në dy vitet e ardhshme do të dalin para drejtësisë qindra të akuzuar. Në ta bëjnë pjesë avokatë, politikanë dhe njerëz të biznesit. Mafiozë dhe bashkëpunëtorë të tyre. Bonaventure njeh shumë prej tyre nga e kaluara e tij dhe do të dalë vetë dëshmitar.

Ndrangheta konsiderohet të jetë veçanërisht e rrezikshme dhe e vështirë për t’u monitoruar. Në të kaluarën, pjesëtarët e saj fitonin para ndër të tjera edhe me rrëmbime, ndërsa sot qasja e tyre është më pak e dukshme. Në veriun më të fortë ekonomikisht të Italisë, Ndrangheta fiton shumë para me porosi qeveritare, veçanërisht në industrinë e ndërtimit. Ajo është gjithashtu e lidhur mirë ndërkombëtarisht, siç është rasti me kontrabandën e pjesës më të madhe të kokainës nga Amerika Latine për tregun evropian.

Disa nga anëtarët që gjykohen tani në Kalabri janë arrestuar në Gjermani. Bonaventura rrëfen se fëmijët edukohen si ushtarë, dhe se ai që në një familje Ndrangheta pritet të vazhdojë traditën. Gjyshi i tij Luigi Vrenna ishte një nga bosët më të rëndësishëm të kohës së tij dhe vetë babai i Bonaventura-s e bëri atë “ushtar”, siç thotë ai. Luigi betohet se nuk ka vrarë kurrë të pafajshëm. Ishte luftë. Në një rast specifik, tregon ai, ai mori hak ndaj një anëtari të klanit armik për vrasjen e një fëmije nga familja e tij. Ai dhe gruaja e tij themeluan një shoqatë që mbron informatorët. Ai dëshiron të inkurajojë të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë dhe dëshiron që shteti të kujdeset më mirë për njerëzit që shkëputen nga mafia.

Top Channel

Desk
By Desk 13 Janar, 2021 20:38