Izraeli, Openhajmeri dhe ligjet e luftës

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 30 Nëntor, 2023 21:21

Izraeli, Openhajmeri dhe ligjet e luftës

Benjamin Netanyahu, kryeministri aktual i Izraelit, audiencës perëndimore ia ka kujtuar vdekjet masive të civilëve të shkaktuar nga bombardimet e Drezdenit nga aleatët në vitin 1945. Një ministër izraelit madje spekuloi për hedhjen e armës bërthamore në Gazë – edhe pse shpejt u qortua

Nga Gideon RACHMAN

“Data që do të jetojë në turp” ishte mënyra se si Franklin Delano Roosevelt e përshkroi 7 dhjetorin e vitit 1941 – ditën kur Japonia e sulmoi Amerikën në Përl Harbër, duke vrarë 2 403 veta nga personeli amerikan, përfshirë 68 civilë. Si kundërpërgjigje, ShBA-ja nisi luftën gjithëpërfshirëse kundër Japonisë që kulmoi me përdorimin e bombës atomike. Është vlerësuar se rreth 70 mijë njerëz u vranë vetëm në Hiroshimë. Për Izraelin, 7 tetori 2023 është data që do të jetojë në turp. Sulmet terroriste të Hamasit vranë rreth 1 200 njerëz, shumica prej tyre civilë, ndërsa më shumë se 240 vetë u morën peng. Besohet se, deri tash, reagimi i egër i Izraelit ndaj sulmeve të Hamasit ka vrarë më shumë se 11 500 njerëz në Gazë. Që në fillim, Izraeli ka qenë i acaruar nga kritikat e huaja për veprimet e tij në Gazë – dhe, është kthyer në Luftën e Dytë Botërore për t’i justifikuar ato. Ish-kryeministri izraelit, Naftali Bennett, pa fije dyshimi reagoi kur në fillim të konfliktit u pyet për viktimat civile. Përgjigja e tij ishte: “Seriozisht po më pyet për civilët palestinezë? Çfarë problemi ke? … Po i luftojmë nazistët”!

Benjamin Netanyahu, kryeministri aktual i Izraelit, audiencës perëndimore ia ka kujtuar vdekjet masive të civilëve të shkaktuar nga bombardimet e Drezdenit nga aleatët në vitin 1945. Një ministër izraelit madje spekuloi për hedhjen e armës bërthamore në Gazë – edhe pse shpejt u qortua. Megjithatë, në mendjen e publikut qëndrojnë dilemat morale të shtruara nga Hiroshima, kjo për shkak të suksesit të madh të Opënhajmerit [Oppenheimer]. Filmi flet për babanë e bombës atomike që ka brejtje retrospektive për përdorimin e saj. Por, shikuesit lejohen që vetë të vendosin. A kishte të drejtë J Robert Oppenheimeri që u pushtua nga faji? Apo, kishte të drejtë presidenti Harry Truman që atë e quajti “qaraman” – për keqardhjen për aktin e fundit të egërsisë që nevojitej për t’ia dhënë fundin një lufte të egër?

Hollivudi mund të jetë i papërcaktuar. Por, e drejta ndërkombëtare është e qartë. Sot, si krim lufte cilësohet përdorimi i bombave bërthamore ose konvencionale që qëllim të vetëm kanë shkaktimin e viktimave masive civile. Kjo nuk është pikëpamja e kohëve të fundit që paramendohet nga tofu-eating wokerati [deklaratë e ish-ministres së Brendshme britanike, Suella Braverman, kundër aktivistëve ambientalë me të cilën thënie i akuzon se po e shfrytëzojnë situatën dhe se po e lexojnë ditoren The Guardian – shën. i përkth.]. Konventat e Gjenevës të vitit 1949, të cilat të paligjshme e bënë shënjestrimin e qëllimshëm të popullatës civile, janë hartuar si përgjigje ndaj tmerreve të Luftës së Dytë Botërore. Ato janë ratifikuar nga secili vend i botës. Gjithashtu, Konventat e Gjenevës si krim lufte e konsiderojnë edhe ndërprerjen e ujit dhe të energjisë elektrike për popullsinë civile në një zonë lufte. Ky ishte kërcënimi që Izraeli e bëri në fillim të konfliktit të Gazës, të cilin tashmë e ka tërhequr – megjithëse mbetet shumë e kufizuar sasia e karburantit dhe e ujit të lejuar në Gazë.

Pavarësisht retorikës së politikanëve si Bennett dhe Netanyahu, ushtria izraelite pohon se po vazhdon të ndjek ligjin ndërkombëtar. IDF-ja [Forcat Mbrojtëse të Izraelit] thotë se të gjitha fushatat e saj bombarduese kanë qenë në ndjekje të objektivave legjitime ushtarake dhe se, për fat të keq, viktimat civile janë pasojë e së drejtës së Izraelit për vetëmbrojtje. Nuk ka dyshim se, sipas ligjit ndërkombëtar, Izraeli e ka të drejtën legjitime për vetëmbrojtje. Kjo është arsyeja se pse janë të pakta krahasimet midis veprimeve izraelite në Gazë dhe të sulmeve ruse në Ukrainë. Ndryshe nga Rusia, Izraeli u sulmua. Sipas ligjit ndërkombëtar, e drejta për vetëmbrojtje i lejon veprimet të cilat shumë vëzhgues i supozojnë si “krime lufte”. Për shembull, mund të jetë e ligjshme të sulmosh një spital nëse përdoret si bazë e operacioneve të armikut. Kështu e justifikoi Izraeli sulmin e vet ndaj spitalit al-Shifa në Gazë.

Pas hyrjes në al-Shifa, Organizata Botërore e Shëndetësisë atë e përshkroi si “zonë vdekjeje”. Deri tash, izraelitët nuk kanë dhënë dëshmi të fuqishme se spitali me të vërtetë ishte bazë e madhe e operacioneve të Hamasis. Por, edhe mbajtja e municioneve në një spital, ose përdorimi i tij si pozicion zjarri, atë mund ta bëjë objektiv legjitim – sipas ligjit ndërkombëtar. Megjithatë, goditja do të ishte e ligjshme vetëm nëse avantazhi i fituar ushtarak gjykohet si proporcional me “dëmin kolateral” ndaj civilëve. Fatkeqësisht, sulmet ndaj spitaleve nuk janë devijimi i veçantë, siç besojnë shumë nga kritikët e Izraelit. Një dokument i ri i Institutit Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara në Londër [RUSI], thekson se vetëm në këtë vit kanë ndodhur 855 sulme në objektet mjekësore – në 18 zona konflikti. Forcat siriane dhe ruse sistematikisht i bombarduan spitalet në Siri, duke shkaktuar viktima masive, dhe më pas sistematikisht i mohuan veprimet e veta.

Megjithatë, janë skenat në al-Shifa dhe gjetkë në Gazë ato që kanë irrituar opinionin botëror. Edhe nëse Izraeli e ka mundësinë për t’i bindur juristët ndërkombëtarë se veprimet e tij ishin të ligjshme, shumë vëzhgues do të vazhdojnë të besojnë se ishin të pamoralshme. Ky hendek i perceptuar midis ligjshmërisë dhe moralit, nuk është i pazakontë në historinë e luftës. Në fakt, ishte tmerri retrospektiv për taktikat e përdorura në luftërat e mëparshme, ai që shpeshherë shpiu në përparimin e së drejtës ndërkombëtare humanitare. Pas Luftës së Parë Botërore, përdorimi i gazit helmues u bë i paligjshëm. Konventat e Gjenevës u zgjeruan pas Luftës së Dytë Botërore dhe më pas, përsëri në vitet 1970, si reagim ndaj formave të reja të luftës dhe armatimit. Mjeku i ushtrisë britanike dhe autor në publikimin e fundit të RUSI-t, Si Horne, pohon se ndryshimi i radhës në të drejtën ndërkombëtare humanitare duhet të jetë “përjashtimi i përdorimit të armëve shpërthyese në spitale”. Nëse kjo mundet të ndodh, disa të mira të qëndrueshme mund të dalin edhe nga tragjeditë në Gazë.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 30 Nëntor, 2023 21:21

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare