Ja çfarë rekomandohet për personat me diabet, si të përballen me virusin korona

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka April 4, 2020 20:26

Ja çfarë rekomandohet për personat me diabet, si të përballen me virusin korona

Personat me diabet mund të kenë simptoma dhe komplikime të rënda gjatë infektimit me Kovid 19, por nëse diabeti kontrollohet mirë, atëherë rreziku prej komplikimeve serioze është i ngjashëm me atë tek popullata e përgjithshme, thonë nga Klinika Universitare për Endokrinologji, kumtojnë nga Ministria e Shëndetësisë, njofton Portalb.mk.

Rekomandohet personat me diabet të kenë informacione për kontakt me mjekun e tyre apo infermieren, si dhe në kohë të sigurojnë sasi të nevojshme të ilaçeve dhe materialeve për ndjekjen e diabetit në shtëpi, që të mos kenë nevojë ta braktisin shtëpinë nëse sëmuren.

Tek personat me diabet të cilët janë të infektuar me virusin mund të vijë drejt përkeqësimit të kontrollit të glikemisë gjatë sëmundjes. Ata duhet t’i praktikojnë “rregullat nëse preken nga virusi” të rekomanduara për çfarëdo gjendje stresi me qëllim që ta përmirësojnë gjendjen e çrregulluar me diabetin. Gjithashtu, menjëherë të paraqiten tek mjeku/infermierja e tyre për këshillë për atë se si ta ndjekin nivelin e sheqerit në gjak, çfarë përshtatjesh mbase do të duhet të bëjnë në terapinë e tyre apo ushqimin dhe të marrin rezerva përkatëse të medikamenteve (veçanërisht insulinë).

Përveç rekomandimeve të përgjithshme për mbrojtje nga virusi, rekomandimet e veçanta për personat me diabet në rast sëmundjeje janë:

Konsumoni lëngje mjaftueshëm
Ndiqeni nivelin e sheqerit në gjak
Mateni temperaturën
Nëse jeni në insulinë, ndiqni edhe trupat ketonikë
Ndiqni rekomandimet e punonjësve shëndetësorë
Si përkujtim, personat e infektuar me Covid-19, mund të ndjejnë ethe, kollë, probleme me frymëmarrjen, lodhje dhe dhimbje në muskuj.

Sipas njohurive të deritanishme 98% e të prekurve mbijetojnë, pjesa më e madhe e rasteve (> 80%) janë me pasqyrë klinike të lehtë dhe shfaqin vetëm simptoma minimale të ngjashme me gripin dhe njerëzit mund të kurohen në kushte shtëpiake. Një numër i caktuar i rasteve (rreth 14%) janë të rënda, ndërsa shumë pak (rreth 5%) mund të jenë raste kritike. Disa persona nuk kanë kurrfarë simptomash, ose kanë vetëm simptoma të lehta si ftohje e rëndomtë.

Tek disa të tjerë, COVID-19 mund të shpie drejt problemeve serioze, si penumoni (inflamacion në mushkëri) ose madje edhe vdekje të pacientit. Kjo gjendje është e zakonshme tek personat të cilët kanë probleme të tjera shëndetësore, veçanërisht tek personat më të moshuar, ata me sëmundje të zemrës dhe enëve të gjakut, me sëmundje kronike në mushkëri dhe me tension të lartë të gjakut, si edhe personat me diabet, të cilët mund të kenë simptoma të rënda dhe komplikime nga infektimi me Covid-19.

Por, siç u potencua më lartë, nëse diabeti kontrollohet mirë, rreziku për komplikime është i ngjashëm sikurse ai tek popullata e përgjithshme. Nëse personat me diabet nuk e kontrollojnë mirë diabetin dhe kanë ndryshime të shpeshta në sheqerin në gjak, ekziston rreziku për formë më të rëndë të infeksionit me Covid-19 në krahasim me popullatën e përgjithshme, pasi aftësia e organizmit për të luftuar me infeksionin dobësohet.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka April 4, 2020 20:26