Ja sa persona nisen nga Maqedonia e Veriut këtë vit për në Haxh

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka July 30, 2019 20:36

Ja sa persona nisen nga Maqedonia e Veriut këtë vit për në Haxh

Nga Republika e Maqedonisë së Veriut për në Haxh do të nisen 850 besimtarë. Besimtari më i ri është i moshës pesëvjeçare, përderisa më i moshuari është 82 vjeç, deklaroi për MIA-n, Muzemil Osmani, shef i kabinetit të kryetarit të Bashkësisë fetare islame në Maqedoni.

Sipas tij, në vendet e shenjta Mekë dhe Medinë, ku po realizohet shtylla e pestë e islamit-haxhi, grupi i parë udhëtoi dje, ndërsa të tjerët sot dhe nesër.

Krahasuar me vitin e kaluar, drejt Arabisë Saudite këtë vit nisen 178 besimtarë më shumë.

Përndryshe, nga vendet e Ballkanit Perëndimor drejt vendeve të shenjta Mekë dhe Medinë, nisen mbi 4.100 besimtarë, prej të cilëve numri më i madh janë nga Bosnja e Hercegovina, rreth 1.680 dhe Kosova 1.100 besimtarë. Nga Shqipëria rreth 400, nga Serbia rreth 250, nga Mali i Zi mbi 50 dhe nga Kroacia 15 besimtarë.

Dita e parë e festës së madhe myslimane Kurban Bajramit, bie më 11 gusht (e diel). Festa shënohet katër ditë. Ditën e parë, besimtarët, të cilët mund ta lejojnë këtë, therrin kurban, kryesisht dash, pas çka mishin ua ndajnë familjeve të varfëra.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka July 30, 2019 20:36