Janari vjen me shtrenjtimin e rrymës

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 11 Nëntor, 2021 20:48

Janari vjen me shtrenjtimin e rrymës

Rritja e madhe e çmimeve të energjisë elektrike nga importi si dhe problemet e ndryshme me prodhimin e rrymës nga kapacitetet vendore pritet të shtrenjtojnë rrymën pas vitit të ri. Kalkulimet për shtrenjtimin lëvizin prej 10 deri 20 për qind.

Rritja e madhe e çmimeve të energjisë elektrike nga importi si dhe problemet e ndryshme me prodhimin e rrymës nga kapacitetet vendore pritet të shtrenjtojnë rrymën pas vitit të ri. Kalkulimet për shtrenjtimin lëvizin prej 10 deri 20 për qind. Në vitet e kaluara po shënon ulje edhe prodhimtaria vendore e energjisë elektrike nga 7000 gigavat në 3000 gigavat. Mihjet sipërfaqësore të qymyrit vendor janë konsumuar në një pjesë të madhe , ndërsa akoma mbeten akoma të pa eksploruara, pa projekte se shpaguhet mihja e tyre dhe disi nën hije, edhe rezervat e mëdha nëntokësore të qymyrit që kërkojnë edhe investime më serioze. Nga ana tjetër, njohësit e kësaj çështje vlerësojnë se shteti nevojitet më shumë të angazhohet për tejkalimin e këtij problemi.

“Pas vitit të ri mund të presim shtrenjtimin e rrymës prej së paku 20 për qind ku për shembull nëse në muajt maj apo qershor blihej një megavat orë rrymë për 30 deri 50 euro tani çmimi është shtrenjtuar në bursë deri në 300 euro. Andaj nevojitet që sa më shpejt që qeveria të ulë TVSH-në e rrymës për bizneset përderisa po zgjat kriza energjetike . Qytetarët duhet të përgatiten që të kursejnë rrymë çdo kund ku munden duke nxehur dhomën me 21 deri 22 gradë dhe jo 30 gradë duke ndenjur gjatë dimrit me mangë të shkurtra, duke fikur dritat që pa nevojë janë të kyçura, duke shkyçur edhe televizionit e kështu me radhë”, thotë për gazetën KOHA, eksperti i energjetikës, dhe kryetar i Odës Energjetike pranë Odës ekonomike të Maqedonisë Gjorgji Manaskov. Sipas tij, shteti nevojitet që në mënyrë afatgjatë të zgjedhë problemin me furnizimin stabil dhe të qëndrueshëm me energji elektrike përmes investimeve serioze në centralet që do të përdorin gazin, si dhe impiantet e tjera që përdorin burimet e rinovueshme të energjisë si uji, dielli, era etj.

Sipas tij tani po blejmë energji elektrike prej jashtë me çmim prej 209 euro për megavat, ndërsa qytetarët e paguajnë 37 euro për megavat. Autoritetet nga ana tjetër thonë se ekzistojnë më shumë mënyra që të zbutet rritja eventuale e çmimit të rrymës në vitin e ardhshëm. Në ndërkohë, Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi thotë se po bëhen ë gjitha përgatitjet për të rritur prodhimin vendor të energjisë elektrike që nga fillimi i vitit të ardhshëm të mos ndodhin goditje çmimesh me energjinë elektrike. “Situata në sektorin elektro- energjetik është stabile, çmimi i energjisë elektrike nuk do të ndryshojë deri në fund të vitit, kurse shpallja e krizës energjetike është për të rritur likuiditetin e ‘ESM’ dhe ‘MEPSO’. Prodhimi vendor i energjisë elektrike po rritet, po punohet që të vëmë në funksion të gjitha kapacitetet vendore për prodhimin e energjisë elektrike në mënyrë që pas 1 janarit të mos kemi rritje të madhe të çmimit të energjisë elektrike për amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël”, shton Bekteshi.

Sipas tij, Qeveria aktualisht është e fokusuar në trajtimin e suksesshëm të sfidave të paraqitura nga kriza globale energjetike. Për arritjen e këtij qëllimi janë të përfshirë menaxhmenti i kompanive në sektorin energjetik dhe institucionet qeveritare. Angazhimi ynë më i madh është që t’i mbrojmë qytetarët nga goditjet e çmimeve, dhe t’u ofrojmë kompanive çmimin më të favorshëm të energjisë elektrike, thekson Bekteshi. Pas shpalljes së martën të gjendjes së krizës, kompanive energjetike në pronësi të shtetit do tu transferohen mjete financiare për furnizim me thëngjill dhe për mbulimin e shpenzimeve. Ministria e Financave ka siguruar 100 milionë euro me qëllim që “ MEPSO” apo Operatorit të sistemit elektro përçues të Maqedonisë së Veriut të mbulojë borxhet, ndërsa Elektro Ekonomia e Maqedonisë të sigurojë thëngjill për prodhimin e energjisë elektrike.

Nga ana tjetër, kryetari i Komisioni Rregullator për Energjetikë, Marko Bislimovski, vlerëson se është akoma herët që të flitet për çmimin e energjisë elektrike, sepse ekziston mundësia që të anulohet apo zvogëlohet edhe fitimi i kompanive energjetike në vitin 2022, me qëllim që të parandalohet eventualisht tronditja e çmimeve për konsumatorët. Ai shton më tej se ky problem duhet shikuar edhe në prizmin e faktit se sa Elektro Ekonomia e Maqedonisë duhet të ketë një çmim i cili do të mbulon harxhimet e punës që imponojnë edhe planifikimin e prodhimtarisë, ndërsa furnizuesi EVN planifikon furnizimin me rrymë. Ekspertët e tjerë të energjetikës thonë se edhe vonesat apo edhe mos realizimi i ndërtimit të kapaciteteve të reja energjetike, si dhe mos ndërmarrja me kohë e masave që para disa muaj për të evituar krizën energjetike kanë sjellë kokëçarje për situatën energjetike në shtet. Në të kaluarën janë bërë mjaft lëshime në aspektin e energjetikës, duke filluar nga mos ndërmarrja e masave të nevojshme që në pranverë kur kishte paralajmërime për krizën energjetikë në Evropë. “Para katër vitesh u paralajmëruar se do të hapet miniera Zhivojno që të sigurohet qymyr për funksionimin si duhet të Termo Centralit të Manastirit mirëpo asgjë nuk ka lëvizur nga vendi përkundër premtimeve . Njëherësh nuk janë ndërtuar as hidrocentralet Çebren dhe Galishte dhe as është realizuar ndërtimi i tre centraleve me gaz nga 100 megavat në Tetovë, Shtip dhe Veles”, thotë profesori i energjetikës, Konstantin Dimitrov.

Ndryshe, para orientimit të shtetit ndaj prodhimit të energjisë nga gazi me shndërrimin pas disa vitesh të Termocentralit të Manastirit në impiant që do të prodhojë rrymë me gaz në vend se me qymyr, ekzistonin edhe plane që para 10-12 vitesh që të hapen për mihje nëntokësore, xeheroret në Zhivojno dhe Mariovë, me qëllim të furnizimit stabil me qymyr për së paku 20 vite të termocentralit të Manastirit. (koha.mk)

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 11 Nëntor, 2021 20:48