Jarinja e Bërnjaku vazhdojnë të jenë të bllokuara

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 1 Gusht, 2022 10:12

Jarinja e Bërnjaku vazhdojnë të jenë të bllokuara

Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare dhe autorizimeve ligjore, po vazhdon angazhimet e saj në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, zbatimin e vendimeve të institucioneve të Republikës së Kosovës, si dhe ndërmarrjen e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në Veri të Mitrovicës.

Vendimi për pajisje me dokumentin për hyrje-dalje të qytetarëve që posedojnë dokument personal identifikimi të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, të cilët paraqiten për kalim të kufirit shtetëror të Republikës së Kosovës, ka filluar të zbatohet në nivel vendi.

Policia ka njoftuar se dy pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak vazhdojnë të mbesin të mbyllura për qarkullim, për shkak të vazhdimit të bllokimit të rrugëve në drejtim të këtyre dy pikë kalimeve kufitare, të cilat janë bërë me mjete të rënda nga persona apo grupe të organizuara kriminale.

Informacionet zyrtare konfirmojnë se dje, pas bllokimit të rrugëve në Veri të Mitrovicës, në katër raste ka pasur të shtëna me armë zjarri në drejtim të njësiteve policore, si dhe në një rast është dëgjuar të ketë ndodhur një detonim.

“Fatmirësisht nuk raportohet për ndonjë qytetar apo zyrtar policor të plagosur nga arma e zjarrit”, thuhet në njoftim.

Deri më tani janë raportuar katër raste ku qytetarët shqiptarë të cilët kanë qarkulluar në atë pjesë janë ndaluar dhe maltretuar, duke iu shkaktuar lëndime dhe shkaktim të dëmeve materiale në automjetet e tyre, nga ana e personave të dyshuar të cilët dyshohet se janë pjesë e organizimeve të bllokimit të rrugëve.

Policia e Kosovës ka theksuar se të gjitha veprimet e mëtejme do t’i ndërmarr në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 1 Gusht, 2022 10:12