Joshjet parazgjedhore, projekte vetëm sa për fushatë!

Desk
By Desk March 7, 2020 19:22

Joshjet parazgjedhore, projekte vetëm sa për fushatë!

Ekspertët ekonomik thonë se mbetet që qytetarët më së miri të vlerësojnë se sa në këtë rast bëhet fjalë për intensifikimin e projekteve para zgjedhjeve në këmbim të votës , sa ato janë edhe të realizueshme me të vërtetë në praktikë dhe sa premtimet e ndryshme parazgjedhore nesër nuk do të mbesin vetëm në letër.

Në 20 vitet e fundit, siç po afrohen zgjedhjet si parlamentare, presidenciale apo lokale, pushteti po fillon të joshë votuesit me realizimin e projekteve të ndryshme. Në vitet e kaluara kishim pagesa në rritje të subvencioneve bujqësore si në vitin 2014 kur në muajin shkurt u paguan mbi 77.6 milionë denarë për kulturat lavërtare, si dhe mbi 129. milionë denarë ju paguan kultivuesve të dhenve. Paraprakisht ju paguan subvencionet edhe kultivuesve të duhanit dhe vreshtarëve.

Njëherësh, para pesë vitesh kishim nisjen e punimeve për kanalizimin në rrugën Boca Ivanova në Butel të Shkupit dhe më shumë projekte të tjera të ngjashme në tërë vendin. Aktualisht, para një muaji nisi rinovimi i rrugës së “Plastikave”në Shkup, vendosja e pllakave të bekatonit në vendbanimet e ndryshme urbane dhe rurale. Gjithashtu, para një muaji u vendos edhe gur themeli për ndërtimin e baseneve në Tetovë dhe Shtip. Po fillon edhe rindërtimi dhe zgjerimi i mbi 450 kilometra rrugë lokale në të gjithë komunat në shtet me kredi prej 70 milionë euro si pjesë e projektit “Maqedonia pa baltë”. Këto janë vetëm një pjesë e projekteve që janë realizuar në të kaluarën apo edhe kanë filluar të realizohen aktualisht në luftën për vota. LSDM po premton se në rast se sërish formon qeveri, deri në fund të mandatit deri në vitin 2024 do të hapë 100 mijë vende pune dhe do të ulë papunësinë nën tetë për qind, rritje të pagës mesatare në 36 mijë denarë, të pagës minimale në 18 mijë denarë, rritjen e pagave në arsim dhe shëndetësi për 20 për qind e kështu me radhë. Nga ana tjetër VMRO-DPMNE premton se në rast se formon qeveri të re do të rrisë për çdo vit pagat nga pesë për qind që në fund do të arrijnë në 34 mijë denarë, ndërsa në rast se ka rritje më të madhe ekonomike do të rrisë edhe më shumë pagat. Nga kjo parti kanë premtuar ndërtimin e 20 shkollave të reja dhe rindërtimin e 50 shkollave të tjera, ka premtuar rritje të pagave deri 100 mijë denarë për profesorët universitetarë ordinar, 80.000 denarë për profesorët indordinar, deri 60 mijë denarë për docentët dhe deri 45 mijë denarë për asistentët në fakultete e kështu me radhë. Në ndërkohë, ekspertët ekonomik thonë se mbetet që qytetarët më së miri të vlerësojnë se sa në këtë rast bëhet fjalë për intensifikimin e projekteve para zgjedhjeve në këmbim të votës , sa ato janë edhe të realizueshme me të vërtetë në praktikë dhe sa premtimet e ndryshme parazgjedhore nesër nuk do të mbesin vetëm në letër.

“Çdo herë në kohën e fushatës zgjedhore premtohet shumë dhe fillohen të joshen qytetarët me premtime të ndryshme për të votuar një subjekt politik, mirëpo koha ka treguar se shumë është premtuar dhe pak është realizuar. Gjithashtu mbetet të shikohet se sa në realizimin e projekteve të ndryshme bëhet fjalë për aktivitete që bëjnë pjesë në obligimet dhe aktivitetet e rregullta të qeverisë ,ministrive, apo kryetarëve të komunave, ose bëhet fjalë për projekte që targetojnë grupe të caktuara të votuesve”, thotë profesori i ekonomisë në Universitetin e Evropës juglindore, Nasir Selimi.

Sipas tij, realizimi i premtimeve të ndryshme varet edhe nga më shumë faktorë. “Realizimi i projekteve të ndryshme dhe suksesi i tyre ndërlidhet edhe me mundësitë materiale por edhe menaxhimin e suksesshëm të tyre, si dhe nga situata politike ndërkombëtare. Shpesh bëhet fjalë vetëm për fjalë boshe dhe premtime që nesër nuk do të realizohen. Kemi të bëjmë për shembull edhe me komuna që përkundër dëshirës dhe vullnetit si rrjedhojë e mungesës së mjeteve nuk mund të realizojnë projektet, apo kemi edhe raste kur nuk ofrohet maksimumi për të arritur sukses përkundër potencialit që posedohet”, shton më tej Selimi.

Në ndërkohë, edhe përvojat e shteteve fqinje tregojnë se komunat në të gjithë rajonin si zakonisht po angazhohen në fushatat zgjedhore në dhjetëra projekte rikonstruksionesh që lidhen me rrugë, shkolla, ujësjellës. Bile zgjedhjeve shpesh ua shohin hairin qytetarët e vendbanimeve të ndryshme, pasi që komunat po përkujdesen që shumë projekte të cilat kanë mbetur në gjysmë dhe projekte të tjera të nisen të realizohen gjatë para fushatës, me çka synohet të joshet votuesi. Qytetarët thonë se do të ishte mirë që të ketë më shpesh zgjedhje sepse vetëm në këtë mënyrë “pushtetarët kthehen nga qytetari, të paktën për t’i dëgjuar “problemet dhe hallet e tij”. Në Maqedoninë e Veriut ka pasur raste edhe të realizimit të projekteve në kohën kur ngarkesa në komunikacion është tejet e madhe nga ardhja e diasporës. (koha.mk)

Desk
By Desk March 7, 2020 19:22