Kaliforni, për një javë tre vrasje masive

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 24 Janar, 2023 19:17

Kaliforni, për një javë tre vrasje masive

Kalifornia në tmerr – tre vrasje masive në një javë. Tetë viktima në një ditë e një natë. Një person ka mbetur i vrarë dhe shtatë të tjerë të plagosur si pasojë e të shtënave në një pikë karburanti në Oakland të Kalifornisë.

Ditë më parë, shtatë persona u vranë në dy vende të ndryshme në gjirin Half Moon, rreth 50 kilometra në jug të San Franciskos.

Viktimat u gjetën në një fermë kërpudhash dhe në një kompani të kamionëve aty pranë.

U arrestua sulmuesi 67-vjeçar, Zhao Chunli, banor vendas me origjinë aziatike. Mes viktimave ka fermerë kinezë dhe latinë. Disa nga punëtorët jetonin në ndërtesën në fermë dhe fëmijët e tyre ishin dëshmitarë të të shtënave.

“Për momentin nuk dihet motivi i të shtënave. I dyshuari është dërguar në paraburgim. Në veturën e tij u gjet një pistoletë gjysmë automatike. Ai besohet se ka vepruar i vetëm dhe nuk përbën kërcënim të mëtejshëm për këtë komunitet.”, – deklaroi kryeshefja e qarkut San Mateo, Christina Corpus.

Sulmi erdhi dy ditë pasi 11 persona u vranë gjatë një festimi të Vitit të Ri Hënor në një sallë vallëzimi në Monterey Park, ku jeton pakica aziatike.

Më 16 janar, një nënë dhe foshnja e saj ishin mes gjashtë personave të vrarë nga të shtënat në një shtëpi në luginën qendrore të Kalifornisë.

Presidenti amerikan Biden kërkoi nga Forcat Federale të Sigurisë që të ofrojnë të gjithë ndihmën e mundshme për autoritetet lokale.

“Ndihem mirë, por kam disa probleme me gjumin. Shëndeti im mendor besoj se po rimëkëmbet. Shpresoj se edhe ata njerëz që u qëlluan së shpejti do të shërohen.”, – deklaroi dëshmitari i sulmit në Monterey Park, Brandon Tsai.

“Njerëzit kanë frikë. Festa jonë e gëzueshme e Vitit të Ri Hënor u shndërrua në tragjedi dhe frikë. Por, ne patjetër duhet të mbështesim njëri-tjetrin.”, – theksoi kongresmenia, Judy Chu.

Viti i ri solli një valë tronditëse vrasjesh në ShBA me 39 të vdekur. Gjykata e Lartë e ShBA-së vitin e kaluar lejoi mbajtjen e armëve për vetëmbrojtje, pavarësisht vrasjeve të shumta masive dhe ndarjeve të thella mbi mënyrën se si të zgjidhet problemi i dhunës me armë.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 24 Janar, 2023 19:17