Me 12 vota pro, kryetar i ri i Këshillit të Kërçovës u zgjodh këshilltari i BDI-së, Skender Xhabiri, i cili i ftoi këshilltarët që të angazhohen bashkërisht për interesin e qytetarëve dhe zhvillimin e komunës së Kërçovës.
“Ju lusë të gjithëve që t’i lejmë anash inatet politike duke mos e dëmtuar qytetarin që na ka votuar.”,- tha kryetari i këshillit të Kërçovës, Skender Xhabiri.
Bazuar në nenin 29 të rregullores së Këshillit dhe me arsyetimin e obligimeve profesionale, mandatet e tyre i dorëzuan tre këshilltarët e BDI-së: Gjika Jahoja, Qemal Rushiti dhe bartësi i listës Gazmend Jusufi. Këto këshilltarë do të zëvendësohen me kandidatët pasues të listës së këshilltarëve të BDI-së.
“Është angazhimi imë profesional, që me kalimin e kohës do të shihni se me të vërtet nuk mundeshim të arrijmë edhe këtu të kthehemi, sepse jemi të angazhuar në Shkup. E vetmja arsye është angazhimi jonë profesional. Nuk duhet të keni dyshim si popullatë se të gjithë kandidatët e asaj liste kanë qenë me të njëjtën vlerë dhe nuk mundemi ne të themi se kandidatët tjerë s’kanë as pak vlerë. Vlera e të gjithë 23 kandidatëve të BDI-së ka qenë e njëjtë.”,- theksoi Gazmend Jusufi nga BDI.
Në përbërjen e re të Këshillit të Kërçovës, BDI do të përfaqësohet me 8 këshilltarë, VMRO-DPMNE me 7, LSDM me 3, po aq sa ka edhe lista e pavarur e këshilltarëve, ndërsa PLD dhe Koalicioni Aleanca-Alternativa, me nga një këshilltar komunal./ Tvm2