Kaosi urbanistik, Aliu: Zgjidhet vetëm nëse funksionon ligji

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka July 19, 2019 20:09

Kaosi urbanistik, Aliu: Zgjidhet vetëm nëse funksionon ligji

Ndërtimet pa leje, mosfunksionimi deri në bllokim i kasave komunale, mospasja e kapaciteteve për t’u përballur me kompetencat shtesë të akorduara me decentralizim. Janë këto probleme të shumicës së komunave në vend. Fajtorë kryesorë për këtë gjendje, sipas profesorit universitar, Agni Aliu, janë mosfunksionimi i shtetit ligjor dhe niveli i lartë i korrupsionit. Problemi i kaosit urbanistik haset në shumicën e komunave të vendit. E për t’u zgjidhur ky kaos, sipas Aliut, në fillim duhet të vihet rend në sistemin juridik.

“Problemi gjeneron aty se pikërisht ne kemi një sistem juridik absolutisht të degjeneruar dhe për sa kohë që nuk bëhen ndryshime radikale që përkojnë me kushtin themelor me anëtarësimin e RMV-së në BE, natyrisht që këto probleme e kanë vështirë për t’u zgjidhur. Aq kohë sa do të vazhdojmë që mos të rregullohet sistemi juridik, këto probleme nuk do të zgjidhen për shkak se e kemi pushtetit qendror dhe atë lokal tërësisht të korruptuar”,- u shpreh profesori universitar, Agni Aliu.

Aliu: Shumë premtojnë në zgjedhje, tani kanë probleme

Sipas Aliut, kryetarët e komunave i hapin probleme vetes që nga fushata elektorale. Sipas tij, ata japin premtime të cilat janë të parealizueshme, prandaj nuk veprojnë dot në momentet kur duhet të zbatojnë ligjin.

“Premtimet në fazën elektorale, premtimet të cilat i japin kandidatët e mundshëm për të udhëhequr me pushtetin lokal, është vështirë të zbatohen se janë marramendëse dhe pikërisht tani kur duhet të zbatohet ligji, hasë sharrën në gozhdë dhe aty natyrisht se hasin në probleme që nuk kanë zgjidhje të lehtë, por që kërkojnë një përkushtim të madh nga të gjitha organet”,- u shpreh profesori universitar, Agni Aliu.

Decentralizimi i komunave ishte i paraparë me Marrëveshjen e Ohrit. Por, që nga atëherë e deri më sot, në Maqedoni ky proces është shoqëruar me probleme të shumta.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka July 19, 2019 20:09