Kapacitetet prodhuese të energjisë, Kovaçevski: Deri në dhjetor të gjitha në funksion
Për momentin gjendja në sektorin energjetik është stabile, por nuk dihet se çfarë na pret në periudhën në vijim. Kjo do të varet nga ajo se sa vendi ka kapacitet për të prodhuar rrymë. Drejtoi i EMV-së, Vasko Kovaçevski, tha se deri në dhjetor do të funksionojnë të gjitha kapacitetet prodhuese të energjisë elektrike në vend.
“Në këtë periudhë maksimalisht po angazhohemi t’i përforcojmë kapacitetet në shtet, që të lëshohen të gjitha blloqet në funksion në REK -Manastir. Osllomeji duhet të kyçet në dhjetor, kurse me atë çfarë ndodhi në bllok 3 në pjesën e transformatorit shohim ta sanojmë në një afat sa më të shpejtë dhe në kohë të sezonit të dimrit të jetë në funksion.”,- tha drejtori i SH. A. EMV-së, Vasko Kovaçevski.
Ramadani akuzon EMV-në: Shteri hidrocentralet kur energjia ishte lirë
E përderisa shteti nuk ka prodhim të mjaftueshëm të energjisë elektrike, po vazhdon të merr energji elektrike nga jashtë me çmime të larta. Drejtori i MEPSO-s, Kushtrim Ramadani, theksoi se fajin kryesor e ka SHA EMV, pasi ka shfrytëzuar hidrocentralet në kohë kur energjia ka qenë në treg me çmim të lirë si dhe nuk ka prodhuar energji sa duhet në termocentralet në Manastir.
“Nga 85 gigavat orë që kemi marr nga rrjeti elektrik i Evropës, 75 gigavat orë kanë qenë si pasojë e prodhimit jo të mjaftueshëm në termocentralet dhe hidrocentralet që është përgjegjësi e EMV-së. Apeli ynë ka qenë tërë kohën që ne këtë energji ashtu ashtu duhet ta paguajmë, përse jo me kohë, në qoftë se i mungon energjia ta blejmë në treg të lirë.”,- theksoi drejtori i MEPSO-s, Kushtrim Ramadani.
Sa i përket rritjes eventuale të çmimit të energjisë elektrike, autoritetet thonë se deri në vitin e ri nuk do të ketë rritje çmimesh, por askush nuk garanton se çfarë do të ndodhë më pas./ Tvm2