Kartela për naftë të gjelbër, Selami: Do të përfitojnë rreth 60 mijë bujq

Desk
By Desk April 30, 2020 20:40

Kartela për naftë të gjelbër, Selami: Do të përfitojnë rreth 60 mijë bujq

Rreth 60 mijë bujq do të përfitojnë nga masa “naftë e gjelbër”, por kësaj radhe atyre do t’u mbulohet rreth 50 për qind e shpenzimeve.

Zëvendësdrejtori i Agjencisë për Mbështetjen Financiare të Bujqësisë, Abdulselam Selami, në një prononcim për TVM2 theksoi se vlera e kartelave do të jetë varësisht nga kultura që është mbjellë, ndërsa kësaj radhe bujqit nuk do të kenë nevojë për të aplikuar për këtë masë, pasi ajo do t’u jepet të gjithë atyre që janë regjistruar për marrje të subvencioneve nga viti i kaluar.

“Prej 30 për qind ne rritëm në 50 për qind të shpenzimeve që do të bëjë një bujk në përpunimin e tokës, varësisht prej sipërfaqes së tokës dhe varësisht prej kulturës që do e mbjellë ashtu edhe do të kalkulohet se sa do të jetë vlera e kartelës. Bujqit nuk duhet të aplikojnë askund, mirëpo ajo do shkojë direkt sipas paraqitjes së subvencioneve që kanë pasur në vitin 2019.”,- tha zëvendësdrejtori në Agjencinë për Mbështetje të Bujqësisë, Abdulselam Selami.

Subvencionet, Selami: Do të paguhen në kohë, pavarësisht krizës

Sa i përket pagesës së subvencioneve, Selami njoftoi se ato raste primare janë paguar të gjitha, ndërsa në vijim janë subvencionet sekundare. Siguroi bujqit të jenë të qetë, pasi edhe përkundër krizës ekonomike me Covid-19 ata do t’i marrin paratë.

“Sektori i bujqësisë në pagesën e subvencioneve nuk ka pasur asnjë ndalesë. Të gjitha subvencionet do të paguhen pa asnjë problem. Unë apeloj deri tek të gjithë bujqit të mos kenë dert në pagesat e subvencioneve, pasi buxheti është dhe pagesa do të realizohet.”,- u shpreh Selami.

Ndërkohë, nga Agjencia për Mbështetjen Financiare të Bujqësisë informuan përdoruesit e masës “naftë e gjelbër” se afati i fundit për kartelat e vitit të kaluar për furnizim me karburantin euro dizel për makineri bujqësore skadon në 30 prill të vitit 2020. (TVM2)

Desk
By Desk April 30, 2020 20:40