“Katimerini”: Rivaliteti mes Sofjes dhe Shkupi krijon plasaritje të re në krahun juglindor të NATO-s

Redaksia
By Redaksia 1 Dhjetor, 2020 13:28

“Katimerini”: Rivaliteti mes Sofjes dhe Shkupi krijon plasaritje të re në krahun juglindor të NATO-s

Insistimi i Bullgarisë që ta bllokojë fillimin e bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, paraqet rrezik për krijimin e edhe një plasaritje të krahut juglindor të NATO-s, në kushte kur ekzistojnë ndarje të thella mes të dy anëtareve të tjera në Paktin e rajonit – Greqia dhe Turqia, vlerëson edicioni elektronik i gazetës greke “Katimerini”.

Sipas gazetës, mes Sofjes dhe Shkupit po krijohet një përplasje e re “për shkak të kontroversës së vjetër dy shekuj në bazë etnike”.

“Edhe Bullgaria edhe Maqedonia e Veriut janë anëtare kyçe të Aleancës në rajon. Bullgaria me rolin e saj si supervisor mbi Detin e Zi dhe në jug të Rusisë, ndërsa Maqedonia e Veriut si tampon zonë kundër përhapjes së mëtutjeshme ruse në zemrën e Ballkanit. Të dyja vendet shumë fuqishëm i ndjejnë pasojat nga konflikti amerikan – rus për ndikim”, shtoi gazeta.

Sipas “Katimerinit”, deri më tani duket se rivaliteti mes Sofjes dhe Shkupit nuk ndikon ndaj NATO-s, e cila është në qëndrimin se bëhet fjalë për “çështje evropiane të cilën duhet ta zgjidhin vendet anëtare të BE-së”.

“Edhe po të jetë ashtu, bllokada e Bullgarisë për hyrje të Maqedonisë së Veriut në BE nuk del nga kriteret për anëtarësim, si nevoja për përforcim të demokracisë ose çrrënjosjen e korrupsionit, por ajo bazohet në pohimet historike të cilat e nxisin nacionalizmin e të dyja palëve dhe kjo së shpejti do të mund të kishte ndikim edhe ndaj NATO-s, nëse këto dallime nuk tejkalohen”, shtohet në komentin e gazetës athinase.

“Katimerini” vlerëson se të gjitha këto ngjarje i rrisin “ethet antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, ndërsa qëndrimet e Shkupit drejtë Sofjes bëhen më agresive.

Gazeta thekson se autoritetet në Shkup e refuzuan kërkesën e Sofjes që të marrë pjesë në kontrollin e NATO-s në hapësirën ajrore mbi Maqedoninë e Veriut dhe u tërhoqën nga pjesëmarrja në projektin për centralin bërthamor bullgar “Belene”, duke e mbështetur në vend të tij projektin për gaz natyror në portin verior grek Aleksandropolis.

“Në ndërkohë, Bullgaria po përgatitet për zgjedhje në pranverë, ndërsa elita politike dëshiron të përfitojë nga ndjenjat nacionaliste, duke tentuar që të krijojë agjendë të re ballkanike të bazuar në periudhën e Perandorisë Osmane dhe aspiratat e mëdha të shekullit 19, duke i akuzuar vëllezërit e tyre ballkanas se po largohen nga rruga e drejtë”, përfundon “Katimerini”.

Redaksia
By Redaksia 1 Dhjetor, 2020 13:28