KEQPËRDORIMET ME BALANCUESIN: Maqedonasit shqiptarë, e shqiptarët maqedonas!

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 6 Gusht, 2022 20:23

KEQPËRDORIMET ME BALANCUESIN: Maqedonasit shqiptarë, e shqiptarët maqedonas!

Në një vend ku vlen motoja “Gjendu, pastaj jeto”, nuk është e vështirë që një maqedonas të jetë shqiptar, Zorani turk, Iliri vlleh e Metini serb. Antikorrupsioni thotë se njerëzit gënjejnë për kombësinë e tyre për të plotësuar kushtet dhe për të marrë një vend pune në administratën publike

Një person ka konkurruar për pesë vende pune në administratën publike. Ai u deklarua një herë si shqiptar, në vendin e dytë si turk, në vendin e tretë – rom, pikërisht ashtu siç ishte parashikuar në shpallje. Një tjetër kandidat u shkrua si turk për të plotësuar kushtet e shpalljes. Pas kontrolleve është konstatuar se ata paraprakisht kanë deklaruar kombësinë – njëri maqedonas, tjetri shqiptar. Të dy janë punësuar përmes shpalljeve. Këtë e kumtoi Nuri Bajrami nga Antikorrupsioni para disa ditëve. Antikorrupsionerët kërkojnë të shlyhen punësimet në bazë të përkatësisë etnike, sepse ligji po keqpërdoret, ndërsa për këtë institucionet po heshtin. Sipas Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit, kandidatët kanë gënjyer për përkatësinë etnike të tyre vetëm që të punësohen. Kështu, dy persona janë punësuar edhe në Komisionin Shtetërorë për Parandalimin e Korrupsionit. Disa thonë se, ashtu si me marrjen e pasaportave bullgare, njerëzit poshtërohen dhe shkruhen si shqiptarë, romë, turq, vlleh, maqedonas apo çfarëdo që kërkohet në shpallje. E disa të tjerë, thonë se nuk ka asgjë poshtëruese në kombësinë, por bëhet fjalë për dobësi të ligjit.

Balancuesi është një mjet digjital i Ministrisë së shoqërisë informatike dhe administratës me të cilën bëhet llogaritja sa duhet të jetë kuota për përfaqësim të drejtë në një institucion të caktuar. Nga ana tjetër, drejtuesit e institucioneve që punësojnë në këtë mënyrë i referohen nenit 8 të Kushtetutës, ku thuhet se “shprehja e lirë e përkatësisë kombëtare” është vlerë themelore e rendit kushtetues. Nëse dikush ndihet edhe si suedez, askush nuk ka të drejtë ta kundërshtojë këtë.

Disa bëjnë shaka se administratorët nuk kanë nevojë për ndonjë kualifikim tjetër, duke pasur parasysh atë që bëjnë. Ndërsa ka edhe të tjerë që ankohen se nuk vlerësohet cilësia, por përkatësia etnike gjatë punësimit të tyre. Ky nuk është rasti i parë i punësimeve të tilla. Vitin e kaluar opinioni ka qenë dëshmitarë i rasteve ku personat e quajtur Sara, Kristina dhe Lubço janë në Operën dhe Baletin e Maqedonisë, si violiniste dhe violonçelistë, ndërsa në shpallje vendi ka qenë i rezervuar për shqiptarë. Zëvendëskryeministri Artan Grubi para dy vitesh ka paralajmëruar se Qeveria do të shqyrtojë mundësinë e subvencionimit të kompanive private që do të punësojnë shqiptarë apo qytetarë nga komunitetet tjera më të vogla etnike për të arritur përfaqësim të drejtë. Qytetarët në rrjetet sociale u shprehën me shaka se po të hapej konkursi për punësimin e danezëve do të habiteshim se sa danezë ka në vend.

Sofka Pejkovska-Dojçinovska, anëtare tjetër e Antikorrupsionit, tha se balancuesi ndoshta në fillim kur u vendos ishte mjet për përfaqësim të drejtë, por dukshëm tani është në kundërshtim me atë. (koha.mk)

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 6 Gusht, 2022 20:23