“Kërce edhe ti !” – event konkurrues në prag të Festivalit të Poezisë në Shkup

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 3 Gusht, 2022 19:54

“Kërce edhe ti !” – event konkurrues në prag të Festivalit të Poezisë në Shkup

“Stepping Board” është eventi poetik që do të bashkojë të gjithë poetet dhe poetët e rinj, premtues, të njohur apo më pak të njohur nga skena letrare vendase, event ky që është pararojë e Festivalit të ardhshëm të Poezisë në Shkup, i cili do të mbahet nga 29 gushti deri në 1 shtator.

Eventi do të ketë karakter konkurrues dhe është menduar për poetë të moshave 16 deri në 25 vjeç. Fituesi do të prezantohet në hapjen e festivalit.

“Ne do t’i zgjedhim pjesëmarrësit dhe vetë ata do të zgjedhin fituesin që do të “kërcejë” në hapjen e edicionit të dytë të FPS-së, më 30 shtator në Qendrën Kulturore Rinore – Shkup dhe do të lexojë së bashku me pjesëmarrësit e tjerë të festivalit. Nëse jeni nga mosha 16 deri në 25 vjeç dhe dëshironi të merrni pjesë në “Stepping Board”dërgoni dy nga poezitë tuaja në contact@spf.mk jo më vonë se 10 gusht“– thonë organizatorët.

Emrat e konkurrentëve të përzgjedhur do të publikohen në faqet zyrtare të festivalit në Facebook dhe Instagram, ndërsa leximi do të mbahet në kafenenë “Bukva” më 29 gusht, me fillim nga ora 20:00.

Festivali mbështetet nga qyteti i Shkupit, nga kafe-libraria “Bukva” dhe nga Qendra Kulturore Rinore – Shkup.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 3 Gusht, 2022 19:54