Kërkesa për ekstradimin e Morinës, Ministria e Drejtësisë: Gjykatat vendosin të hënën

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka August 2, 2019 20:22

Kërkesa për ekstradimin e Morinës, Ministria e Drejtësisë: Gjykatat vendosin të hënën

Kërkesa për ekstradim e Tomor Morinës edhe zyrtarisht mbrëmjen e së enjtes arriti në Ministrinë e Drejtësisë. Nga atje thonë se për shkak të festës, kërkesën deri tek gjykata do ta dërgojnë të hënën, ku do të vendosen se a do të pranohet apo jo.

Pala serbe shpreson në epilog pozitiv.

“Të gjitha vendet që janë pjesë e Interpolit duhet të respektojnë rregullat ndërkombëtare. Maqedonia e Veriut duhet ta bëjë një gjë të tillë, bazuar në urdhër arrestin dhe një dokument që Serbia e ka dërguar, e ajo është që t’ia dorëzojë Morinën autoriteteve shtetërore serbe”,- tha ministri i brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviç.

Sipas Stefanoviçit, është shqetësues fakti nëse nuk do të ndodhë ekstradimi i Morinës dhe se Maqedonia e Veriut do ta lejojë një gjë të tillë.

Zaev ditë më parë deklaroi se duhet të respektohet sundimi i ligjit dhe normat ndërkombëtare, dhe se për Morinën vendosin institucionet kompetente.

Zaev gjithashtu shtoi se Morina është një qytetar i Kosovës dhe jo i Serbisë, dhe sipas ligjit ndërkombëtar nuk mund të ekstradohet në një vend tjetër një shtetas i huaj.

Ish ushtari i UÇK-së, Tomor Morina, u arrestua javën që lamë pas në vendkalimin kufitar Bllacë pas një urdhërarresti nga Interpoli.

Ai akuzohet nga Serbia për krime lufte ndaj civilëve. Për rastin në fjalë reaguan nga partitë shqiptare, të cilat kërkuan lirimin e menjëhershëm të Morinës. (Gazmend Kurtishi, TVM2)

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka August 2, 2019 20:22