Këshilli Gjyqësor, Zdravev – kryetar i ri, Ademi – nënkryetar. Zdravev dhe Ademi: Procedurat e ngritura do t’i përfundojmë

Desk
By Desk 25 Prill, 2019 19:25

Këshilli Gjyqësor, Zdravev – kryetar i ri, Ademi – nënkryetar. Zdravev dhe Ademi: Procedurat e ngritura do t’i përfundojmë

Me dymbëdhjetë vota “për” dhe as një “kundër”, Këshilli Gjyqësor ka zgjedhur për kryetar të ri të tij gjykatësin suprem, Kiro Zdravev. Zëvendëskryetar u zgjodh Selim Ademi.

Zdravev premton se do të angazhohet për punë transparente dhe me përgjegjësi, me qëllim kthimin e besimit të qytetarëve tek pushteti gjyqësor, i cili ka kohë që seriozisht është lëkundur. Në pyetjen se nëse Këshilli do t’i shkëputë lidhjet me politikanët, Zdravev tha se atë ia ka lënë ndërgjegjes së anëtarëve të Këshillit, por u zotua se do të punojë me ndërgjegje dhe sipas ligjit.

Zdravev dhe Ademi u zotuan që të gjitha procedurat e iniciuara para Këshillit e që kanë të bëjnë me punën joprofesionale të gjykatësve ku bën pjesë edhe kryetari i Gjykatës Supreme, Jovo Vangelovski, do t’i përfundojnë më së voni deri në fund të vitit.

“Ajo do të jetë prioritet, ajo është punë që ka mbetur nga përbërja e mëparshme. Meqë ka filluar procedura duhet të mbarohet, por sigurisht para pushimeve jo, por në vjeshtë sigurisht se do të merremi seriozisht me këtë punë. Deri atëherë planifikojmë nëse ka mundësi që të zgjedhim 6 gjykatës në Gjykatën e Apelit në Shkup, dy gjykatës në Gjykatën Administrative dhe kryetarë të 10 gjykatave”,- tha kryetari i Këshillit Gjyqësor, Kiro Zdravev.

“Do të mundohemi që të respektojmë Ligjin pa marrë parasysh se për cilin gjykatës do të jetë apo për anëtar të Këshillit Gjyqësor në përputhshmëri me dispozitat ligjore vazhdojmë të gjitha veprimet, por sinqerisht të them procedurat të cilat janë të hapura në Këshillin Gjyqësor përfundimisht duhet të përfundojnë”,- tha nënkryetari i Këshillit Gjyqësor, Selim Ademi.

Zdravev ishte kandidatura e vetme për këtë post dhe zëvendëson Zoran Karaxhovskin që ishte në këtë pozitë 3 vite. Mandati i kryetarit të Këshillit Gjyqësor, sipas Ligjit të ri është dy vite. (Tvm2)

Desk
By Desk 25 Prill, 2019 19:25