Koment: Kasami e nisi mandatin me ankesa, vërejtje, bllokime e revidime projektesh!

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 20 Janar, 2022 12:27

Koment: Kasami e nisi mandatin me ankesa, vërejtje, bllokime e revidime projektesh!

Katër nëntori i vitit 2021 shënoi fillimin e epokës qeverisëse të Bilall Kasamit me komunën e Tetovës. Dhe derisa kanë kaluar tre muaj nga kabineti i Bilallit janë sjellë vendime për menjanime të projekteve të realizuara më herët, revidime projektetsh, largime nga puna, ndërprerje të shërbimeve siç është transporti publik e tjerë.

Me ardhjen e tij në krye të komunës, Kasami e nisi me largimin e shtigjeve të biçikletave përgjatë bulevardit të “Ilindenit” me arsyetimin se projekti proces gjyqësor.

Vendim tjetër ishte ndërprerja e transportit publik në Tetovë, me arsyetimin që shumë shpejt por edhe më i fuqishëm do të rikthehet transporti publik në këtë qytet.

Tjetër vendim që solli dhe pastaj e vuri përsëri ishte parkimi zonal me pagesë. Pas një pauze tre javore, parkimi zonal në fillim të dhjetorit – 2021, u rikthye sërish me pagesë, edhe pse në fushatë Kasami kishte premtuar që” Deri sa të zgjidhet tërësisht ky problem, parkingjet në Tetovë do të jenë pa pagesë, madje duke shtuar që: “Për çdo banesë dhe shtëpi do të ketë parking adekuat, si dhe në Tetovë do të ndërtohen parkingje me kate.

Për kaq kohë, me vendim të Këshillit komunal u bë pezullimi i Planit Detal Urbanistik, në bllokun 57 A të fabrikës “Shik Jellak” në Tetovë.

Po ashtu, Kryetari i ri i Tetovës Bilall Kasami ka ndërprerë të gjitha projektet që kanë qenë në fazën e realizimit nga ana e komunës, e që kanë nisur kur me komunën drejtonte Teuta Arifi. Sipas tij, janë mbi 20 projekte ku ka shkelje të rënda dhe ku nuk janë paraparë mjete me çka e rëndojnë edhe buxhetin e komunës me borxhe.

Së fundmi, nga Komuna e Tetovës kanë bërë të ditur se ka filluar zbatimi i rregullores së re për rrugët njëkahëshe, vendim ky që u miratua nga Këshilli i Komunës së Tetovës. Rrugët të cilët do të jenë njëkahëshe janë: “Probishtipska”, “Nikolla Tesla”, “L.B Pish”, rrugët prej tek “Eski Xhamia” deri tek shkolla “Bratstvo – Migjeni”.

Dhe derisa mbushen katër muaj në krye të komunës së Tetovës, janë 16 projekte kapitale që Kasami i premtoi për mandatin katër vjeçar e që ende nuk janë në fazën e fillimit të ndërtimit. Janë këto projekte që Kasami u zotua që t’i realizon:

“1. Shkollat fillore me një ndërrim, duke ndërtuar objekte të reja shkollore në qytet dhe fshatrat e Malësisë. Çerdhe për çdo fëmijë të moshës parashkollore
2. Të gjitha shkollat do të pajisen me tabela elektronike për çdo klasë, projektore për çdo klasë, restaurimin e terreneve sportive, furnizimin e kabineteve me mjete të nevojshme.
3. Ndërtim i rrjetit të ri shpërndarës të ujit. Do të ketë 24 orë ujë për pije.
4. Ndërtim i rrjetit të ri të kanalizimit të ujërave të zeza dhe atmosferike.
5. Strukturim i ndërmarrjeve publike që kanë probleme financiare. Strukturim i ri i NPK-së.
6. Zgjidhje përfundimtare me transportin publik
7. Malësinë e Tetovës do ta shndërrojmë në qendër turistike e kulturore.
8. Zhvillimin e zonave ekonomike të Tetovës.
9. Themelimi i zyrës për Inkubator biznesi
10. Ndërtimi i 4 pishinave të mbyllura.
11. Revidimi dhe zgjerimi i Planit Urbanistik.
12. Ndërtimi i fushave sportive në Malësinë e Tetovës.
13. Ndërtim dhe merremetim i infrastrukturës rrugore.
14. Ndërtimi i parkingjeve në zonën qendrore.
15. Krijimi i Policisë Komunale.
16. Ndërtim i fabrikës për reciklimin e mbeturinave”.

Dhe pos këtyre nismave të Kasamit në këto 3 muaj e 3 javë të qeverisjes, në komunikim me opinionin disa herë ka paraqitur borxhet e trashëguara dhe problemet me të cilat ballafaqohet institucioni që drejton. Për shumë kë, këto arsyetime të Kasamit janë alibi para opinionit për pamundësinë e realizimit të premtimeve në mandatin e tij.

“Nuk mund të them se punët shkojnë sipas dinamikës së paraparë sepse jemi ballfaquar me një situatë të cilën nuk e kemi paramenduar se mund ta gjejmë komunën e Tetovës”, u shpreh Kasami në fillim të janarit në intervistën për gazetën Lajm. KOMENT – REDAKSIA FLAKA

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 20 Janar, 2022 12:27