Komisioni i Venecias, përdorimi i gjuhës shqipe dhe debati mes partive politike

Komisioni i Venecias, përdorimi i gjuhës shqipe dhe debati mes partive politike

Konkluzionet e Komisionit të Venecias për të rishikuar Ligjin për gjuhët dhe shfuqizimin e dygjuhësisë në procedurat gjyqësore ka ndezur skenën politike dhe debatet në Maqedoni. Kryeministri Zoran Zaev kërkon që të respektohen rekomandimet e Venecias dhe se paralajmëron rishikimin e ligjit.

“Që kur kemi debatuar edhe në sjelljen e Ligjit, kemi thënë se do ta presim Komisionin e Venedikut dhe do ta respektojmë. Prandaj qëllimi është të respektojmë Komisionin e Venecias si reper të mirë për gjitha vendimet ligjore nga sfera e të drejtës dhe është preciz për gjyqësinë. Mirë është që kalohet kufiri i përdorimit evropian të gjuhës, por megjithatë shkelni të drejtë caktuar, ajo është e drejta e barabartë. Ajo është e drejtë e lartë njerëzore dhe u dedikohet të gjithëve”, ka thënë Zaev. Ai njoftoi se me rekomandimin e Komisionit të Venecias do të ketë ndryshime edhe në gjobat për mosrespektim të ligjit.

Por nga BDI nuk janë në në linjë me kryeministrin Zaev si partner i koalicionit. “Arsyeja kryesore pse ligji është dërguar në Komision ishte vlerësimi i dilemës se a duhet dygjuhësia të jetë pjesë e banknotave dhe uniformave të ushtrisë. Vlerësimi i Komisionit është pozitiv për këto dispozita. Andaj, debati që do të hapet tani është për inkorporimin e këtyre dispozitave në ligj. Sa i takon vërejtjeve për gjuhën në Gjyqësor, mendoj që duhet të vazhdojmë të ndërtojmë kapacitete sa më shpejtë dhe në Gjyqësor dhe segmente të tjera të administratës për ta lehtësuar zbatimin e ligjit, me qëllim të tejkalimit të vërjtjeve të Komisioniot. Rihapja e ligjit nënkupton rihapjen e Marrëveshjes së Ohrit”, vlerëson Osmani.

Nga VMRO-DPMNE kërkojnë që ligji duhet të tërhiqet menjëherë nga funksioni.

“Duhet të bëhet një ligj i ri, ku do të marrin pjesë të gjitha bashkësitë etnike në Republikën e Maqedonisë dhe të bëhet një ligj sipas masës dhe përfaqësimit të të gjithëve, pa u favorizuar etni të caktuara në dëm të të gjithë të tjerëve”, theksoi zëdhënës i VMRO -DPMNE-së, Dimçe Arsovski.

Edhe Naum Stoilkovski në një konferencë për shtyp pranë selisë së VMRO-DPMNE-së tha përplasjet mes Osmanit dhe Zaevit, tregojnë se Zaev nuk ka koncept të qeverisë.

Ai komentoi edhe kërkesën e partive politike shqiptare në opozitë për ndryshim të Kushtetutës dhe bërjes së shqipes gjuhë të dytë zyrtare, duke thëne: “Duhet që të gjitha palët te ulemi e ta përgatisim një ligj më të mirë se ky, por në suaza të Kushtetutës.

Aleanca e Shqiptarëve (ASH) theksoi se shqiptarët nuk janë pakicë dhe se gjuha shqipe duhet të rregullohet përsëri me Kushtetutë.

“Së pari, ligji nuk është dashur të dërgohet fare sepse është në përputhje me Kushtetutën e RSM, megjithëse qeveria e dërgoi atë për të marrë një rekomandim nga Komisioni i Venecisë, por ishte menduar vetëm që ta dërgonte atë për dy pyetje. Rekomandimet tani po vijnë për të përdorur gjuhën e gabuar të minoriteteve në Bashkimin Evropian. Ne shqiptarët nuk jemi pakicë këtu, por jemi një bashkësi përbërëse, mbi 25%. Si Aleancë për Shqiptarët insistojmë të bëjmë ndryshime kushtetuese dhe ta bëjmë shqipen gjuhën zyrtare, jo gjuhën e 20 përqindëshit “, tha sekretari gjeneral i ASH-së, Arben Taravari. Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami theksoi se është emergjente që partitë shqiptare të ulen në një tryezë dhe të zbatojnë Platformën e partive shqiptare për ta zgjidhur njëherë e përgjithmonë gjuhën shqipe.

“Ka dy gjëra – njëra është që ne jemi dakord me Komisionin e Venecisë dhe tjetra është se ne nuk jemi dakord. Ajo që biem dakord është që ligji të merret në konsideratë dhe ne, si Lëvizja Besa, kërkojmë që partitë shqiptare të ulen dhe brenda Platformës së Partive Parlamentare Shqiptare të zgjidhin një herë e përgjithmonë problemin e gjuhës shqipe dhe asaj shqipe si gjuhë zyrtare e Kushtetutës. Ajo që ne nuk pajtohemi në këtë raport është se shqiptarët janë pakicë. Shqiptarët në Maqedoni janë populli me shumicë të dytë ”, theksoi Kasami.

Edhe nga Alternativa kanë qëndrimin e tyre. “Gjuha shqipe nuk është zyrtare, ajo është vetëm e përparuar. Ne gjithashtu kemi thënë që zyrtarizimi i gjuhës shqipe nuk kryhet me ligje që hartohen brenda natës dhe brenda dy palëve, pasi pasojat e tilla atëherë lindin. Ne besojmë se në vendin tonë modeli i politikës gjuhësore duhet të ripërcaktohet, duke prodhuar një shtet dygjuhësh që do të rregullohej me Kushtetutë. Atëherë nuk do të kishte mosmarrëveshje nga askush ”, thonë nga Alternativa. Komisioni i Venecias gjithashtu rekomandon që përdorimi i gjuhës shqipe në komunikimin e brendshëm dhe ndërinstitucional të kufizohet në komunikimet zyrtare të shkruara, ose të shtyhet derisa të ndodh zbatimi i duhur i kësaj dispozite.

Çdo tentim për zhvendosje të njëanshme të balancit në marrëdhëniet e maqedonasve dhe shqiptarëve që është arrit me shumë mund, me shumë sakrificë nga dy anët që sot të flasim për shtet funksional multietnik, do të hap rrethin magjik dhe spiralen e cila plotësisht do të na largojë nga rruga në të cilën jemi nisur. Këtë sot në brifing me gazetarë e tha zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani.

Duke shpjeguar se çfarë nënkupton zhvendosje e njëanshme, ai ka thënë se çfarëdo tentimi, për shembull nëse gjykatësit kushtetues maqedonas mbivotojnë gjykatësit kushtetues shqiptarë, apo Ministria e Drejtësisë pa pëlqim nga Qeveria, nëse Kuvendi pa pëlqim edhe të përfaqësuesve të bashkësive etnike, nëse kushdo tjetër në shtet nëse tenton një çështje më senzitive t’i qaset njëanshëm, siç tha, “e thyen boshtin në të cilin mbahet balanci i raporteve maqedono-shqiptare në shtet”.

“Çdo qasje duhet të jetë inkluzive dhe këtë e konstaton Komisioni i Venedikut se nuk guxon të ketë asnjë tentim për zhvendosje të atij balanci, njëanshëm, ose pa pëlqim të të gjithë bashkësive etnike, pasi ajo është bazë e Marrëveshjes së Ohrit përmes shumicës së dyfishtë, ose përmes Badenterit”, ka thënë Osmani në pres konferencën e sotme.
Duke komentuar vendimet e Komisionit të Venedikut, Osmani ka thënë se “aq sa është i rëndësishëm gjuha, aq është i rëndësishëm edhe shteti juridik”.

“E ndajmë qëndrimin se nuk guxon asnjë lëndë të jetë viktimë e kapaciteteve të papërfunduara. Fokusi duhet të jetë në ndërtimin e shpejtë të kapaciteteve edhe në gjyqësi, administratë, pastaj të gjejmë mënyrë se si asnjë lëndë, të çfarëdo lloji, të mos jetë viktimë e kapaciteteve të papërfunduara në gjyqësi. Lidhur me bankënotat do të duhet përsëri të ulemi inkluzivisht dhe të shohim si të zbatohet kjo konkluzë e Komisionit të Venecias”, ka thënë Osmani.

Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve, Osmani ka thënë se Komisioni i Venedikut nuk është supermarket ku ju mund të blini një produkt, ndërsa tjetrin të mos e blini.

“Komisioni i Venecias thotë- po, ka vështirësi në gjyqësi për shkak të mospasjes së kapaciteteve, por thotë- po mund të përdorni dygjuhësinë në bankënota. Dhe ju nuk mund të hapni debat për gjyqësinë, ndërsa të mos hapni për bankënotat. Komisioni i Venecias nuk thotë të hidhet poshtë dygjuhësia në gjyqësi”, ka thënë Osmani.
I pyetur nëse kërcënohet dhe në pozicion të zëvendëskryeministrit tregon se çfarë vendimi duhet të sjell Gjykata Kushtetuese, Osmani ka thirrur në një intervistë të presidentit Stevo Pendarovski dhe ka parafrazuar se nuk ka asnjë ligj, vendor apo ndërkombëtar që i ndalon të komentojë vendim gjyqësor.

Ka shtuar se nëse ka zhvendosje të njëanshme të atij balanci nënkupton se nuk ka pse të mbahen ato marrëdhënie, pra kthim prapa para sjelljes së Marrëveshjes së Ohrit dhe hapje të debatit për të.

Ai ka thënë se ligji është zgjidhje kompromisi, balanci është arritur dhe si Qeveri dhe shtet të bëjmë plan aksionar me qëllim të lehtësojmë implementimin.

“Të gjitha vërejtjet e Komisionit të Venedikut t’i zbatojmë në planin aksionar dhe në krijimin e kapaciteteve. Ky është qëndrimi që sot e ndajë dhe konsideroj se ajo është zgjidhje më e mirë”, ka thënë Osmani.

Shumë seriozisht do ta analizojmë mendimin e Komisionit të Venedikut, do të marrim parasysh vërejtje të ndryshme dhe do të përpiqemi të gjejmë zgjidhje, e cila do të jetë plus për të gjithë qytetarët në vend. Këtë sot e theksoi në konferencë shtypi zëvendëskryetarja e LSDM-së, Radmilla Shekerinska.

Pas diskutimeve të gjata për Ligjin për gjuhë, ne, siç tha dolëm me tekst prapa të cilit kemi ndaluar dhe kemi marrë shumicë serioze edhe në Kuvend , treguam se kemi edhe dilema të caktuara edhe për ato dilema, por edhe për gjithë Ligjin, vetë Qeveria kërkoi mendim nga Komisioni i Venecias.

“Sipas asaj që patëm rast drejtpërdrejtë ta lexojmë, e jo ta shohim të interpretuar nga ana dikujt, për disa çështje kanë dilema, për disa çështje nuk ka dilema Komisioni i Venedikut shkon një hap përpara. Do ta analizojmë shumë seriozisht opinionin, do të marrim parasysh vërejtje të ndryshme dhe do të përpiqemi të gjejmë zgjidhje, e cila do të jetë plus për të gjithë qytetarë e shtetit. Si Qeveri kërkuam nga Komisioni i Venedikut të na dorëzojë mendim për ligjin dhe të na dërgojë opinion për dy çështje që i kemi lënë të hapura. Kur do ta marrim gjithë këtë, do ta nxjerrin rezultatin sa më të mirë të mundshëm për të gjithë qytetarët”, tha Shekerinska.

Besojmë, siç tha se edhe të drejtat gjuhësore janë të drejta që e ndërtojnë kohezionin në vend. Përkujtoi se gjatë kohë ligji është në fuqi dhe shtoi se asnjë qytetar nuk ka paguar gjobë pse nuk e njeh gjuhën shqipe. Askush nuk është i detyruar të përdorë diçka që nuk e di ose nuk dëshiron ta përdorë, siç kanë pohuar disa.

Ajo shfaqi shpresë se të gjithë, shteti, qytetarët dhe disa nga partitë kanë mësuar diçka nga kjo përvojë. Shtoi se dëshirojnë të jenë parimorë për të gjitha çështjet dhe duan të gjejnë zgjidhje të cilat do të jenë më të mira për të gjitha shtetet.

Komisioni i Venecias rekomandon që të shfuqizohet përdorimi i gjuhës shqipe si gjuhë e dytë në gjyqësor, të kufizohet përdorimi i gjuhës shqipe në komunikimin e brendshëm dhe ndërinstitucional, të kufizohet në komunikimet zyrtare të shkruara, ose të shtyhet derisa të ndodh zbatimi i duhur i kësaj dispozite. Nga Komisioni i Venecias vlerësojnë se ligji e zgjeron përdorimin e gjuhës shqipe duke i kaluar në disa aspekte edhe standardet evropiane të Konventës kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare dhe Kartën evropiane për gjuhët rajonale dhe minoritare.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka 8 Dhjetor, 2019 14:23

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.