Komisioni në pauzë, figurat historike pykë mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë

Komisioni në pauzë, figurat historike pykë mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë

Tre vjet më parë Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria e nënshkruan Marrëveshjen për fqinjësi të mirë.

Por as tre vjet më vonë, Komisioni që doli nga Marrëveshja i ekspertëve të çështjeve historike dhe arsimore nuk ka zgjidhje për figurat më të rëndësishme historike, siç është Goce Dellçevi.

Puna e komisionit është një ndër aspektet më të rëndësishme për zbatimin e Marrëveshjes. E Bullgaria sot porositi se zbatimi i tërësishëm i marrëveshjes do të jetë kyç për integrimin e vendit tonë në Bashkimin Evropian.

“Ne besojmë në raportet ndërfqinjësore si vlerë evropiane fundamentale dhe në këtë kontekst, zbatimi i tërësishëm i Marrëveshjes nga ana e Maqedonisë është kusht kyç për përparim të shtetit drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Njëra nga aspektet më të rëndësishme është puna e komisionit multidisiplinar i ekspertëve për çështje arsimore dhe historike. Bullgaria pret që komisioni të vazhdojë me punë dhe së shpejti të realizojë përparim të vërtetë në bazë të interpretimit objektiv të bazuar në burime dhe dëshmi historike autentike”, deklaroi Zaharieva.

Ndërkaq ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov citoi autorë të panjohur duke shprehur bindjen se Bullgaria do ta kuptojë dhe pranojë Maqedoninë ashtu siç është.

“”Mik është ai që e kupton të kaluarën, beson në të ardhmen tënde dhe të pranon ashtu siç je.” – autor i huaj. Pikërisht kjo urtësi, e zbatueshme edhe nga ana maqedonase dhe bullgare, me durim dhe pjekuri, do të na dërgojë përpara. Të gjejmë mirëkuptim për të kaluarën, të punojmë për të ardhmen dhe ta pranojmë njëri – tjetrin ashtu siç jemi dhe kush jemi sot”, shkroi Dimitrovi.

Puna e komisionit ka ngecur në historinë e shekujve XIX-XX dhe kontestuese nuk është vetëm figura e Goce Dellçevit.

Komisioni shkoi në pauzë për shkak të zgjedhjeve dhe ende nuk dihet se kur do të fillojë me punë. TV21 u përpoq të mësojë se kur do të rikthehen diskutimet e komisionit, por kryetari Dragan Gjorgjiev ishte i pakapshëm për prononcim.

 

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka 1 Gusht, 2020 19:43

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.