Komisioni për Çështje Evropiane, bllokohet puna e Kuvendit

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka September 9, 2020 19:18

Komisioni për Çështje Evropiane, bllokohet puna e Kuvendit

Ambiciet e BDI-së dhe Lëvizjes Besa për të kryesuar Komisionin për Çështje Evropiane kanë bllokuar punën e Kuvendit.

Alsat nga burime brenda grupeve parlamentare mëson se as partia e Ali Ahmetit dhe as ajo e Bilall Kasamit nuk heqin dorë nga ky trup punues. Jo zyrtarisht dyja subjektet kërcënohen me prishje partneriteti. Ditë më parë lideri i LSDM-së, Zoran Zaev ka komunikuar me Kasamin për të gjetur gjuhë të përbashkët, por nga ai ka marrë përgjigjen se nuk do të pranojnë trup tjetër punues derisa këtyre si subjekt u takon vetëm një komision.

Kryetari i Kuvendit mbetet në qëndrimin se pa propozim konkret për trupa punues, nuk mund të thirret seancë plenare. Edhepse ishte paralajmëruar për sot, një takim koordinues mes përfaqësuesve të grupeve parlamentare nuk ndodhi.

Në parim partitë parlamentare janë pajtuar për numrin e komisioneve që do t’i udhëheqin, ndërsa VMRO-DPMNE-ja ka caktuar edhe kandidatët të cilët do t’i propozojë në mbledhjen e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime.

Partia e Hristijan Mickoskit jo zyrtarisht ka bërë të ditur 8 komisionet me të cilët do të kryesojë.

Aleanca për Shqiptarët pretendon Komisionin për Kulturë dhe Komisionin e përhershëm anketues për liritë dhe të drejtat e qytetarit. Në rast se Lëvizjes Besa i takon Komisioni për Çështje Evropiane, LSDM-ja do të udhëheq edhe 7 komisione bashkë me partnerët tjerë të koalicionit përfshi edhe atë për Zgjedhje dhe Emërime.

BDI-së do t’i mbetet Komision për Çështje Kushtetuese, Komisioni për Arsim dhe Komisioni për Shëndetësi. Në ndarjen e komisioneve dhe zgjedhjen e anëtarëve duhet përfaqësuar edhe partitë politike të paorganizuara në grupe parlamentare, në këtë rast dy deputet të partisë E majta dhe deputeti i vetëm i PDSH-së, Menduh Thaçi.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka September 9, 2020 19:18