Komunat kanë rol të rëndësishëm në ballafaqimin me dhunën familjare në kushte pandemia

Desk
By Desk April 22, 2020 19:20

Komunat kanë rol të rëndësishëm në ballafaqimin me dhunën familjare në kushte pandemia

Shkalla e dhunës familjare po rritet në më shumë vende të botës, si rezultat i masave të vetizolimit që janë marrë për ta ballafaquar përhapjen e koronavirusit. Në një kohë kur ka lëvizje të kufizuar dhe ulje të qasjes në shërbime për mbështetje të viktimave të dhunës në familje, vetëqeverisjet lokale luajnë rol të rëndësishëm, konstatuan pjesëmarrësit në debatin e sotëm onlajn “Forcimi i aftësisë së vetëqeverisje lokale për ballafaqimin me dhunën në familje në kushte pandemie”.

Debati u iniciua nga UNDP, BNJVL dhe UN Women dhe në të morën pjesë mbi 30 përfaqësues nga mbi 15 komuna, si dhe përfaqësues nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.

Drejtoresha Ekzekutive e Rrjetit Kombëtar kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, Elena Dimushevska e theksoi rolin e komunave në informimin e qytetarëve dhe viktimave të mundshme për mënyrat e raportimit të dhunës në familje. Ajo theksoi se ata i kanë dërguar kërkesë Qeverisë për masa urgjente për t’i mbrojtur gratë dhe fëmijët viktima të dhunës në familje.

Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale thonë se viktimat e dhunës në familje kanë më shumë vende në dispozicion ku mund të kthehen. Një shërbim i tillë është linja kombëtare SOS falas, e cila ofron mbështetje 24-orëshe.

Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, Jovana Trençevska bëri thirrje që dhuna në familje të raportohet në stacionin më të afërt policor ose qendrën e punës sociale, pavarësisht nëse është orë policore ose nuk është.

Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të KB-së, Antonio Guteresh, shumë viktima të mundshme të dhunës me bazë gjinore janë detyruar të “burgosen” së bashku me dhunuesit, ndërsa në të njëjtën kohë është ulur disponueshmëra e shërbimeve mbështetëse të viktimave.

Në debatin onlajn gjithashtu u identifikuan aktivitetet dhe masat që duhen ndërmarrë në kuadër të projektit “Forcimi i Këshillave Komunal” të financuar nga Agjencia zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe zbatuar nga UNDP në 24 komuna. Pritet që projekti të sigurojë shkëmbimin e informacioneve me komunat për mënyrat e raportimit të dhunës në familje dhe do të sigurojë trajnime për stafin komunal se si të merren me rastet e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.

Desk
By Desk April 22, 2020 19:20