Konflikti në Siri, Lavrov: Armëpushimi do të prekë padyshim edhe Aleppon

Konflikti në Siri, Lavrov: Armëpushimi do të prekë padyshim edhe Aleppon

Brenda orëve të ardhshme, sipas ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, marrëveshja e njëanshme e paqes e deklaruar nga ushtria siriane do të zgjerohet duke përfshirë edhe qytetin e Aleppos.

Ky është qëndrimi i mbajtur nga kryediplomati rus, i cili ka thënë se Rusia po punon së bashku me Kombet e Bashkuara dhe Shtetet e Bashkuara për ta përfshirë edhe qytetin e shkatërruar nga lufta civile në “regjimin e qetësisë”, që prej së shtunës ka përfshirë Damaskun dhe Latakian.

Megjithatë, Lavrov paralajmëroi se rebelët duhet të largohen nga disa zona, ku militantë aleatë xhihadistë po vihen nën shënjestrën e sulmeve të forcave të Bashar al-Assadit dhe atyre nga ajri të Moskës.

Më shumë se 250 njerëz kanë mbetur të vdekur në Aleppo vetëm gjatë 10 ditëve të fundit, prej të cilëve, rreth 2/3-tat janë shënuar në zonat lindore të qytetit të kontrolluara prej rebelëve, përfshi edhe 50 që u vranë si pasojë e sulmeve ajrore ndaj një spitali, që sipas SHBA-ve ka qenë i qëllimshëm.

Të martën, 14 persona të tjerë janë vrarë nga një raketë e lëshuar prej rebelëve në drejtim të zonave të Aleppos të kontrolluara prej forcave të regjimit të Assadit, përfshi 3 nga sulmi i spitalit, sipas raportimeve mediatike.

I dërguari special i Kombeve të Bashkuara në Siri, Staffan de Mistura udhëtoi drejt Moskës këtë të martë, me synimin për të diskutuar mbi përpjekjet për të arritur në mënyrë urgjente ndërprerjen mbarëkombëtare të armiqësive në Siri, gjë që është negociuar prej SHBA-ve dhe Rusisë prej fundit të muajit shkurt.

Pasi zhvilloi bisedime me diplomatët italianë e suedezë, Lavrov tha për reporterët se, pret së shpejti vendimin mbi përfshirjen e Aleppos në zonën e ashtuquajtur të “regjimit të paqes”, në një të ardhme shumë të afërt, “ndoshta brenda pak orësh”.

Paqja e njëanshme ka hyrë në fuqi në Latakia dhe në rajonin lindor Ghouta të Damaskut që prej fundjavës, falë përpjekjeve të ushtarakëve rusë dhe amerikanë, tha ai. Synimi i negociatorëve rusë, amerikanë dhe atyre të Kombeve të Bashkuara është që të zgjerohet ky regjim paqeje dhe pse jo, të bëhet edhe i pakufizueshëm, shtoi më tej Lavrov.

Kryediplomati rus tha se një sistem monitorimi amerikano-rus për armëpushimin po ngrihet në Gjenevë, gjë që do të ndihmojë në ndjekjen e ngjarjeve në terren në Siri. Por, ai paralajmëroi gjithashtu se, të ashtuquajturat grupe rebelësh të moderuar në Aleppo duhet të largohen nga zonat e caktuara, ku militantë të Frontit al-Nusra, filial i al-Qaedas, që është i përjashtuar nga marrëveshja e ndalimit të armiqësive, do të vijojnë të shënjestrohen.

De Mistura bëri të ditur shpresën e tij se, duke zgjeruar armëpushimet lokale, ndalimi përfundimtar i armiqësive do të rihyjë në etapa të reja dhe bisedimet e ngecura për paqe në Gjenevë do të mund të rifillojnë. “Të gjithë ne shpresojmë që ndoshta në orët e ardhshme të mund të ndalim armiqësitë. Nëse ia dalim mbanë në këtë aspekt, atëherë do të ishim në rrugën e duhur për të vijuar më tej negociatat”.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Maj 3, 2016 21:59

REKLAMA