Konkursi “Qyteti i Kulturës 2022”: Stafeta që nuk u dorëzua në asnjë nga komunat shqiptare

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 29 Dhjetor, 2021 19:27

Konkursi “Qyteti i Kulturës 2022”: Stafeta që nuk u dorëzua në asnjë nga komunat shqiptare

Ky është viti i 18-të me radhë që zhvillohet ky konkurs dhe deri tani asnjë komunë nga ato shqiptare nuk është përzgjedhur si qytet kulture, përveç komunës së Kërçovës, që u shpall fituese në 2020, por që nuk zhvilloi asnjë aktivitet për shkak të pandemisë.

Stafeta e “Qytetit të Kulturës”, që për mbi 15 vjet e kanë mbajtur thuajse të gjitha komunat urbane, përveç atyre shqiptare nuk dihet se ku do të shkojë në 2022. Ministria e Kulturës ka shpallur sërish konkursin i cili zgjat deri në fund të muajit janar të vitit të ardhshëm. I financuar në një përqindje të vogël nga Ministria e Kulturës ky manifestim është ideuar që të sigurojë kushtet për një zhvillim të barabartë kulturor, akses dhe shfrytëzim masiv të vlerave kulturore për të gjithë qytetarët, për të nxitur jetën kulturore në nivel lokal. Po ashtu me shpalljen “Qyteti i Kulturës” synohet demetropolizimi i kulturës dhe zhvillimin e jetës kulturore në periferi, në qyteza dhe komuna ku manifestimet kulturore janë më të rralla.

Ky është viti i 18-të me radhë që zhvillohet ky konkurs dhe deri tani asnjë komunë nga ato shqiptare nuk është përzgjedhur si qytet kulture, përveç komunës së Kërçovës, që u shpall fituese në 2020, por që nuk zhvilloi asnjë aktivitet për shkak të pandemisë. Interesimi në përgjithësi ka qenë i vogël, edhe pse justifikimet për mospjesëmarrje janë lidhur me vonesat në hartimin e programit të detajuar festiv, fondin e vogël që akordohet nga Ministria e Kulturës, apo edhe në refuzimet që i janë bërë kur kanë konkurruar, si për shembull Tetova. Si një prej komunave urbane më të mëdha, nuk e ka parë këtë manifestim si një formë më komode për zhvillimin e aktiviteteve të saj gjatë vitit. Ka konkurruar vetëm dy herë (pesë vjet më parë dhe vjet) dhe refuzimi nga Ministria e Kulturës ishte arsyetimi që as në vitet e ardhshme të mos marrë pjesë.

“Kjo është hera e dytë apo e tretë që konkurrojmë, madje të inkurajuar se do të fitojmë këtë vit, por nga mediat mësuam se nuk jemi ne fituesit. Ministria e Kulturës nuk ka dhënë arsyetimin, gjithsesi manifestimet që ne organizojmë gjatë vitit do të zhvillohen edhe këtë vit”, pohuan vitin e kaluar nga Komuna e Tetovës. Po ashtu, edhe Dibra, Struga, apo Gostivari nuk janë radhitur në listën e aplikantëve, përveç Kërçovës në vitin 2019. Ndërsa në vite komunat e tjera maqedonase të cilat shpallen edhe për herë të dytë, apo të tretë “Qytet Kulture”. Ndër komunat e para pas Shtipit (2004), kanë qenë Velesi e ka mbajtur dy herë titullin, (më 2005 dhe 2015) Kumanova, e po ashtu të rregullt në konkurrim janë qytete si Radovishi, Manastiri, Prilepi, Kumanova, Shtipi, Velesi, Kavadari, Gjevgjelia, Koçani, Kriva Pallanka, Krusheva. Strumica është “Qyteti i kulturës 2021”

“Gjatë shqyrtimit të programeve të paraqitura prioritet do të kenë ato që përmbajnë projekte që iniciojnë pjesëmarrjen më të madhe të publikut, nxisin krijuesit vendas të rinj, vëllazërimin me qytete të tjera, prezantojnë gamë zhanresh dhe stilesh…. Komisioni do të vlerësojë kriteret kualitative si, shkalla e ndikimit të projektit në jetën kulturore, risitë, shkallën e vetëfinancimit… e të tjera”, thuhet ndër të tjera në formularët e aplikimit në faqen zyrtare të Ministrisë së Kulturës. Ministria e Kulturës i shpall fituesit në bazë të Programit që dorëzohet nga çdo qytet, i cili po ashtu përveç plotësimit të kritereve dhe kushteve duhet të jetë i precizuar për të gjitha ngjarjet kulturore nga sferat e artit skenik, dramatik, figurativ, muzikës e të tjera që do të zhvillohen gjatë vitit, kostot e tyre, vendndodhjen… e të tjera. Në konkursin “Qytet i Kulturës” nuk marrin pjesë komunat rurale dhe Qyteti i Shkupit, si edhe komunat që bëjnë pjesë në të. (koha.mk)

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 29 Dhjetor, 2021 19:27