Konrad Adenauer: Shembja e teatrit në Tiranë, ogur jo i mirë para çeljes së negociatave

Konrad Adenauer: Shembja e teatrit në Tiranë, ogur jo i mirë para çeljes së negociatave

Në raportin për Shqipërinë, fondacioni gjerman, “Konrad Adenauer” e quan shembjen e teatrit ogur jo i mirë para çeljes së negociatave.

Fondacioni gjerman Konrad-Adenauer (KAS), në raportin e fundit për Shqipërinë, botuar të martën, më 19 maj 2020, në faqen zyrtare ne internet, e akuzon qeverinë shqiptare për shfrytëzim të situatës së pandemisë.

Në raportin 11 faqesh, me titull „Masa autokratike në kohën e Coronës”, jepen tre shembuj  për të ilustruar këtë tezë. Shembja e Teatrit, luftimi kundër medias kritike,si për shembull vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë për mbylljen e TV ORA, si edhe diskutimi për legalizimin e kanabisit mjekësor.

Sipas fondacionit, këto masa të qeverisë shqiptare në kohë pandemie, janë zgjedhur enkas të bëhen në një moment të tillë, kur deri në 23 qershor në vend ekziston ende gjendja e jashtëzakonshme, çka kufizon edhe lirinë e tubimit.

Shkelje juridike

Në raport përshkruhet me hollësi historiku i konfliktit tashmë dyvjeçar për teatrin për të arritur në konkluzionin se shembja e Teatrit, kishte një sërë shkeljesh juridike dhe procedurale.

Vendimi i Këshillit Bashkiak, sipas KAS-it, nuk ishte i ankoruar me ligj. Si argumente KAS përmend faktin, që ndryshe nga trualli, ndërtesa nuk ishte pronë e Bashkisë. Edhe klasifikimi i Teatrit si një godinë e rrezikshme është një akt juridik administrativ, i cili  duhet të kalojë më parë nga instancat gjyqësore. Këshilli Bashkiak në të kundërt është një institucion politik dhe nuk ka kompetenca për të nxjerrë akte juridike që parashtrohen nga një institucion qeveritar. Nga ana tjetër, KAS kritikon edhe faktin, se mbledhja e Këshillit Bashkiak nuk u bë e njohur më parë, siç e parashikon ligji. Për fondacionin, shembja e teatrit është një ogur jo i mirë para çeljes së negociatave.

Ngjashmëri me Vuçiçin

Shembja e ndërtesës së Teatrit Kombëtar është raportuar edhe në median e hapësirës gjermane. Kryesisht media është mjaftuar me kronika informuese. Karakter komentues kanë titujt e tyre, si për shembull: “Një krim moral” (FAZ) ose  „Lirohet vendi për një qendër tregtare” (SZ).

Korrespondentja për Ballkanin Perëndimor e gazetës austriake Der Standard, Adelheid Wölfl, në artikullin e saj me titull „Teatri kombëtar i Tiranës prishet në një aksion nate dhe mjegulle”, bën një paralelizëm mes stilit autokratik të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili disa vite më parë në një aksion të ngjashëm shkatërroi brenda natës gjithashtu disa ndërtesa në lagjen e vjetër Savamala në Beograd.

Wadephul i zhgënjyer

Politikanët që merren me Ballkanin Perëndimor kanë preferuar të heshtin. Vetëm Johann Wadephul, nënkryetari i grupit parlamentar të Unionit Kristian-Demokrat e Kristian-social, simotrës së Partisë Demokratike në familjen e Partive Popullore Evropiane është shprehur i zhgënjyer në Twitter.

Si mbështetës shumë i fortë i perspektivës evropiane të Shqipërisë, shkatërrimi i Teatrit Kombëtar me shpejtësi dhe dhunë, më ka lënë të zhgënjyer dhe të trishtuar. A mos kishin të drejtë gjithë kundërshtarët e mi në disa parlamente, kur refuzonin të jepnin  ‘po’-në për  fillimin e negociatave“, ka thënë Wadephul.

Keqradhje per mungesën e dialogut

Manuel Sarrazin deputet i të Gjelbërve dhe njohës i Ballkanit Perëndimor, në një deklaratë për programin shqip të DW, shpreh keqardhjen për mos arritjen e një kompromisi:

“Më vjen shumë keq për prishjen e Teatrit Kombëtar pothuajse brenda natës. Sepse unë i kuptoj dhe i mbështes protestat e atyre që duan të ruajnë asetet kulturore kombëtare dhe që janë të angazhuar për zgjidhje demokratike dhe transparente. Prandaj është shumë për të ardhur keq që nuk u gjend një zgjidhje e përbashkët midis qeverisë dhe artistëve”.

Më parë edhe ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Peter Zingraf, për mënyrën e shembjes së Teatrit, dhe mungesën e dialogut: “Ky zhvillim më shqetëson edhe më shumë nisur nga konteksti i luftës kundër pandemisë së virusit Corona, duke qenë se grumbullimet e njerëzve të ndodhura deri tani dhe ato të pritshme mund të sjellin hapa pas. U bëj thirrje të gjithë aktorëve për dialog dhe vetëpërmbajtje”, shkruan ndër të tjera ambasadori gjerman.\DW

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka 21 Maj, 2020 20:51

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.