Konsullata e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bonn të Gjermanisë, mërgimtarëve shqiptarë u drejtohet me formulare vetëm në gjuhën maqedone.
Por ky nuk është shqetësimi i vetëm i mërgimtarëve shqiptarë nga Maqedonia e Veriut që jetojnë dhe veprojnë në Gjermani.
Në formularin për kërkesë të nxjerrjes së pasaportës, në paragrafin ku kërkohet të përcaktohet se në cilën gjuhë dëshironi të jetë pasaporta, mungon gjuha shqipe.
Kërkoj që pasaporta të më jepet në njërën prej gjuhëve dhe shkrimeve të nënvizuara më poshtë: turke, vllahe, serbe, rome, boshnjake, qëndron në formular.
Siç mund të shihet edhe në dokumentin e arritur në redaksinë Flaka, mungon opsioni për gjuhën shqipe.
Mërgimtari i revoltuar me këtë gjë, shkruan që formularin e ka pranuar vetëm në gjuhën maqedone, dhe ç’është më e keqja, i mohohet e përdorimi i gjuhës amtare në pasaportë.
“Emaili është shkruar në një gjermanishte të çalë. Më është dërguar ky formular për ta plotësuar , vetëm në gjuhen maqedone. Ironia është te pika se në cilën gjuhë duhet të lëshohet pasaporta. Janë gjuha turke, vllahe, serbe, rome dhe boshnjake, por jo edhe gjuha shqipe. Ndjehem i nënçmuar me mohimin e etnitetit”, thotë mërgimtari identiteti i të cilit është i njohur për redaksinë.
Kërkesën e ka bërë konform thirrjes së organeve kompetente për renovimin e dokumenteve të udhëtimit me emrin e ri të shtetit.
Flaka vërejtjen e adresoi deri tek ministri i jashtëm, Bujar Osmani por edhe pas dy ditësh ende nuk ka pranuar një përgjigje. Sa po të ketë ndonjë sqarim zyrtar nga MPJ, Flaka do ta publikon. Flaka